Von der Leyen: 37 miliardë euro për të mbrojtur ekonomitë e BE-së nga koronavirusi
Komisioni Evropian thotë se do të krijojë një fond investimi prej 37 miliardë eurosh (41 miliardë dollarë) dhe do të lejojë “fleksibilitetin maksimal” në ndihmën shtetërore dhe rregullat fiskale për të ndihmuar shtetet anëtare të kushtojnë ekonominë e goditur nga shpërthimi i koronavirusit.
“Jam e bindur që Bashkimi Evropian mund t’i rezistojë kësaj tronditjeje … Por çdo shtet anëtar duhet të marrë përsipër plotësisht përgjegjësitë e tij dhe Bashkimi Evropian në tërësi duhet të jetë i vendosur, i koordinuar dhe i bashkuar”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se buxheti i BE do të garantojë 8 miliardë euro likuiditet për kompanitë e vogla dhe të mesme të prekura nga kriza.
“Shtetet anëtare duhet të inkurajohen të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë e tyre,” tha Von der Leyen të premten gjatë një konference shtypi.
“Pandemia e koronavirusit po na teston të gjithëve, dhe mbi të gjitha, njerëzit,” tha ajo.
“Virusi nuk është vetëm i rrezikshëm për shëndetin tonë, por po godet edhe ekonomitë tona. Është një tronditje e madhe për ekonominë globale dhe evropiane. Ne duhet të ndërmarrim një veprim vendimtar dhe të guximshëm tani, në të gjitha nivelet. ”
Tregjet në Evropë reaguan pozitivisht nga njoftimet e mëdha të mbështetjes financiare, veçanërisht nga Gjermania dhe Franca.
Dy ekonomitë më të mëdha të BE-së premtuan qindra miliarda dollarë – dhe më shumë nëse është e nevojshme – si garanci për të mbrojtur individët dhe bizneset e vogla nga dëmtimi ekonomik i pandemisë.
Presidentja e Komisionit Europian kundërshtoi gjithashtu mbylljen e kufijve, masë që disa vende e kanë marrë për të luftuar kundër pandemisë.
“Ndalimet e përhapura të udhëtimit nuk konsiderohen shumë efektive nga Organizata Botërore e Shëndetit,” tha presidentja e Komisionit, duke u shprehur në favor të kontrolleve shëndetësore.