Zelensky: SHBA-ja mund t’i japë fund luftës në Ukrainë
Në një intervistë të gjerë për Sky News, Presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi se është i gatshëm të takohet me Vladimir Putinin për bisedime dhe do të bëjë gjithçka për të sjellë paqen. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fuqinë t’i japin fund luftës, por duhet të ushtrojnë presion më të madh ndaj Moskës. Zelenskyy u shpreh se SHBA-ja është “edhe më e fortë nga sa mendojnë për veten e tyre” dhe se “ata vërtet kanë presion mbi Putinin. Ata mund ta ndalojnë këtë luftë.”
Presidenti ukrainas i bëri thirrje administratës në Uashington të shtrëngojë sanksionet kundër familjeve të udhëheqjes ruse dhe të sigurojë Ukrainën me armë më të avancuara. Ai argumentoi se vetëm presioni i shtuar do ta detyronte Moskën t’i merrte seriozisht negociatat. Lidhur me mundësinë e arritjes së paqes, Zelenskyy tha se ekziston një dritare mundësie nga tani deri në zgjedhjet afatmesme amerikane në nëntor. “Tani mendoj se kemi një shans. Varet nga këto muaj, nëse do të kemi një shans ta përfundojmë luftën para vjeshtës. Para zgjedhjeve, zgjedhjeve të rëndësishme, me ndikim, në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të jetë e mundur të arrihet një paqe, ne do ta kemi, tani e kemi këtë dritare,” tha ai.
Zelenskyy foli gjithashtu për sfidat e vendit, duke përmendur ndërprerjet e energjisë dhe rajonet që përballen me temperatura deri në -40 gradë pa ngrohje të besueshme, katër vjet pas pushtimit rus. Kur u pyet nëse Ukraina mund ta fitonte luftën, përgjigjja e tij ishte e paqartë. “Varet se çfarë kuptojnë njerëzit kur thonë, të fitosh. Dhe, vërtet është shumë e vështirë të flasësh për territore. Së pari, si të kthejmë të gjithë tokën për sot, është shumë e vështirë. Dhe do të ketë shumë humbje jetësh njerëzish… Por ajo që është mirë është se edhe Rusia nuk mund ta bëjë këtë në fushën e betejës. Kështu që ata nuk po fitojnë dhe ne nuk po humbim.”
Megjithatë, në lidhje me dorëzimin e qyteteve-kala Sloviansk dhe Kramatorsk, ai ishte i prerë, duke e quajtur këtë një vijë të kuqe. “Është territori ynë dhe tingëllon çuditërisht e pabesueshme pse duhet të tërhiqemi nga toka jonë? Pse e pushtuan ata, tokën tonë dhe askush nuk mund t’i nxjerrë jashtë.” Ai paralajmëroi se nëse Ukraina tërhiqej, 200,000 banorë të këtyre qyteteve do të pushtoheshin nga rusët, të cilët mund t’i vrisnin, t’i dërgonin në front ose në burg. Zelenskyy foli hapur edhe për marrëdhënien e tij me Donald Trump, duke e përshkruar si “jo të thjeshtë”, por theksoi se marrëdhënia e Ukrainës shkonte përtej “personaliteteve”.
KOHA JONË SONDAZH

