Vala e të nxehtit përfshin Italinë, alarmi i kuq në dhjetëra qytete
Italia po përballet me një tjetër valë të fortë të nxehti, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë nivelin maksimal të alarmit në pjesën më të madhe të qyteteve kryesore të vendit.
Ministria italiane e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri të hënën, 25 nga 27 qytetet kryesore pritet të jenë në alarm të kuq. Qytetarëve u është kërkuar të tregojnë kujdes, të shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të marrin masa për të mbrojtur shëndetin.
Aktualisht, 19 qytete, mes tyre Roma, Milano, Napoli dhe Venecia, janë nën ndikimin e nivelit më të lartë të rrezikut për shkak të temperaturave të larta. Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat ekstreme mund të ndikojnë jo vetëm te të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, por edhe te qytetarët e tjerë.
Në shumë zona të Italisë temperaturat kanë kaluar në vlerat e mesit të 30 gradëve Celsius, ndërsa sinoptikanët parashikojnë se vala e nxehtësisë do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Vetëm qytetet Reggio Calabria dhe Messina pritet të mbeten në një nivel më të ulët alarmi.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel banorëve të kufizojnë daljet nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të shmangin aktivitetet fizike në kulmin e temperaturave.
Sipas meteorologëve, shkak i kësaj vale të nxehti është një anticiklon subtropikal i ardhur nga Afrika e Veriut, i cili ka sjellë temperatura shumë mbi normat sezonale në rajonin e Mesdheut.
Moti ekstrem ka prekur edhe vende të tjera evropiane. Në Francë, mijëra persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve, ndërsa disa vatra të mëdha vijojnë të monitorohen nga autoritetet. Në Greqi, turistë dhe banorë janë evakuuar nga zonat bregdetare për shkak të përhapjes së flakëve.
Ndërkohë, edhe Spanja dhe Portugalia po përballen me një sezon të vështirë zjarresh, me sipërfaqe të mëdha pyjore të përfshira nga flakët dhe temperatura ekstreme që po favorizojnë përhapjen e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

