Zaev: Menduh Thaçi besnik i policisë sekrete maqedonase

 

Liderët politike shqiptare në Maqedoni janë nën kontrollin e plotë të qeverisë se kryeministrit Nikolla Gruevski. Deklaratën e ka bërë Zoran Zaev, lideri i Partisë më të madhe opozitare në vend në një intervistë ekskluzive për A1 Report dhënë gazetares Erjona Rusi.
 
Zaev shprehet se disponon përgjime që tregojnë për bashkëpunimin e kreut te Partise Demokrate Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi me policinë sekrete të Maqedonisë. Sipas tij, Thaçi i ka premtuar besnikëri deri ne vdekje policisë sekrete maqedonase.

Vetë publikimet e dëshmive tregojnë se kryetari i partisë më të madhe shqiptare në opozitë, PDSH e cila shoh se në brendësi po pëson ndryshime është e përfshirë në bashkëpunim të fshehtë me shefin e policisë sekrete, i cili është kryesuesi i më shumë zhvillimeve në Maqedoni. Pra ai, për interesat e tij personale është mbështetës i politikave të VMRO DPMNE-së. Është e habitshme se si ai i thotë në telefon shefit të policisë sekrete “Shef jam besnik ndaj teje deri në vdekje”. Njëkohësisht PDSH ka dëshmuar se nuk është opozitë , por pjesë e kabinetit të presidentit të shtetit me propozim të VMRO DPMNE-së, pasi bashkëpunon në shumë projekte të përbashkëta me partinë e Gruevskit. Dhe kjo është një e vërtetë absolute, këtë e dinë të gjithë. BDI është parti e cila direkt merr pjesë në pushtetin ekzekutiv dhe bashkëqeveris edhe pse deputetët e kësaj partie kanë fituar mandatin në mënyrë të paligjshme. Kështu që në Republikën e Maqedonisë nuk ka opozitë në parlament.”- u shpreh Zoran Zaev.

Ndërkaq Zaev tha se përgjimet tregojnë se njerëz të afërt me liderët politike shqiptare, drejtues të posteve shtetërore janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe këtë do ta tregojë me publikimin e përgjimeve të radhës. Sipas tij, është e vështirë të vërtetohet nëse BDI është përfshirë në aktivitete kriminale pasi drejtuesit e saj janë treguar tepër të kujdesshëm duke e ditur që ishin nën përgjim.
 
“Atë që mund ta them me siguri është se deri tani nuk kam dëshmi se nëse Ali Ahmeti, Menduh Thaçi apo Rufi Osmani në formë të drejtëpërdrejtë janë përfshirë në krim, por njerëzit e afërt të tyrë të cilët kanë bartur funksione të larta shtetërore po, dhe këto dëshmi do ti publikojmë. Përgjigja pse rreth BDI-së ka shumë pak aktivitete që lidhen me krimin, është se kemi shumë pak dëshmi, dhe jo se s’ka kriminalitet . Pra zyrtarët e BDI-së e kanë ditur se janë të përgjuar , në 80 % të bisedave bëhet fjalë për caktimin e takimeve sy më sy, madje në më shumë raste bëjnë dhe batuta se “na dëgjon ai tjetri dhe përmes telefonit nuk flasim dot” . Kjo i ka bërë të jenë më të kujdesshëm megjithëse kanë lënë gjurmë që lidhen me krimet financiare.”- tha Zaev.

Ai njoftoi se nga data 5-10 maj do te publikoje “bombën” e radhës me përgjime për liderët shqiptarë. Zaev konfirmoi se disponon përgjime ku janë përfshire politikanë në Tiranë apo Prishtinë, por se nuk do të bëhen publike pasi nuk dëshiron të cënojë integritetin e vendeve fqinje.

Ka biseda të cilat përfshijnë menaxhimin e situatës që tek ne njihet si kriza e Kosovës me eksportin dhe importin e miellit kur ndodhi dhe bllokimi i kufirit. Kemi dhe biseda ku janë të përfshirë zyrtarë të nivelit më të lartë të Shqipërisë për tema politike, gjatë bisedave me liderët e partive shqiptare dhe unë do të komentoja vetëm deri në këtë pikë sepse në të kundërtën rrezikoj të ndërhyj në integritetin e vendeve fqinje të cilat për ne janë vende mike dhe në asnjë mënyrë qëllimi ynë nuk është ky.

Zaev komentoi edhe sulmin e dy javëve më parë në fshatin Goshincë në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë duke u shprehur se ka informacione që bëhet fjalë për një organizim nga individë të caktuar të pushtetit.
 
Kemi indicje se këto sulme janë bërë nga ana e individëve të caktuar të pushtetit, të cilët dëshirojnë të keqpërdorin përbërjen multietnike të shtetit, të shkaktojnë tensione ndëretnike. Por më e mira në këtë situatëështë se populli nuk do ta lejojë realizimin e një skenari të tillë. Por për një gjë jam i sigurt, bëhet fjalë për një grup banditësh, individë të caktuar kriminalë, të cilët janë të pranishëm edhe në palën shqiptare edhe atë maqedonase, nuk mund të them me saktësi se organizatorë të kësaj ngjarje janë shqiptarë apo maqedonas por bëhet fjalë për banditë , të cilët nuk përfaqësojnë një etnitet të caktuar e aq më pak janë shëmbëlltyrë e qytetarëve të Maqedonisë.”- Zaev.

Sa i përket rastit Monstra ku mbetën të vrarë 5 maqedonas në vitin 2012, ngjarje për të cilën u dënuan 6 shqiptare, Zaev tha se disponon përgjime që do të mund të hedhin dritë mbi të vërtetën të cilat do të publikohen së shpejti. Lideri i opozitës Zoran Zaev tha gjatë intervistës se protesta e parë masive për largimin e kryeministrit Gruevski do të mbahet më 17 maj. Ndërsa I pyetur mbi bashkimin e mundshëm të Kosovës me Shqipërinë Zaev u përgjigj:

Nuk jam idhtar i ndryshimit të kufijve askund në botë. Këtu bëhet fjalë për deklarata të përshpejtuara. Synimi ynë është që të bëhemi pjesë e BE-së ku nuk ka kufij dhe në formë natyrale do të vendoset një bashkëpunim në të gjitha nivelet. Pse mos t'u kushtojmë më shumë kujdes deklaratave të tilla, dhe njëherësh të mos kontribuojmë në hapjen e temave të panevojshme.”- tha  Zaev.

Lideri i LSDM-së foli edhe për bllokimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni duke njoftuar se disponon përgjime që tregojnë pse dhe kush e ka ndërprerë këtë proces. Sipas tij të dyja partitë në pushtet kanë tentuar të rrisin artificialisht numrin e popullsisë maqedonase dhe asaj shqiptare. I pyetur nëse angazhohet për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Zaev tha se vizioni i tij është që të garantojë të drejtat njësoj për të gjithë qytetaret qofshin shqiptarë apo maqedonas, apo edhe të etnive të tjera.
 
 

SHKARKO APP