Zëri i Amerikës/ Scholz: Duhet dinamikë e re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha të hënën se duhet një dinamikë e re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bëri thirrje të dyja vendeve të mos lejojnë që e kaluara të pengojë rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Kancelari Scholz i bëri këto komente në takimin e Procesit të Berlinit në të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë dhe një deklaratë mbi një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal.

Kancelari gjerman tha se marrëveshjet e reja do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të rajonit. “Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian tashmë është në krye të agjendës së bllokut dhe se gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e lidhjeve evropiane. “Për të arritur atje, unë besoj se duhet të nxjerrim mësimet e zgjerimit nga viti 2004. Parakushti i parë është përafrimi me vlerat tona thelbësore evropiane, respektimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Dhe parakushti i dytë është integrimi i hershëm ekonomik. Kjo është arsyeja pse procesi i Berlinit luan një rol thelbësor”, tha ajo.

Zonja von der Leyen tha se Plani i Rritjes ekonomike dhe Procesi i Berlinit janë të ndërthurura dhe për të shfrytëzuar fondet e Planit të Rritjes, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të miratojnë reformat përkatëse për të pasur kushte të barabarta loje. “Ne i kërkuam partnerëve tanë që të zhvillojnë agjendën e tyre të reformave sipas planit të rritjes. Sot, kam kënaqësinë të raportoj se pesë nga gjashtë agjendat e reformave do të miratohen këtë javë dhe kjo do të thotë se pagesat prej gjashtë miliardë euro në tërësi të planit të rritjes mund të fillojnë të shpërndahen para fundit të vitit”, tha ajo.

Aktualisht vetëm Bosnja nuk i ka përmbushur kriteret për të përfituar nga Plani i Rritjes. Bosnja po ashtu ka bllokuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që u miratua në vitin 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit, për shkak të qëndrimit të Republikës Serbe e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi gjatë takimit se ka vendosur se që nga një janari i vitit të ardhshëm të zbatojë në mënyrë të njëanshme udhëtimin pa viza për qytetarët e Bosnjës që duan të vizitojnë Kosovën. “Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes”, tha ai.

Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian Përveç reformave, vendeve u kërkohet zgjidhja e problemeve të ndërsjella dhe në këtë kuadër problemi më i mprehtë është çështja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Kancelari gjerman tha se të dyja vendet duhet të tejkalojnë të kaluarën dhe të përparojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë.

“Unë mbetem i bindur se kjo e ardhme është në Bashkimin Evropian dhe ka vetëm një rrugë që të çon atje, zbatimi besnik dhe i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet për t’u siguruar që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha kancelari Scholz.

Ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i formësuar nga konfliktet e së kaluarës dhe është koha për ta kapërcyer atë të kaluar dhe për t’i kthyer sytë drejt së ardhmes. “Deklarata për marrëdhënie të mira fqinjësore e propozuar nga vetë rajoni flet për drejtimin e duhur. Është një angazhim i qartë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe me mjete paqësore. Kjo është ajo që e përfaqëson procesi i Berlinit dhe mbështet punën së bashku dhe gjetjen e një kompromisi në dobi të të gjithëve”, tha kancelari Scholz.

Ai tha se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e tij ndërsa theksoi rëndësinë e zhbllokimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA. “Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak se një përparim për bashkëpunimin rajonal dhe zhbllokimi i CEFTA-s mundëson që tani të aktivizohen edhe disa marrëveshje të tjera. Për shembull, për punën ndërkufitare, lejet dhe rregullat e tregtisë elektronike në mbarë rajonin. Kjo do të ndihmojë në thellimin edhe më tej të tregut të përbashkët rajonal. Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin në këtë sukses duke vendosur që javën e kaluar të hapë një pikë kufitare për mallrat serbe”, tha kancelari Scholz.

Autoritetet në Prishtinë thanë javën e kaluar se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani. Ndryshimet në CEFTA pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit. /VOA/

SHKARKO APP