Vendet e Ballkanit kontribuojnë në koalicionin kundër-ISIS
Duke rënë dakord që Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS) paraqet një kërcënim rajonal dhe global, vendet e Ballkanit janë bashkuar me koalicionin kundër-ISIS, duke ofruar kontributet dhe përshtatjen me sfidën evoluese.
Aeroplanët e luftës nga anëtarët perëndimorë dhe rajonalë të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS kanë fluturuar në qindra misione kundër objektivave grupit të terrorist në Irak dhe Siri. Vendet në Ballkan kanë kontribuar duke shkëmbyer informacione, dërgimin e armëve dhe përmirësimin dhe përshtatjen e legjislacionit të tyre të brendshëm në një përpjekje për të parandaluar qytetarët të udhëtojnë në fushat e betejës.
"Të gjithë në këtë koalicion kontribuojnë me atë që mundin, dhe ne jemi mirënjohës për të gjithë këtë," i tha gazetarëve muajin e kaluar zëdhënësi i Pentagonit, Kundëradmirali i Marinës Amerikane Xhon Kirbi.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia kanë kontribuar të gjithë. Shqipëria, Republika Çeke dhe Hungaria kanë dërguar armë dhe municion tek anëtarët e koalicionit, dhe vende të tjera kanë ofruar mbështetje humanitare.
"Më parë, ne mbështetëm qeverinë e Irakut duke dërguar një paketë shumë të konsiderueshme me armë dhe municione," tha ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në një intervistë me CNN. "Ne kemi marrë masa për të dekurajuar fenomenin e luftëtarëve të huaj. Ne kemi kriminalizuar pjesëmarrjen dhe nxitjen për të marrë pjesë në konfliktet apo luftërat në vende të tjera, si dhe promovimin, organizimin dhe financimin e luftëtarëve të huaj. Ka edhe masa parandaluese. Ne kemi punuar shumë me të gjithë udhëheqësit fetarë për të ndërtuar një përgjigje efektive në mënyrë që ta parandalojmë dhe deradikalizojmë."
Sipas zyrtarëve në Tiranë, kthimi i luftëtarëve të huaj në vendet e tyre të origjinës, sidomos në Ballkan, mbart një rrezik potencial ", veçanërisht aty ku strukturat e shoqërisë janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është ende i paformuar apo ku ka është një kompleks përbërjeje fetare dhe etnike, që është rasti në Ballkan".
Xhavit Shala, një ekspert shqiptar i sigurisë dhe profesor universiteti, lidh kontributet rajonale të vendeve të rajonit me koalicionin dhe me marrëdhëniet e tyre në NATO.
"Pak më shumë se një dekadë më parë, rajoni i Ballkanit ka qenë i përfshirë në konflikte të armatosura. Falë ndërhyrjes të NATO-s, rajoni arriti të kapërcejë këtë situatë. Vendet e Ballkanit kontribuan tani në misionet paqëruajtëse në zonat e tjera të krizës," i tha Shala SETimes.
Kosova është bërë gjithashtu pjesë e koalicionit, duke e deklaruar veten pjesë e aleancës globale në zhvillim për të luftuar një të keqe të madhe. Ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se shteti do të kontribuojë me burime njerëzore dhe financiare për të luftuar terrorizmin. Shkëmbimi i informacionit me BE-në dhe SHBA-në, dhe një kuadër ligjor në rritje kundër terrorizmit, gjithashtu janë pjesë e këtij përkushtimi, tha ai.
Abit Hoxha i Qendrës për Studime të Sigurisë, tha se kontributet e vendeve të Ballkanit janë të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht kundër ISIS, për shkak të përvojës që vendet që kanë me konflikte të dhunshme.
"Mund të jetë shumë e dobishme që të ketë vende nga ish-Jugosllavia në programet zhvillimore për vendet e prekura nga terrorizmi — por edhe në komponentin social të ri-integrimit të ish-aktivistëve që duan të largohen nga ISIS. Vendet rajonale të Ballkanit kanë përvojë të shkëlqyer në ri-integrimin e ish luftëtarëve dhe përfundimin e dhunës," i tha Hoxha SETimes.
Hoxha shtoi se është gjithashtu e rëndësishme që vendet e Ballkanit të punojnë së bashku për t'i dhënë fund dhunës dhe të mbështesin zgjidhjet me qytetarët e rajonit që kanë luftuar për ISIS dhe kthehen në shtëpi.
Në një letër drejtuar presidentit amerikan Barak Obama shtatorin e kaluar, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ofroi ndihmën e vendit të tij për të luftuar kundër ISIS, duke shtuar se Serbia ishte duke vepruar si një "pjesë e përgjegjshme e botës", duke ofruar kontributet e saj.
"Shërbimet e sigurisë serbe dhe policia jonë e fshehtë bashkëpunojnë me shërbimin amerikan për këtë çështje, si dhe me disa agjenci të tjera perëndimore," i tha Vuçiç gazetarëve në Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gasiç tha se Beogradi do të mund të ndihmojë me "shkëmbimin e informacionit mbi luftëtarët e ISIS që vijnë nga Ballkani."
Aleksandar Radiç, një analist ushtarak serb, tha se Serbia mund ta ndihmojë ushtrinë irakiane nëpërmjet shitjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake. Gjithashtu, Beogradi mund të përpiqet për të reduktuar mënyrat se si xhihadistët furnizohen me luftëtarë të rinj dhe të holla.
"Luftëtarë të rinj vijnë nga Ballkani, ku shërbimet serbe të sigurisë kanë njohuri dhe mund të jenë të dobishme," i tha Radiç SETimes.
Zlatko Keskoski, një profesor i sigurisë në Universitetin FON në Shkup, tha se shërbimet e sigurisë maqedonase po ndihmojnë me shkëmbimin e informacionit, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit. Vendi është pjesë e konventave ndërkombëtare dhe protokolleve mbi luftën kundër terrorizmit.
"Maqedonia tashmë ka marrë masa të veçanta — përfshirë veprimet legjislative duke inkriminuar qytetarët e Maqedonisë për të marrë pjesë në konfliktet e huaja. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë në [luftën] kundër ISIS. Kontributi ynë është në linjë me prioritetet tona kombëtare," tha Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme në një deklaratë për SETimes.
Në 2014, qeveria e Turqisë autorizoi përdorimin e forcës ushtarake kundër organizatave terroriste, duke përfshirë ISIS, dhe trupat e huaja janë gjithashtu të lejuara për të nisur sulme nga Turqia kundër grupit terrorist.
"Ankaraja ka kontribuar në koalicion në të pesë linjat e përpjekjeve, që përfshin gjithashtu goditjen e luftëtarëve të huaj," i tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Xhen Psaki të përditëshmes turke Zaman Sot.
Mijëra luftëtarë të huaj, përfshirë qindra nga Ballkani, e kanë përdorur Turqinë si rrugë kryesore për të arritur në Siri dhe Irak. Koordinimi i përpjekjeve dhe bashkëpunimi i ngushtë për të luftuar ISIS, konsiderohen si çelësat e suksesit në luftën kundër terrorizmit.