Zbulohet pasuria e çmendur e kryeministres së Tajlandës
Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra ka zbuluar se ka një pasuri personale me vlerë pothuajse 400 milionë euro (13.8 miliardë baht) në deklaratën e saj të të dhënave financiare, që u publikua sot.
Investimet e saj të ndryshme dhe bizneset kapin vlerën e 11 miliardë baht (mbi 310 milionë euro), ndërsa ka një miliard baht (mbi 28 milionë euro) në para cash.
Pasuritë e tjera të saj përfshijnë, 75 ora luksoze me vlerë 162 milionë baht (pothuajse 4.6 milionë euro), 217 çanta të shtrenjta me vlerë 76 milionë baht (mbi 2 milionë euro), si dhe prona në Londër dhe Japoni.
Paetongtarn Shinawatra deklaroi gjithashtu detyrime prej gati pesë miliardë baht (mbi 141 milionë euro), sipas dokumentit NAÇ të publikuar nga mediat tajlandeze, duke e çuar vlerën e pasurisë së saj neto në 8.9 miliardë baht (mbi 251 milionë euro).