Zelensky dhe rruga sesi u bë simboli i luftës së Ukrainës për liri

Edhe pse jo shumë vite pjesë e politikës, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është bërë tashmë simboli i rezistencës së popullit kundër forcave pushtuese ruse. Zelensky erdhi në pushtet me shumë pak përvojë politike. Ai njihej më së shumti si aktor, ku famën më të madhe e mori në serialin, “Shërbëtori i Popullit”, në rolin e një mësuesi të zakonshëm shkolle që u zgjodh president i vendit.

Si e ka menaxhuar Zelensky situatën e pushtimit?

Zelensky e drejtoi energjinë drejt mobilizimit të menjëhershëm të ushtrisë ukrainase, si dhe zhvendosjen e civilëve në zona të sigurta, teksa forcat ruse përparonin përgjatë kufijve të Ukrainës. Më parë, ai ishte shprehur se paralajmërimet e SHBA-së për një pushtim të afërt, ishin të tepërta dhe po dëmtonin ekonominë e Ukrainës. Kjo pasi, Zelensky vuri në dukje një grumbullim edhe më të madh rus, pranverën e kaluar, por që si përfundim u tërhoq.

Pasi sulmet e para ruse filluan të godasin Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, më 24 shkurt, ai u fokusua në mbrojtjen e Ukrainës, duke siguruar sa më shumë ndihma nga perëndimorët. Teksa i përgjigjej propagandës ruse, që pretendonte se ai ishte larguar tashmë nga vendi, Zelensky realizoi një video të xhiruar përpara pallatit presidencial në Kiev.

Ai tërhoqi me miliona shikime dhe pëlqime në çdo platformë të rrjeteve sociale. I shndërruar në një lider frymëzues, veshur me uniformat ushtarake, Zelensky nisi të admirohej në mbarë botën.

Gjatë gjithë kohës, ai u kërkoi liderëve perëndimorë, të rrisin sanksionet ndaj Moskës me shpresën për të thyer përparimin rus. Gjithashtu, iu lut shumë prej tyre edhe për të ndërmarrë veprime më të ashpra, duke i paralajmëruar se mund të ishte hera e fundit që ata e shihnin atë të gjallë.

Cila është prejardhja familjare e Zelensky?

I lindur më 25 janar 1978, Zelensky u rrit në një rajon rusishtfolës në Ukrainën juglindore. Prejardhja e tij është hebreje dhe disa anëtarë të familjes së tij, vdiqën në Holokaust, ndërsa gjyshi i tij shërbeu në Luftën e Dytë Botërore si oficer në ushtrinë sovjetike.

Babai i tij një matematikan, dhe nëna një inxhiniere, zgjodhën të qëndronin në Ukrainë, ndërsa shumë hebrenj të tjerë u nisën për në SHBA ose Izrael, kur ish-Bashkimi Sovjetik i lejoi ata të emigronin. Miqtë e fëmijërisë kujtojnë se si ai shquhej për stilin e tij dhe notat e mira në shkollë.

Ai u diplomua për Drejtësi në Universitetin Kombëtar të Kievit. Zelensky e ka bërë të ditur identitetin e tij hebre, duke thënë në vitin 2020 se ai vinte nga një familje e zakonshme hebreje sovjetike.

SHKARKO APP