
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë një vizitë në Turqi të shtunën, ku do të takohet me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Në fokus të bisedimeve do të jenë lufta me Rusinë dhe siguria në Detin e Zi, njoftoi të premten Presidenca turke.
“Diskutimet në Stamboll do të përqendrohen në masat për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh mes Turqisë dhe Ukrainës, si dhe në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht konfliktin ruso-ukrainas dhe situatën e sigurisë në Detin e Zi”, deklaroi në rrjetin social X drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën, Erdogan deklaroi se Turqia është e gatshme të mbështesë përpjekjet për rifillimin e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, me synim përfundimin e luftës përmes negociatave.
Turqia, e shqetësuar nga sulmet në Detin e Zi, i ka paraqitur Kievit dhe Moskës një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund sulmeve ndaj anijeve tregtare, kishte deklaruar në shtator një burim diplomatik turk për AFP-në.
Propozimi bazohej në marrëveshjen për eksportin e drithërave, të arritur në korrik 2022 mes Moskës dhe Kievit, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, e cila zgjati vetëm një vit.