Zbulohet Sekretari i Shtetit i Biden, diplomati Antony Blinken
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden pritet të emërojë të martën anëtarët e parë të kabinetit të tij, që sipas njoftimeve përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.
Zoti Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden.
Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.
Emërimi i tij i pritshëm u raportua nga disa media të dielën vonë.
Midis përzgjedhjeve të pritshme të zotit Biden për poste kabineti janë gjithashtu Linda Thomas-Greenfield, ish ndihmës sekretare e shtetit për Afrikën, që pritet të emërohet ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe Jake Sullivan në postin e këshilltarit të sigurimit kombëtar.