Vdekje misterioze në pishinë, si humbën jetën babai dhe dy fëmijët
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Spanjë, ku babai dhe dy fëmijët kanë humbur jetën në mënyrë të mistershme në pishinën e një hoteli në Andaluzi.
Siç raportojnë mediat, fillimisht ishte vajza 9-vjeçare e familjes, e cila u gjet në pishinë. Babai i saj 52 vjeç dhe djali 16, sapo panë që vajza kishte probleme u futën për ta shpëtuar, por edhe ata u mbytën në mënyrë të mistershme.
Administrata e hotelit doli me një deklaratë për ngjarjen, duke informuar për vdekjen e tre personave, por pa dhënë detaje si ndodhi ngjarja.
Për të hedhur dritë mbi ngjarjen priten edhe rezultatet e autopsisë së tre viktimave.
Një nga pistat e hetimit lidhet me sistemin e kullimit ose sifonit të pishinës. Nëse sifoni është i sheshtë atëherë ai mund të bëhet shumë i rrezikshëm, pasi efekti i thithjes është aq i fortë sa mund të tërheqë dhe ti mbajë në fund personat, veçanërisht fëmijët.
Në vitin 2009 një nxënëse e shkollës u mbyt në një park detar kur ajo ishte “thithur” nga sistemi i kanalizimeve, ndërsa një vajzë 12-vjeçare ruse humbi jetën në një vendpushim turistik në Turqi vitin e kaluar kur dora iu bllokua në sifonin e pishinës.