Zbardhet identiteti i marinsit që vrau Bin Laden
Bëhet fjalë për Rob O’Neill, 38 vjeç, i cili ka marrë pjesë në qindra misione në Afganistan e Irak dhe është kthyer në shtëpi me shumë medalje vlerësimi.
Që ishte pikërisht ai njeriu, i cili shkrepi armën duke vrarë në vend Bin Laden, këtë e pohoi i ati për “Daily Mail”. Lëvizja e tij nxori jashtë loje scoop-in e “Fox News”, që kishte realizuar një intervistë të gjatë me protagonistin e misionit historik dhe po përgatitej ta zbulonte këtë fakt gjatë transmetimit të saj në datat 10 dhe 11 nëntor.
Në intervistën ekskluzive për tabloidin britanik, babai i Rob, Tom O’Neill i përgjigjet kështu pyetjes, nëse ka frikë se ISIS mund të hakmerret tani që djali i tij do të dalë në publik.
“Unë u them atyre se do të vizatoj një shenjë dalluese në derën e shtëpisë sime dhe t’u them “ejani”. Bashkëshortja ime solli në jetë një burrë. Ne nuk duhet të fshihemi nga frika”, ka thënë Tom Oneill.
Rob O‘Neill, i përshkruar nga i ati si një njeri familjar, ka kryer mbi 400 misione luftarake, ka vrarë mbi 30 objektiva dhe është një nga komandot më të dekoruar ndonjëherë të njësisë elitë Navy Seal.
Ai është dekoruar plot 52 herë, ku mes medaljeve të marra spikasin 2 Yje Argjendi, 4 Yje Bronzi me Vlerë, Medalje Lavdërimi me Vlerë nga Shtabi i Përgjithshëm, 3 lavdërime nga Shtëpia e Bardhë dhe një tjetër Lavdërim me vlerë nga Trupa e Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Disa nga misionet e tij janë pasqyruar edhe në filma, si në “Zero Dark Thirty”, filmi që tregon misionin për vrasjen e Bin Laden, “Lone Survivor”, me Mark Whalberg, si dhe “Captain Phillips”, ku interpreton aktori i njohur Tom Hanks.