Vdekjet nga virusi arrijnë në 500 – Dy anije, në karantinë. Goditen linjat ajrore dhe prodhuesit e makinave

Mijëra pasagjerë dhe ekuipazh në 2 anije turistike në ujërat aziatik janë vendosur në karantinë prej koronavirusit kinez, ndërkohë që linjat ajrore, prodhuesit e makinave dhe kompani të tjera ndërkombëtare po llogarisin kostot e përhapjes së virusit.   Komisioni i Shëndetit në Kinë lajmëroi se 65 persona të tjerë vdiqën ditën e Martë, një tjetër rekord ditor, duke e çuar totalin në afër 500.

Dhjetëra linja ajrore kanë pezulluar fluturimet në Kinë dhe shumë vende, përfshirë SHBA, kanë ndaluar hyrjen e personave që kanë qenë në Kinë në 2 javët e fundit.  Kjo ndërprerje u përhap edhe tek anijet turistike, me thuajse 3,700 persona që do të qëndrojnë të paktën 2 javë të kyçur në një port të Japonisë, pasi u konfirmuan 10 raste infektimi më bord. Në Hong Kong, 3,600 persona u mbyllën në anije, pasi 3 persona në bord rezultuan pozitiv me virusin.

Linja ajrore e Hong Kongut, Cathay Pacific, i kërkoi 27,000 punonjësve që të largohen 3 javë nga puna pa pagesë, duke thënë se kushtet janë më të këqija se gjatë krizës financiare të 2009-s.   American Airlines dhe United Airlines deklaruan se kanë pezulluar fluturimet në Hong Kong, duke mos lënë asnjë linjë ajrore amerikane të fluturoje tek qendra aziatike e biznesit.  Thuajse 700 miliardë dollarë në vlerë tregu janë fshirë nga bursat kineze në nisje të javës.

Mbyllja e fabrikave dhe ndalimi i udhëtimit mes qyteteve, kanë shtuar shqetësimet mbi ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit. Hyundai deklaroi se do pezullojë prodhimin në Korenë e Jugut, për shkak të ndërprerjes së furnizimit të disa pjesëve. Prodhues ndërkombëtar të makinave, si Tesla, Ford, Peugeot, Nissan dhe Honda, kanë zgjatur mbylljet e fabrikave në Kinë, duke u përshtatur me udhëzimet e qeverisë.

SHKARKO APP