Votë masive, por simbolike në OKB në favor të anëtarësimit të Palestinës për shkak të vetos amerikane

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë për t’u dhënë palestinezëve “më shumë të drejta dhe privilegje” dhe në të cilën bëhet thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë në mënyrë të favorshme kërkesën e Autoritetit Palestinez për të qenë anëtare me të drejta të plota ne OKB.

Në Asambelenë prej 193 anëtarësh, rezoluta u miratua me 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime. Shtetet e Bashkuara ishin mes 9 vendeve që votuan kundër, bashkë me Izraelin. Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood e bëri të qartë të enjten se administrata e zotit Biden është kundër rezolutës së Asamblesë.

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të “jenë të angazhuara për paqe” dhe Këshilli i Sigurimit duhet t’ia rekomandojë pranimin e tyre Asamblesë së Përgjitshme e cila bën miratimin përfundimtar. Territoret palestineze morën statusin e shtet vëzhgues, jo-anëtar të OKB-së, në vitin 2012.

SHKARKO APP