Vendi i parë europian që thotë ”pandemia ka mbaruar për ne”
Një shtet në Europë e ka fituar totalisht luftën me Covid-19. Norvegjia ka bërë me dije se pandeminë e ka lënë pas krahëve. Sipas Preben Aavitsland, shefi i Infektivit në Institutin norvegjez të Shëndetit Publik, “pandemia ka mbaruar”.
Sipas autoriteteve shëndetësore, Norvegjia me 5,5 milionë banorë ka regjistruar 785 viktima, shifër shumë e ulët krahasuar me vende të tjera që kanë pothuajse të njëjtin numër banorësh.
Po ashtu Aavitsland shpjegoi për gazetën “VG” se Norvegjia mund të thotë se i ka dhënë fund pandemisë dhe se duhet të përgatitet për një jetë ku “Covid-19 do të zërë shumë pak vend”.
I dërguari i OBSH-së për pandeminë, David Nabarro, tha këtë javë se njerëzimi “duhet të mësojë të bashkëjetojë me virusin”, pasi, sipas tij, “çrrënjosja e koronavirusit nuk është objektiv i arsyeshëm për botën”.