Virusi nga lakuriqët e natës dhe kalimi te njeriu u studiua që në 2015-ën
Shkencëtarët paralajmëruan që në 2015 për një lloj të ri virusi në familjen e atyre që njihen si koronaviruse, që po qarkullonte në popullsinë e lakuriqëve të natës në Kinë dhe mundësinë e lartë që ky virus të transmetohej tek njerëzit.
Zbulimi është vepër e grupit të shkencëtarëve Vineet D. Menachery, Boyd L. Yount Jr. Kari Debbint, Sudhakar Agnihothram, Lisa E. Gralinski, Jessica A. Plante, Rachel L.Graham, Trevor Scobey, Xing-Yi Ge, Eric F. Donaldson, Scott H. Randell, Antonio Lanzavecchia, Wayne A. Marasco, Zhengli-Li Shi dhe Ralph S. Baric. (KLIKO KËTU)
Autorët kanë studiuar për muaj me radhë sjelljen e virusit të ri që zbuluan dhe përfundimet e studimeve i kanë publikuar në revistën “Nature” më 15 gusht të 2015. Gazeta “Si” ju sjell ekstraktin e studimit në fjalë, ku grupi i autorëve thotë se virusi i ri është i ngjashëm me SARS-in dhe MERS-in, pra që prek organet e frymëmarrjes, por shumë herë më i fuqishëm se ta dhe rezistent ndaj kurave të deriatëhershme.
Nga përshkrimi që i bëhet llojit të ri të virusit të zbuluar prej tyre bëhet fjalë për koronavirusin e ri, që Organizata Botërore e Shëndetësisë e pagëzoi me emrin Covid-19. Në atë kohë, grupi i shkencëtarëve të mësipërm e quajtën virusin ShCO14.
“Megjithëse masat e ndërmarra nga autoritetet shëndetësore arritën që të vënë nën kontroll dhe izolojnë epideminë e SARS-CoV, studimet e fundit identifikojnë sekuenca virusesh të ngjashme me SARS-in që qarkullojnë tek popullsitë e lakuriqëve të natës në Kinë dhe që mund të përbëjnë një kërcënim të mundshëm në të ardhmen”, thonë autorët në studimin e publikuar në revistën “Nature”.
Sipas raportit të siguruar nga gazeta “Si”, në atë kohë shkencëtarët ishin të pasigurtë nëse virusi i ri që zbuluan ishte në gjendje që të transferohej nga kafshët tek njeriu, por provuan se mes kafshëve ai transferohej pa problem, madje duke shkaktuar mes tyre probleme të mëdha shëndetësore.
Testin e parë grupi i shkencëtarëve e ka realizuar duke e injektuar virusin në fjalë tek minjtë. Ajo që vunë re ishte humbje e fortë në peshën e kafshës dhe dobësim i ndjeshëm i aftësive në organet e frymëmarrjes, që tek minjtë e kategorizuar si më të vjetër në moshë shpesh ishte fatale.
E njëjta gjë u eksperimentua edhe të kafshët e tjera, nga ku u përftua thuajse i njëjti rezultat. Sërish, grupi i shkencëtarëve nuk ishte në gjendje që të përcaktonte nëse virusi që kishin zbuluar mund të transmetohej nga kafshët tek njerëzit. Për këtë arsye ata bënë disa teste të tjera, duke kryqëzuar virusin e ri me viruset SARS dhe MERS, me të cilët ndante një ngjashmëri mbi 85 për qind.
Ajo që vunë re është që virusi i ri ishte në gjendje që t’u “imponohej” dy viruseve të vjetra, duke modifikuar strukturat e tyre proteinike. Mostrat e virusit të ri të kryeqëzuar u testuan sërish tek kafshët dhe rezultati ishte i njëjti me testimet e mëparshme.
Kjo çoi grupin e shkencëtarëve që të arrinte në përfundimin se virusi i ri ishte një kërcënim sa i panjohur, aq edhe serioz edhe për njerëzimin, duke u nisur nga fakti që ai ishte në gjendje që të përshtatej në mënyrë të shpejtë dhe agresive.
Në testimet e dyta që ata kryen zbuluan se virusi ushqehej me të gjitha llojet e proteinave në organizmin e kafshëve dhe kjo e përshpejtonte riprodhimin e tij në organizmin e infektuar duke dëmtuar thuajse të gjitha organet. Të njëjtën gjë kanë zbuluar shkencëtarët edhe tek CoVid-19, që tek njerëzit me imunitet të dobët dhe probleme të tjera të mëparshme shëndetësore shkakton fatalitete.
Studiuesit testuan tek virusi i ri që zbuluan kurat që përdoreshin deri në atë kohë për të luftuar SARS-in dhe MERS-in.
“Terapitë e përdorura kundër SARS dhe MERS rezultuan me efikasitet të ulët. Si terapia me antitrupa monoklone, ashtu edhe vaksinat dështuan që të neutralizojnë virusin e ri. Puna jonë sugjeron rrezikun potencial që i kanoset njerëzimit nga rishfaqja e SARS-CoV prej viruseve që qarkullojnë aktualisht tek popullsitë e lakuriqëve të natës”, thuhet në studim.
Shkencëtarët kujtojnë se në momentin që virusi në fjalë do të transmetohej tek njerëzit, globalizimi i shoqërisë do të kryente pjesën tjetër, duke e përhapur atë në formën e pandemisë (ashtu siç fatkeqësisht ndodhi), nëse nuk merren masat e nevojshme në kohën e duhur.