Vit i trazuar në SHBA/Covid-19, vrasja e Floyd dhe zgjedhjet Presidenciale

Viti 2020 ka qenë një vit i trazuar për Shtetet e Bashkuara, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë shoqëror. Që nga shfajësimi i presidentit Donald Trump nga akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit, deri tek manifestimet që shkaktoi vrasja e George Floyd, menaxhimi i pandemisë dhe në fund zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit që u kurorëzuan me fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden dhe kontestimin e tyre nga presidenti në detyrë, Trump.

Nisma e shkarkimit

Më 16 janar të vitit 2020, në Senatin amerikan do të pranoheshin dy nenet që do t’i jepnin dritën e gjelbër nisjes së procesit hetimor në dëm të presidentit Trump në lidhje me kërkesën e tij drejtuar homologut ukrainas, Volodimir Zelenskij, për të hetuar Joe Biden dhe të birin Hunter për bizneset e tyre në Ukrainë, në këmbim të ndihmës prej 400 milionë dollarë për vendin e Evropës lindore.

Në dhomën e sipërme të Kongresit amerikan, senatorët republikanë penguan përpjekjet e demokratëve për të thirrur dëshmitarë dhe për të paraqitur dokumente që mund të fajësonin kreun e shtetit. Të gjitha përpjekjet e tyre u rrëzuan në serinë e seancave që nisën më 21 janar dhe vijuan deri më 31 të të njëjtiti muaj. Më 5 shkurt, Trump u shfajësua nga të dyja akuzat pasi asnjë prej tyre nuk mori 67 votat e duhura për të siguruar dënimin e tij. Për nenin e parë, atë që e akuzonte për abuzim me pushtetin, 48 senatorë votuan pro, ndërsa 53 të tjerë kundër. Ndërsa për nenin e dytë, atë për pengim të Kongresit, 47 senatorë votuan për dënimin, 53 për shfajësimin, ndërsa 1 abstenoi.

Në bazë të Kushtetutës amerikane, për të dënuar një president me shkarkim nga detyra dhe ndalim të mbajtjes së posteve zyrtare në të ardhmen nevojiten dy të tretat e Senatit. Mitt Romney, i vetmi që shkeli linjat e partisë, u bë senatori i parë republikan që votonte për dënimin e një presidenti të partisë së tij në një proces inkriminimi, teksa votoi pro ndëshkimit për akuzën e abuzimit me anë të pushtetit. Dy ditë pas shfajësimit, Trump ndërmori një fushatë që jo pak vetë do ta quanin hakmarrëse, duke shkarkuar nga detyra ambasadorin amerikan në BE, Gordon Sondland dhe kolonelin Alexander Vindman, drejtor për çështjet evropiane të Shteteve të Bashkuara.

Të dy ata kishin dhënë dëshmitë kyçe në procesin e zhvilluar ndaj tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Fushatës nuk i shpëtuan edhe shumë zyrtarë të tjerë, që kishin pranuar ekzistencën e një shkëmbimi favoresh të kërkuar nga Trump në adresë të Zelenskij. Përpara gjykimit, në mes të janarit të vitit 2020, qytetarët amerikanë ishin të ndarë nëse Trump duhej të largohej nga detyra, me demokratët që mbështesnin në masë shkarkimin e tij dhe republikanët që kërkonin vazhdimin e mandatit. Gjithashtu, edhe ata që i përkisnin së ashtuquajturës “zona gri” ishin të ndarë.

Një sondazh i rrjetit informativ CNN, i kryer në periudhën 16-19 janar 2020 zbuloi se 51 për qind mbështesnin shkarkimin e Trump, krahasuar me 45 për qind që e kundërshtonin. Ndërsa një sondazh i kryer nga NBC në bashkëpunim me Wall Street Journal, i publikuar më 2 janar, tregoi se 46% mbështesnin shkarkimin, ndërsa 49 e kundërshtonin. Trump do të vazhdonte epopenë e tij në kërkim të mandatit të dytë, i bindur se deri në zgjedhjet e 3 nëntorit gjërat do të shkonin mirë. Por nuk ndodhi kështu, ngjarje të ndryshme që pasuan pak muaj më vonë vunë në provë lidershipin e tij.

