Vdekja e policit në Kapitol, FBI-ja pranë identifikimit të të dyshuarit

FBI-ja thotë se është pranë identifikimit të personit që dyshohet për vdekjen e policit të Kapitolit gjatë sulmit të dhunshëm të 6 janarit në selinë e Kongresit amerikan nga mbështetës të ish-Presidentit Donald Trump. Njoftimin e bëri të premten gazeta New York Times. Gazeta citon dy zyrtarë të rendit, pa i identifikuar me emër, sipas të cilëve hetuesit ishin fokusuar tek një individ që shihet në video duke sulmuar disa policë me spërkatëse kundër arinjve, përfshirë edhe policin Brian Sicknick, i cili vdiq më pas.

42-vjeçari Sicknick, ishte pjesë e kontigjentit të vogël të policisë përballë turmës së dhunshme që hyri me forcë në Kapitol në përpjekje për të penguar çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit. Këto akte çuan në ngritjen e akuzës për nxitje dhune kundër ish-Presidentit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve, por Senati e liroi nga akuzat, pasi ishte larguar nga detyra. Sipas New York Times, agjentët e FBI-së filluan të dyshojnë se vdekja e policit mund të kishte lidhje me kimikatin që përdoret në spërkatësen për të përzënë arinjtë. Shumë protestues kishin spërkatëse të tilla ose me spec të djegës.

Sipas një prej zyrtarëve të rendit që citohet në artikullin e New York Times, në video personi i dyshuar për sulm kundër viktimës Sicknick dëgjohet duke thënë se do të përdorte spërkatësen me kimikat kundër policëve. Mjeku ligjor ende nuk e ka nxjerrë raportin mbi shkakun e vdekjes së policit pasi priten rezultatet e analizave toksikologjike, tha përmes një deklarate policia e Kapitolit. Mbi 100 policë pësuan lëndime gjatë sulmit dhe pesë vetë mbetën të vdekur. Megjithëse zyrtarët e kanë përqëndruar tani hetimin tek një i dyshuar i vetëm, ata ende nuk e kanë identifikuar personin me emër, njofton gazeta.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja nuk iu përgjigjën kërkesës së New York Times për komente. Më shumë se 200 vetë janë arrestuar për rolin e tyre në sulmin në Kapitol, shumë prej tyre persona që kanë lidhje me organizata të ekstremit të djathtë si “Oath Keepers” dhe “Proud Boys,” duke vënë në dukje shqetësimin që paraqet ekstremi i djathtë. /VOA/

SHKARKO APP