Zelensky: SHBA-ja faktor vendimtar në raundin e ri të bisedimeve me Rusinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahet më 4–5 shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Takimi vjen në një moment të tensionuar, pas një vale të re sulmesh ajrore ruse që kanë goditur objektiva civile në Ukrainë. Në fjalimin e tij të përnatshëm, Zelensky deklaroi se është arritur një marrëveshje për zhvillimin e bisedimeve “në një nivel të përshtatshëm” të mërkurën dhe të enjten në Emiratet, ashtu si edhe herën e kaluar.
Fillimisht kishte paqartësi lidhur me zhvillimin e takimit, i cili ishte planifikuar për 1 shkurt në Abu Dhabi. Më 31 janar, Zelensky kishte bërë të ditur se pala ukrainase ishte e gatshme, por po priste konfirmimin nga Uashingtoni. Ai shpjegoi se kishte planifikuar një takim më 2 shkurt me Rustem Umerovin, negociatorin kryesor të Kievit, për të rënë dakord mbi kornizën e bisedimeve dhe për të finalizuar detajet. Sipas tij, në mbrëmjen e së njëjtës ditë, delegacioni ukrainas do të nisej drejt Emirateve.
Zelensky theksoi gjithashtu se muaji shkurt do të jetë një periudhë intensive e angazhimit diplomatik për Ukrainën, me kontakte dhe takime të shumta ndërkombëtare. Ai u shpreh se pret një rol më aktiv nga pala amerikane, veçanërisht në drejtim të shtensionimit të situatës dhe reduktimit të sulmeve. “Shumë varet nga ajo që do të arrijë pala amerikane, në mënyrë që njerëzit t’i besojnë si procesit, ashtu edhe rezultateve,” tha presidenti ukrainas.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë nuk reaguan menjëherë ndaj deklaratave të Zelenskyt. Negociatat e drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, me praninë e përfaqësuesve amerikanë, rifilluan më 23–24 janar në Abu Dhabi, duke shënuar një nga përpjekjet e rralla për dialog që nga pushtimi i plotë rus në shkurt të vitit 2022. Më 30 janar, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u takua në Miami me negociatorin rus Kirill Dmitriev, duke i cilësuar bisedimet si “produktive dhe konstruktive”.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve pozitive diplomatike, sulmet ajrore ruse kanë vazhduar në të gjithë Ukrainën, duke goditur infrastrukturën civile dhe energjetike, ndërsa vendi po përballet me temperatura ekstreme deri në minus 30 gradë Celsius.
KOHA JONË SONDAZH