Vdekja e George Floyd

Njëra prej tyre ishte vdekja e afro-amerikanit George Floyd. Më 25 maj të 2020-s, Floyd u arrestua pasi dyshohej se kishte përdorur një kartmonedhë 20-dollarëshe të falsifikuar në një dyqan ushqimesh në Mineapolis. Ai ndërroi jetë pasi Derek Chauvin, një oficer policie i bardhë i vendosi gjurin në qafë duke e mbajtur të bllokuar për më shumë se 8 minuta gjatë arrestimit. Në ato momente Floyd ishte i prangosur dhe i shtrirë në rrugë. Ndërkohë, tre oficerë të tjerë kujdeseshin për mbajtjen e tij të neutralizuar dhe pengonin ndërhyrjen e kalimtarëve.

Gjatë dy minutave të fundit, Floyd ishte pa ndjenja dhe nuk kishte puls. Edhe pse oficerët kërkuan asistencë mjekësore, vetë ata nuk ndërmorën asnjë veprim për ta ndihmuar. Oficeri Chauvin e mbajti gjurin në qafë derisa ekipet mjekësore mbërritën. Autopsia e klasifikoi vdekjen e Floyd si një vrasje për shkak të një arresti kardiopulmonar të shkaktuar nga bllokimi i oficerëve, i ndikuar nga përdorimi i drogave sintetike si fentanil dhe metamfetaminë. Por një autopsi e dytë, e porositur nga familja e Floyd, zbuloi si shkak të vdekjes asfiksinë mekanike, me shtypjen e qafës që kishte penguar furnizimin e trurit me gjak dhe njëkohësisht shtypja e kurrizit që kishte penguar frymëmarrjen.

Pas vdekjes së Floyd, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në të gjithë botën u mbajtën protesta masive kundër përdorimit të forcës nga policia ndaj të dyshuarve me ngjyrë. Manifestimet filluan në Mineapolis një ditë pas vdekjes dhe u përhapën nëpër qytetet e 50 shteteve amerikane dhe ndërkombëtarisht. Në Shtetet e Bashkuara, nisur nga pjesëmarrja, ato u klasifikuan si protestat më të mëdha në histori.

Nuk vonoi shumë dhe në manifestime u verifikuan incidente të dhunshme. Në natën e tretë të tyre, një komisariat policie u dogj në Mineapolis, në shenjë rebelimi ndaj brutalitetit policor. Trazirat vazhduan pavarësisht se guvernatori i shtetit të Minesotës urdhëroi vendosjen e disa qindra efektivëve të Gardës Kombëtare për të rivendosur rendin. Ndërkohë, presidenti Donald Trump reagoi duke deklaruar se një grup “banditësh” po turpëronin kujtesën e George Floyd. As deklarata e Trump dhe as plumbat e gomës të përdorur nga policia do të ndalnin manifestuesit. Majde, ishte radha që tubimet të zhvendoseshin në Evropë. Kështu, pak ditë nga vrasja, një grup i madh protestuesish u mblodhën jashtë selisë së ambasadës amerikane në Londër. Të tjerë u mblodhën në sheshin e njohur Trafalgar, përpara se të nisnin marshimin dhe të ndaleshin përpara zyrave të qeverisë dhe parlamentit britanik.

Protesta të ngjashme u zhvilluan përpara ambasadës amerikane edhe në Berlin. Të pajisur me maskat mbrojtëse nga coronavirusi, manifestuesit ngritën parulla përmes të cilave kërkonin drejtësi për Floyd. Në lagjen multietnike Nojkoeln, protestues të shumtë u mblodhën së bashku duke thirrur “nuk marr dot frymë”, që ishin dhe fjalët e fundit të Floyd teksa agjenti i policisë e mbante të bllokuar me këmbën në qafë. Ndërsa në Mauerpark të kryeqytetit gjerman u shfaq një grafit që portretizonte Floyd. Autoritetet amerikane do të merrnin masa për të qetësuar situatën. Mazhoranca në Këshillin Bashkiak të Mineapolisit u zotua se do të shpërbënte departamentin e policisë, një lëvizje kjo shumë domethënëse pas vdekjes së Floyd. Ndërsa oficeri Derek Chauvin, që vendosi gjurin mbi qafën e 46-vjeçarit, u shkarkua nga detyra dhe u akuzua për vrasje të shkallës së dytë.

Tre oficerët e tjerë që ishin në vendin e ngjarjes u shkarkuan gjithashtu dhe u akuzuan për ndihmë dhe bashkëfajësi. Por as kjo nuk do të mjaftonte. Manifestimet do të vazhdonin dhe në to do të ngrihej parulla “Black Lives Matter”, “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”, njësoj si lëvizja me të njëjtin emër, e themeluar në vitin 2013. Vazhdimi i protestave, i akteve të dhunës dhe menaxhimi i situatës, tashmë e dalë tërësisht nga kontrolli, do të ndikonin shumë shpejt edhe në politikë, në një kohë kur nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit mungonin vetëm pak muaj.

