Vrasja e 33 ushtarëve, zbardhet telefonata mes Trump dhe Erdogan
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan pas bisedës telefonike të zhvilluar mes tyre, janë të bindur se duhen marrë të gjithë masat e nevojshme për zgjidhjen e situatës.
Vrasja e 33 ushtarëve turq ditën e enjte, ka sjellë reagime të menjëhershme nga shteti turk dhe rus të cilët nuk kanë nguruar të akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin më të rëndë kundër ushtrisë turke ne 30 vitet e fundit.
Vetëm pak orë më parë në një deklaratë për medien ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi për një bisedë të zhvilluar mes presidentit turk dhe atij rus, në përfundim të së cilës u vendos që të vazhdohet me koordinimin e mëtejshëm të forcave ruso-turke deri sa të kemi stabilizimin e plotë të situatës në Idlib. Ndërkohë që përfaqësues të BE-së dhe të NATO-s u kanë bërë thirrje palëve për të hequr dorë nga situata e tensionuar në vend.
Përmes një postimi në Twitter, Drejtori i Komunikimit në presidencën turke, Fahrettin Altun, tha se Rusia dhe Irani, që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Asad, do të humbasin të gjithë besueshmërinë, nëse nuk ndalojnë armiqësitë në rajonin e Idlibit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat turke, të cilët u shënjestruan nga trupat siriane ishin midis “terroristëve”. Rusia tha se po dërgonte dy anije luftarake të pajisura me raketa në Detin Mesdhe, drejt bregdetit sirian.
Franca gjithashtu tha se “dënon me vendosmërinë më të lartë bombardimet intensive nga aviacioni i regjimit sirian dhe aleatëve të tij, veçanërisht Rusia”, duke përmendur një katastrofë humanitare të shkaktuar nga sulmet.