Vizitë e vështirë, Scholz takohet me Erdogan

Kancelari Scholz po qëndron për një vizitë në Turqi. Ka shumë për të folur mes kancelarit gjerman e presidentit turk – por edhe interesa të ndryshme. Temat kryesore janë lufta në Ukrainë, migracioni, situata në rajon. E tensionuar dhe e rënduar apo me besim dhe e fortë? 100 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë dhe Turqisë, është pothuajse e pamundur të përmblidhen kaq shkurt marrëdhëniet mes dy vendeve. Nëse e pyet studiuesin e shkencave politike, Jens Bastian nga Qendra për Studime të Aplikuara Turke CATS, ai flet për “hijezime të shumta” që formësojnë marrëdhëniet gjermano-turke. “Nuk mund të përshkruhet marrëdhënia vetëm në nivelin e elitave qeveritare në Ankara dhe Berlin. Komuniteti turk në Gjermani është një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, qofshin ato politike, ekonomike, kulturore apo sportive,” analizon Bastian për DW.

Gjermania është konsideruar prej vitesh partneri më i rëndësishëm tregtar i Turqisë dhe investitori i huaj më i rëndësishëm në këtë vend. Më shumë se tre milionë njerëz me prejardhje turke jetojnë në Gjermani. “Shoqatat e biznesit dhe kompanitë individuale mbeten të angazhuara, shkëmbimi politik lokal në kuadër të partneriteteve të qytetit po funksionon,” thotë Bastian.

Tone pakënaqësie në nivelin më të lartë politik

Krejtësisht ndryshe është situata në nivel qeveritar. Hedhim vështrimin pas: Në fillim të korrikut 2024, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ul në tribunat e Kampionatit Evropian të Futbollit në Berlin për një mbrëmje. Kancelari Olaf Scholz nuk u duk. Kjo ndoshta edhe sepse qëndrimi i tij ishte pikërisht në kohën e një skandali diplomatik. Një lojtar i kombëtares turke tregoi “përshëndetjen e nacionalistëve turq” në fushë, simbolin identifikues të “lëvizjes Ülkücü”, lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë. Krahu politik i lëvizjes, MHP, jo vetëm që ulet në parlamentin turk, por është gjithashtu një partner aleance i AKP-së së Presidentit Erdogan.

Qëndrime të ndryshme, sidomos në lidhje me Izraelin

Disa politikanë gjermanë reaguan të indinjuar pas përshëndetjes nacionaliste. U thirrën ambasadorët, Turqia e akuzoi Gjermaninë për ksenofobi. Erdogan spontanisht fluturoi drejt Berlinit për të treguar praninë e tij në ndeshjen e radhës të skuadrës turke. Por probleme kishte edhe më parë. Gjatë vizitës së tij tek kancelari gjerman – vetëm pak javë pas sulmit të 7 tetorit, dita kur organizata terroriste e Hamasit sulmoi Izraelin – Erdogan haptas mori një qëndrim kundër Izraelit. Ai e kishte akuzuar më parë këtë vend për “fashizëm” dhe “krime lufte”.

Lindja e Mesme mbetet temë kontroverse

Olaf Scholz duhej të dëgjonte të ftuarin e tij si e përshkruante Hamasin si një “organizatë çlirimtare” dhe ta përcaktonte Gjermaninë se kishte një “psikologji faji” ndaj Izraelit. Scholz qëndroi i qetë. Shumë i qetë, siç e gjykuan më vonë kritikët. “Nuk është sekret që ne kemi këndvështrime të ndryshme, ndonjëherë shumë të ndryshme për konfliktin aktual”, u përgjigj kancelari. Prandaj duhet të flasim. “Sidomos në momente të vështira, ne duhet të flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.”

Gjermania dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën

Të dy krerët e qeverive takohen të shtunën (19 tetor) në Stamboll. Politologja Hürcan Asli Aksoy është e bindur se ka shumë për të folur. “Megjithë qëndrimet kundërshtuese në konfliktin e Lindjes së Mesme, ka interesa të përbashkëta mes Ankarasë dhe Berlinit në shumë fusha të tjera”, analizon drejtuesja e CATS pyetur nga DW. “Në fund të fundit, të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën – politikisht, ekonomikisht dhe nga ana sociale”.

