VOA: Kur përfundon vërtet lufta në Afganistan
Ndërkohë që tërheqja e trupave amerikane vazhdon, lindin pyetje për të ardhmen: Kur mund të thuhet vërtetë se lufta në Afganistan ka marrë fund?
Për afganët, përgjigja është e qartë dhe e zymtë: nuk pritet të ndodhë së shpejti. Kryengritja e intensifikuar e Talibanëve dhe ngecja e bisedimeve të paqes e mbështesin këtë konkluzion. Disa shqetësohen se pas largimit të forcave të huaja, Afganistani do të zhytet në luftë civile. Kërcënimi nga Shteti Islamik, megjithëse tashmë një rrjet i dobësuar, nuk është zhdukur.
Për SHBA dhe partnerët e tyre në koalicion, synimi përfundimtar duket i paqartë. Megjithëse të gjitha trupat dhe materialet luftarake do të tërhiqen së shpejti, Gjenerali i Komandës Qendrore Amerikane, Frank McKenzie, do të ketë deri në shtator autoritetin për të mbrojtur forcat afgane nga Talibanët. Ai ka autoritetin të urdhërojë goditje ajrore amerikane nga baza jashtë Afganistanit, sipas zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të cilët folën për hollësi të planeve ushtarake me kusht që të mos identifikoheshin me emër.
Një vështrim mbi fundin e pritshëm të luftës:
Si do të evolojë misioni luftarak?
Teknikisht forcat amerikane nuk janë angazhuar në operacione tokësore në Afganistan që nga 2014. Megjithatë njësi anti-terrorizmit kanë kryer operacione kundër ekstremistëve ndër të tjera edhe me avionë të dislokuar në Afganistan. Këto avionë tashmë janë nxjerrë nga Afganistani dhe operacionet ajrore si dhe mbështetja logjistike për forcat afgane do të zhvillohet nga baza jashtë vendit.
Brenda Afganistanit, trupat amerikane nuk do të zhvillojnë më funksione stërvitore apo konsulente për forcat afgane. Një kontigjent me 650 ushtarë amerikanë — më i madh se zakonisht – i dislokuar në kompleksin e ambasadës amerikane në Kabul, do të mbrojë diplomatët amerikanë dhe mund të shërbejë për mbrojtjen e aeroportit të Kabulit. Turqia pritet të vazhdojë misionin e saj për mbrojtje në aeroport, por Gjenerali McKenzie do të ketë autoritetin të mbajë deri në 300 ushtarë të tjerë për të ndihmuar misionin deri në shtator.
Ka gjasa që ushtrisë amerikane t’i kërkohet ndihmë për evakuimet masive të afganëve që kanë kërkuar viza imigracioni, megjithëse këto operacione mund të përballohen edhe nga Departamenti i Shtetit, pa nevojën e avionëve ushtarakë. Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësim për fatin e afganëve që bashkëpunuan me amerikanët gjatë dy dekadave të fundit dhe që mund të bëhen objekt sulmesh hakmarrëse nga Talibanët.
Kur deklaroi planet për tërheqjen e trupave amerikane në prill, Presidenti Biden i dha Pentagonit afat deri më 11 shtator për ta përfunduar tërheqjen.
Gjenerali Scott Miller, komandant i operacioneve amerikane në Kabul thotë se thuajse e ka përfunduar tërheqjen pasi pjesa dërrmuese e pajisjeve janë zhvendosur dhe mbetet vetëm një kontigjent i vogël me trupa.
Si përfundojnë luftrat
Ndryshe nga Afganistani, disa luftra kanë përfunduar me ceremoni festive. Lufta I Botërore përfundoi pasi Gjermania pranoi disfatë dhe nënshkroi marrëveshjen për paqe më 11 nëntor 1918 që kujtohet sot e kësaj dite si arritja e Traktatit të Versajës.
Përfundimi i Luftës II Botërore u shënua me kapitullimin fillimisht të Gjermanisë dhe disa muaj më pas të Japonisë, pasi SHBA hodhën dy bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Në Kore, armpushimi u nënshkrua në korrik 1953 duke shënuar ndaljen e luftimeve, megjithëse teknikisht lufta vetëm u pezullua pasi nuk u nënshkrua një traktat për paqe.
