Vrasja e Shinzo Abe, mamaja e autorit dhe kisha
Bota politike është tronditur nga vrasja e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti sot në Tokio, në një vizitë të shkurtër dhe urgjente, për t’i shprehur ngushëllimet personale Japonisë për ngjarjen e rëndë.
“Presidenti Biden më kërkoi personalisht në emër të presidentit, në emër të popullit amerikan të shpreh ngushëllimet tona për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Abe”, tha Blinken.
Por shkaku i vrasjes, nuk është aq sipërfaqësor. Mamaja e 41-vjeçarit të arrestuar për krimin, ishte anëtare e Kishës së Unifikimit. Sipas mediave japoneze, të cilat citojnë burime nga grupi hetimor, Yamagami besonte se Abe kishte promovuar grupimin fetar, në të cilin mamaja e tij kishte bërë një donacion të madh parash. Yamagami u ka thënë hetuesve se mamaja e tij kishte falimentuar për shkak të donacionit.
Kreu i degës japoneze të Kishës së Unifikimit, Tomihiro Tanaka, u tha gazetarëve se mamaja e Yamagamit ishte anëtare e kishës, por nuk pranoi të komentonte mbi paratë që ajo kishte dhuruar. Kisha e Unifikimit është themeluar në vitin 1954 në Korenë e Jugut, e më pas është përhapur në disa shtete aziatike.