Një zëdhënës i qeverisë federale përmend migrimin, luftën në Ukrainë dhe çështjet e politikës ekonomike si tema qendrore në tryezë të bisedimeve. Turqia luajti një rol të rëndësishëm në mundësimin e furnizimeve me grurë nga Ukraina në tregun botëror nëpërmjet Detit të Zi. Për javë të tëra flitet për krijimin e një grupi kontakti ndërkombëtar për të kërkuar mënyra për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Aty do të jetë edhe Turqia.

Nga ana tjetër qeveria federale ka theksuar vazhdimisht, se Turqia duhet të përfshihet në politikën evropiane të sanksioneve kundër Rusisë. Eksperti Jens Bastian gjithashtu mendon se kjo është e rëndësishme. “Ky kushtëzim duhet gjithashtu të trajtohet qartë nga kancelari Scholz nëse presidenti Erdogan synon të modernizojë bashkimin doganor midis BE-së dhe Turqisë.”

Marrëveshje azili Berlin-Ankara?

Kur bëhet fjalë për migracionin, Scholz me siguri do të adresojë pyetjen se si mund të kthehen në Turqi më shumë azilkërkues turq të refuzuar. Kur bëhet fjalë për vendet e origjinës së azilkërkuesve, Turqia renditet e treta pas Sirisë dhe Afganistanit. Shumica e refuzimeve prekin kurdët, thotë studiuesja, Hürcan Asli Aksoy. “Flitet për një marrëveshje azili midis Berlinit dhe Ankarasë. Deri në 500 njerëz që kërkojnë mbrojtje mund të kthehen në javë.” Megjithatë, nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë nga pala turke. Ministrja e Brendshme Federale Nancy Faeser tha së fundmi mbi kthimet nga Gjermania se: “Ne po punojmë për këtë dhe jam e sigurt se do të jemi në gjendje të raportojmë suksese atje në javët e ardhshme.”

Sipas politologut, Jens Bastian marrëveshja për refugjatët që BE-ja përfundoi me Ankaranë në mars 2016 nuk do të luajë më një rol të madh në të ardhmen. Në thelb, sipas saj, azilkërkuesit që mbërritën në Greqi në mënyrë të parregullt përmes Turqisë mund të ktheheshin në Turqi. BE-ja i ka paguar tani Ankarasë pothuajse dhjetë miliardë euro për t’u kujdesur për refugjatët në Turqi. Aty jetojnë 3.6 milionë refugjatë sirianë. Shifrat aktualisht kanë rënë në kufirin grek, shenjë, se Greqia dhe Turqia bashkëpunojnë në këtë drejtim, sipas Bastian.

Turqia do të blejë Eurofighter

Një temë që sigurisht do të luajë një rol në takimin mes Scholz dhe Erdogan është eksporti i armëve. Turqia dëshiron të modernizojë forcat e saj ajrore me 40 avionë luftarakë Eurofighter. Meqenëse ato prodhohen nga Gjermania, Spanja, Britania e Madhe dhe Italia, të katër vendet duhet të bien dakord për blerjen e tyre. Deri tani vetëm Spanja dhe Britania e Madhe kanë dhënë dritën jeshile.

“Aleati ynë i NATO-s, Gjermania, sigurisht që duhet të ndërmarrë gjithashtu hapa vendimtarë përpara, për shembull kur flasim për armatimet, industrinë dhe eksportet”, tha Erdogan në Berlin në fund të vitit 2023. “Kjo duhet të jetë e mundur pa pengesa.” Por Scholz e refuzoi këtë.

Eksportet gjermane të armëve në Turqi u kufizuan ndjeshëm në vitin 2019 pas ofensivës ushtarake turke në Sirinë veriore. Ndërkohë, qeveria gjermane ka devijuar nga kursi i saj mjaft kufizues. Revista e njohur “Spiegel” raporton se dërgesat e armëve me vlerë të paktën 236 milionë euro janë miratuar në shtator 2024. Politologja, Hürcan Asli Aksoy mendon, se Gjermania tani do të japë dritën jeshile edhe për Eurofighter. “Tani të dyja qeveritë duket se janë afruar më shumë për shumë çështje të politikës së armëve, në mënyrë që Turqia të marrë avionët luftarakë evropianë.”/DW/

SHKARKO APP