Zelensky pranon një armëpushim, Trump: Shpresojmë që të pranojë dhe Putini

“Tani duhet të flasim me Rusinë, shpresojmë që Putini të pajtohet me planin” për një muaj armëpushim në Ukrainë”. Kështu ka deklaruar Donald Trump, sipas asaj që raporton agjencia Bloomberg.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social “X”, pranimin e propozimit amerikan për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, ndërsa thekson se Uashingtoni duhet të bindë Moskën për të njëjtën gjë.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin menjëherë pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të ndarjes së informacionit të inteligjencës për Ukrainën. Ky vendim u bë i ditur pas bisedimeve mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit, të zhvilluara në Xheda, Arabinë Saudite.