Në raste të tjera, përfundimi i konfliktit ka qenë më i paqartë. SHBA u tërhoqën nga Vjetnami në 1973, pas një ndërhyrjeje që nga shumë u konsiderua si luftë e dështuar. Regjimi i Sajgonit ra dy vjet më pas.
Kur trupat amerikane u larguan nga Iraku në 2011, u zhvillua një ceremoni për të shënuar fundin e ndërhyrjes amerikane. Por tre vjet më pas trupat amerikane u rikthyen për të mbështetur ushtrinë irakiane në betejën me ekstremistët e Shtetit Islamik.
Fitore apo Disfatë?
Megjithëse pranisë amerikane në Afganistan po i vjen fundit, nuk do të ketë nënshkrim të një traktati paqeje dhe nuk do të ketë deklarim fitoreje. Presidenti Biden tha se mjafton që forcat amerikane shkatërruan al-Qaiden dhe vranë Osama bin Ladenin, organizator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Kohët e fundit dhuna në Afganistan është intensifikuar. Sulmet e Talibanëve ndaj civilëve dhe forcave afgane janë shtuar dhe tani ky grup kontrollon më shumë se 100 distrikte. Udhëheqësit e Pentagonit kanë thënë se ka një rrezik “të mesëm” që qeveria afgane dhe forcat e saj të sigurisë të bien brenda dy vjetësh, në mos më herët.
Udhëheqësit amerikanë këmbëngulin se e vetmja rrugë drejt paqes është përmes negociimit të një marrëveshjeje për paqe. Administrata Trump nënshkroi një marrëveshje me Talibanët në shkurt 2020 pas premtimeve të këtij grupi se nuk do të lejonte që Afganistani të bëhej skenë për organizimin e sulmeve kundër SHBA. Zyrtarët amerikanë thonë se Talibanët nuk po i përmbahen premtimit.
Misioni i NATO-s
Misioni i Mbështetjes së Vendosur të NATO-s për të stërvitur, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane të sigurisë filloi në 2015, kur misioni luftarak i udhëhequr nga SH.B.A. u shpall i përfunduar. Në atë moment, afganët morën përgjegjësinë e plotë për sigurinë e vendit, megjithatë ata ishin të varur tek mbështetja financiare amerikane prej miliarda dollarësh në vit.
Në kulmin e luftës, në Afganistan kishte më shumë se 130,000 trupa nga 50 vende të NATO-s dhe vende partnere. Ky kontigjent u zvogëlua në rreth 10,000 trupa nga 36 vende për misionin e Mbështetjes së Vendosur dhe aktualisht shumica e vendeve kanë tërhequr trupat e tyre.
Disa mund ta shohin luftën drejt përfundimit kur misioni i NATO-s të deklarohet i përfunduar. Por kjo mund të mos ndodhë për muaj të tërë.
Sipas zyrtarëve, Turqia po negocion një marrëveshje të re dypalëshe me udhëheqësit afganë në mënyrë që të qëndrojë në aeroport për të garantuar sigurinë. Derisa të finalizohet ajo marrëveshje, trupat turke që ndodhen në Afganistan janë nën autoritetin e misionit Mbështetje e Vendosur.
Misioni anti-terrorist
Tërheqja e trupave amerikane nuk do të thotë përfundimi i luftës kundër terrorizmit. Sh.B.A e ka bërë të qartë se ruan autoritetin për të kryer sulme kundër al-Qaidës ose grupeve të tjera terroriste në Afganistan nëse ato kërcënojnë Shtetet e Bashkuara.
Për shkak se Pentagoni ka tërhequr avionët e tij luftarakë dhe vrojtues nga Afganistani, tani trupat amerikane mbështeten tek dronë pa ekuipazh apo avionë që nisen në fluturime me kryeqëzorët në det dhe bazat ajrore në rajonin e Gjirit Persik, të tilla si baza ajrore al-Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pentagoni po kërkon baza të tjera për avionët e survejimit dhe operacione nga vende më afër Afganistanit. Deri më tani, asnjë marrëveshje nuk është arritur./VOA