Më 22 korrik, presidenti Donald Trump njoftoi se planifikonte të dërgonte forcat federale në disa qytete, në përpjekje për të shtypur protestat. Një ditë më vonë, kandidati demokrat për president, Joe Biden akuzoi administratën Trump për përdorimin e “taktikave skandaloze” për të vënë nën kontroll manifestimet, duke nënvizuar se reagimi duke dërguar agjentë federalë po shkaktonte përçarje në vend. Dhe kështu do të ndodhte. Në fund të muajit korrik, një grup personash me ngjyrë, të armatosur deri në dhëmbë marshuan në Luisvill të Kentakit, për të kërkuar drejtësi për Breonna Taylor, një grua me ngjyrë e vrarë në mars nga policia, që bastisi apartamentin e saj.

Demonstruesit, të pajisur me armë gjysmë automatike dhe pushkë, si dhe të veshur me uniforma paraushtarake të zeza, ecën në formacion drejt një kryqëzimi, ku u mbajtën larg nga policia nga një grup kundër-protestuesish, edhe ata të armatosur. Milicia e zezë, e njohur ndryshe me akronimin NFAC, kërkonte drejtësi për Taylor, një teknike 26-vjeçare e ndihmës së shpejtë që mbeti e vrarë nga të shtënat e agjentëve të antidrogës, që hynë pa mandat në banesën e saj. Një oficer policie i përfshirë në operacion u shkarkua nga detyra në qershor, dy të tjerë u caktuan në detyra administrative, por asnjë akuzë penale nuk u ngrit ndaj tyre. Vdekja e Taylor, që u rikthye në vëmendje pas vrasjes së George Floyd, bëri që në mbarë Shtetet e Bashkuara të ringjalleshin protestat kundër brutalitetit policor dhe racizmit në sistemin amerikan të drejtësisë.

Fushata presidenciale

Me një përçarje të tillë Amerika do të hynte në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, që do të vinin përballë njëri-tjetrit Donald Trump, që garonte për një mandat të dytë dhe Joe Biden, ish-zëvendës president i Shteteve të Bashkuara. Trump e siguroi nominimin republikan pa kundërshtime, ndërsa Biden duke mundur një seri rivalësh në zgjedhjet e brendshme, mes të cilëve spikaste figura e senatorit Bernie Sanders. Ndërkohë, rivalja e Biden, senatorja nga Kalifornia Kamala Harris do të bëhej shumë shpejt e para femër me ngjyrë që do të zgjidhej për postin e zëvendës presidentes së Shteteve të Bashkuara.

Çështjet qendrore të fushatës do të bëheshin: shëndeti publik dhe impakti ekonomik i pandemisë së COVID-19, trazirat civile pas vrasjes së Floyd dhe vendi vakant i kryetares së Gjykatës Supreme pas vdekjes së gjyqtares ikonë të drejtësisë Ruth Bader Ginsburg. Biden dhe Harris nuk humbën kohë, por u përfshinë direkt në betejën për Shtëpinë e Bardhë. Në takimin e parë elektoral të zhvilluar së bashku, ata bënë sulme të forta ndaj karakterit dhe performancës së presidentit Trump.

Nga ana e tij, Trump e quajti Harris një “radikale të majtë”, dy tipare që mbështetësit e tij nuk i pëlqenin. Me sulmet personale të nisura nga të dyja kampet, fushata 10-javore që i parapriu zgjedhjeve të nëntorit u duk se do të ishte e hidhur dhe luftarake. Presidenti Trump, duke u ndalur në Uiskonsin, u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet e nëntorit. Ndërsa akuzoi demokratët për ndërhyrje në fushatë, Trump theksoi se 4-vjeçari i ardhshëm i përkiste atij.

Ndërsa Biden, kur kishin mbetur pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, do të thoshte se nuk kishte në plan t’i jepte jetë një fushate agresive. Në intervistën e parë pas nominimit, Biden do ta vinte theksin tek kriza e coronavirusit, lidhur me të cilën tha se, do të vepronte sipas rekomandimeve të shkencëtarëve. Sidoqoftë, replikat do të vazhdonin dhe do të kulmonin më 29 shtator, në debatin e parë presidencial mes dy kandidatëve. Në përfundim të debatit, i konsideruar më i ndjekuri në historinë e Shteteve të Bashkuara, lindi natyrshëm pyetja: Cili ishte fituesi? Analistët amerikanë ia atribuuan fitoren Joe Biden, por e konsideruan atë një fitore të pjesshme, e arritur për shkak të performancës së dobët të Trump.

