Vijon “horrori” në Indi, mbi 2700 të vdekur në 24 orë. Varianti i ri konfirmohet edhe në Itali
Një situatë e tmerrshme vijon të marrë me mijëra jetë njerëzish brenda një dite në Indi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vetëm në 24 orët e fundit, autoritetet në këtë shtet kanë konfirmuar 2771 persona të vdekur, si dhe shifra rekord të infektuarish, të cilët janë më shumë se 320 mijë.
Sistemi shëndetësor vijon të jetë në kolaps total dhe tashmë spitalet nuk po përballojnë dot dhe nevojat për oksigjen, i cili në tregun e zi ka arritur një çmim rekord. Për të përballuar situatën, autoritetet kanë vendosur të nxjerrin në terren ushtrinë për të ndihmuar spitalet e tejmbushura.
Ndërkohë, ditën e hënë u konfirmuan edhe dy raste të personave të infektuar me variantin indian të koronavirusit në Italinë fqinje, për të cilin ka ende dyshime të mëdha nëse vaksinat janë efektive apo jo.