Xhamia shqiptare në Zvicer shet një libër që bën thirrje për vrasje të jobesimtarëve dhe dhunë ndaj grave
Në lagjen Seebach të Cyrih gjendet një xhami që e quan veten “shqiptare”. Dhe kjo xhami, siç njoftojnë mediat zvicerane, ka një dyqan online, ku mund të blihet një libër i përkthyer nga turqishtja në gjermanisht dhe në të cilin ka paragrafe skandaloze. Në profilin e saj në facebook “xhamia shqiptare” në Seebach të Cyrihut njofton se e ka filluar veprimtarinë në vitin 2002 dhe “hapet në 5 kohët e namazit me imam të rregullt”.
Udhëheqësit e kësaj xhamie nga “Fondacioni i rinisë islame” lavdërohen po ashtu se në kuadër të xhamisë e mbajnë dyqanin më të madh online me “prodhime islame”. Ky dyqan shet çaj dhe “ujë zemzemi”, mjaltë, parfuma e “shampona”, sexhade e tespih. Por kjo nuk është e tëra. Ky dyqan online i “xhamisë shqiptare” në Seebach të Cyrihut shet edhe libra, mes tyre edhe një “ilmihall për gra”, një doracak për gruan myslimane.
Libri me titullin “Ilmihal für Frauen” është përkthyer nga turqishtja në gjermanisht dhe botuar nga një shtëpi botuese turke me emrin “Uysal-Verlag”. Në këtë “vepër” theksohet se kush e fyen profetin Muhamed apo flet keq kundër fesë së tij, “duhet të vritet”. Detaje nga ky libër kanë botuar të enjten mediat zvicerane.
Themeluesi i “Fondacionit të rinisë islame” të cilin mediat e prezantojnë me emrin e ndryshuar Bashkim K. ka deklaruar se e ka të pamundur të jetë i informuar për përmbajtjen e të gjitha librave. Ai nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim të mediave mbi pjesët problematike në libër. Tani në webfaqen e dyqanit online shkruan se “ilmihalli për gra” është shitur. Përveç thirrjes për vrasje në “ilmihallin për gra” kritikohet feminizmi, i cili e “shfemëron” gruan. Por doracaku shkon më tutje: aty thuhet se burri ka të drejtë ta “edukojë” gruan “duke e rrahur lehtë” nëse ajo “kundër vullnetit të burrit fton burra të tjerë në shtëpi”, “e harxhon pasurinë e përbashkët me burra të tjerë” dhe “injoron obligimet fetare”.
Doracaku thekson se janë të ndaluara goditjet në kokë, në fytyrë, në gjoks apo në bark si dhe thyerja e eshtrave dhe lëndimet vdekjeprurëse. “Në trup nuk bën të mbesn shenja apo gjurmë të goditjeve. Qëllimi parësor i këtyre masave është ushtrimi i presionit pskik ndaj gruas për të ndikuar në sjelljen e mirë të saj”.