Nga ana tjetër, votuesit me ngjyrë u shprehën të frustruar nga deklaratat e paqarta të kreut të shtetit mbi supremacistët e bardhë. Ata deklaruan se vendi kishte nevojë për një lider që të ofronte paqe dhe qetësi për të gjitha komunitetet dhe jo një president, shembullin e të cilit nuk do ta ndiqte askush. Ndërkohë, debati i dytë presidencial i planifikuar më 15 tetor në formë virtuale për të shmangur kontaktin nga frika e Covid-19, u anulua pasi dy rivalët kishin njoftuar plane alternative për atë ditë. Por kjo nuk ishte arsyeja e vërtetë. E vërteta ishte se Trump, sikurse kishte thënë, nuk dëshironte të humbiste kohë me një debat virtual.

I treti të shënonte një ndryshim radikal në formatin e debateve. Për të shmangur ndërprerjet dhe fyerjet personale, stafi organizativ i tij do të kishte mundësinë t’u fikte mikrofonët dy rivalëve. Gjithashtu, për herë të parë, debati do të drejtohej nga një grua. E teksa të gjithë prisnin një përleshje, debati nuk shpërtheu. Ajo që spikati më shumë në përballjen kokë më kokë të kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë ishte se presidenti i Shteteve të Bashkuara, në mënyrë metaforike, nuk mori zjarr. Në shansin e fundit për të ndryshuar dinamikën e garës së rizgjedhjes ndaj kandidatit demokrat Joe Biden, presidenti Trump u duk se e kishte kuptuar se përsëritja e qasjes së tij agresive që u verifikua në debatin e parë do të kishte qenë një katastrofë.

Dita e votimeve

Deri më 3 nëntor, dita zyrtare e zgjedhjeve, kishin votuar rreth 90 milionë amerikanë. Votat ishin hedhur në mënyrën tradicionale dhe sidomos me postë për shkak të pandemisë. Dhe, për shkak të numrit të madh të votave të tilla, disa nga shtetet e konsideruara “të lëkundura” regjistruan vonesa në numërimin e tyre. Kjo bëri që shumë media të vononin projeksionet e tyre që nxirrnin Biden dhe Harris fitues. Vetë Trump nuk do të vononte të shprehej i bindur për fitoren gjatë një fjalimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën e 4 nëntorit, kur shumë shtete kyçe duhej ende të njoftonin rezultatet. Por, teksa votat elektorale po shkonin në favor të Biden, Trump dhe shumë figura të Partisë Republikane do të përpiqeshin të përmbysnin rezultatin, duke bërë deklarata të paprovuara për shkelje dhe manipulime gjatë procesit të numërimit.

Nga ana tjetër, Biden u bënte thirrje mbështetësve të tij për qetësi. Por më 7 nëntor, kur i kishte siguruar 270 votat elektorale të nevojshme për të shpallur fitoren, ai e bëri këtë gjë dhe u urua nga ajo që pritet të bëhet zëvendësja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, Kamala Harris. Një ditë më vonë, në cilësinë e presidentit të zgjedhur, Biden do të garantonte qytetarët amerikanë se administrata e tij do ta mposhtte epideminë e koronavirusit. Në një dalje për mediat, Biden deklaroi se, Amerika do të ringrihej edhe më e fuqishme se më parë.

Kontestimi i rezultatit nga presidenti në detyrë dhe refuzimi i tij për të lëshuar postin do të shënonin një historik të paprecedent në Shtetet e Bashkuara. Kurrë më parë nuk ishte verifikuar një situatë e tillë, që binte ndesh me traditat demokratike të Amerikës. Shumë shpejt, Trump do të niste paditë ligjore për të kërkuar rinumërimin në disa shtete, ndërsa Biden do të merrte telefonatat e urimit nga liderët e vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara dhe do të shtonte daljet në media, gjë që reflektonte rrugën e pashmangshme të tij drejt pushtetit.

Në daljen e radhës, teksa shtete të ndryshme shqyrtonin pretendimet e Trump, Biden do të premtonte rikthimin e Amerikës tek vlerat e saj dhe tek influenca e saj në rang global. Me pak fjalë, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqnin botën sërish. Nga ana tjetër, zyrtarët në secilin nga 50 shtetet e Amerikës deklaronin se nuk kishte prova për shkelje sistematike, apo parregullësi gjatë proceseve të votimit dhe numërimit. Madje, vetë prokurori i përgjithshëm William Barr, i zgjedhur nga Trump, do të konfirmonte deklaratat e tyre, duke bërë që pretendimet e kreut të shtetit të rezultonin gjithnjë e më false. Në këtë situatë, Biden do të deklaronte se, qëndrimi i Trump për të mos lëshuar presidencën ishte një turp për vendin. Në deklaratën e radhës për mediat, ai tha se do të priste deri më 20 janar, dita kur merr detyrën, për të parë se si do të shkonin gjërat.

Stafi elektoral i Trump dhe ekipi i tij ligjor do të vijonin betejën e tyre për të përmbysur rezultatin. Në sy do të binte deklarata e avokatit personal të presidentit në detyrë, Rudy Giuliani, i cili do të fliste për një seri teorish konspirative për të hedhur dyshime mbi rezultatin. Gjatë deklaratës, ai do të djersiste aq shumë, saqë do t’i dilte edhe boja e flokëve, e cila i përshkoi fytyrën. Shumë media amerikane do ta vinin atë në lojë, duke shkruar se “Gënjeshtrave u del boja”, apo “Shkëlqimi dhe rënia e Rudy Giuliani-t”, duke kujtuar të kaluarën e tij të lavdishme si prokuror dhe më pas si kryetar bashkie i Nju Jorkut dhe duke e krahasuar atë me rënien në nivelin e teorive të komplotit.

Një tjetër goditje për Trump do të vinte në fillim të dhjetorit nga Gjykata Supreme e Drejtësisë, që hidhte gjithashtu poshtë përpjekjet e tij për të ndryshuar rezultatin, këtë herë në shtetin e Teksasit. Vendimi i gjykatës ishte një goditje e rëndë nisur nga fakti se institucioni drejtohej tashmë nga gjyqtarja Amy Conney Barret, e zgjedhur nga Trump pak javë përpara zgjedhjeve. Por as kjo nuk do ta ndalonte presidentin në detyrë dhe as do t’i jepte fund kontestit elektoral. Pak ditë nga vendimi i Supremes, mbështetës të tij do të dilnin në rrugët e Uashingtonit për të kërkuar fitoren. Nuk do të vononte dhe ata do të përlesheshin me një grup kundërshtarësh të Trump, trazira që do të linin pas 4 të plagosur me armë të ftohta dhe 23 të arrestuar.

Gjërat do të shkonin në favor të Biden pak ditë më vonë, kur ai do të shpallej zyrtarisht presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara, pas verdiktit të dhënë nga anëtarët e Kolegjit Elektoral, të cilët miratuan rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ky Moment do të merrte një rëndësi të veçantë. Në fjalën e tij të parë si president zyrtar, Biden iu drejtua kombit duke u shprehur se demokracia u vu në provë, por në fund të fundit triumfoi. Ndërkohë, goditjet për Trump do të ishin të njëpasnjëshme dhe do të vinin nga njerëzit e besuar të tij. Kështu, ndërsa Biden u shpall zyrtarisht president, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr do të braktiste postin për shkak se qëndrimi i tij mbi zgjedhjet binte ndesh me atë të kreut në detyrë të shtetit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë që në një postim në Twitter shkroi se kishte pranuar dorëheqjen e kryeprokurorit. Mandati pritej të përfundonte në 20 Janar, datë kur edhe Trump duhet të dorëzojë detyrën dhe kur është ceremonia e betimit e Presidenti Biden. Një tjetër goditje për Trump do të ishte braktisja e tij nga kreu i grupit republikan në Senatin amerikan, Mitch McConnell, i cili pas Kolegjit do të njihte Biden si president. Në reagimin e tij, McConnell njoftoi se njihtte fitoren e demokratëve në kontestin elektoral për Shtëpinë e Bardhë. “Sot dua të uroj presidentin e zgjedhur Joe Biden, i cili ka qenë një shërbëtor i përkushtuar i shtetit për shumë vite”, deklaroi McConnell.

Vetë Biden, rruga e të cilit drejt pushtetit duket e padiskutueshme, ka deklaruar disa herë se me të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë do të punojë për të shëruar plagët e Amerikës, nga racizmi e deri tek ndasitë e thella shoqërore e politike. Por a do të mund ta nisë ai misionin, në një kohë kur Trump vijon me kokëfortësinë e tij të kundërshtojë rezultatin? A do të ketë një tranzicion të lehtë të pushteteve në Uashington? Kjo mbetet për t’u parë deri më 20 janar, kur dhe parashikohet që ai të marrë zyrtarisht detyrën. /Euronews Albania/

SHKARKO APP