“Zëri i Amerikës”: Si funksionoi në praktikë këmbimi i të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë?
Qeveria turke ka bërë të ditura disa nga detajet e zbatimit të marrëveshjes për këmbimin e të burgosurve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Këmbimi u bë në aeroportin e Ankarasë, Esenboga.
Në mesin e 16 të burgosurve politikë të liruar nga burgjet ruse, janë gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.
Në një deklaratë të zyrës së presidentit turk thuhet se pasi individët e përfshirë mbërritën në Turqi, ata u larguan nga avionët nën mbikqyrjen e Agjencisë Kombëtare turke të Zbulimit, dhe u dërguan në “vende të sigurta.”
Pas miratimit të këmbimit nga shtetet e angazhuara në marrëveshjen për këmbim, të liruarit iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dhe iu plotësuan nevoja të tjera.
Pastaj ata u përcollën në aeroplanët që do t’i dërgojnë në destinacionet e tyre.
Avionët u nisën pasi morën autorizimin nga agjencia turke e zbulimit.
Sipas një zyrtari turk të sigurisë, shefi i shërbimit të zbulimit turk, Ibrahim Kalin, personalisht kishte lehtësuar bisedimet ndërmjet homologëve të tij amerikanë dhe rusë.
Bisedimet u mbajtën në Stamboll dhe Ankara, sipas zyrtarit që foli me agjencinë Associated Press me kusht që të mos identifikohet me emër. Sipas tij, Uashingtoni dhe Moska kishin kërkuar ndihmën e Turqisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pastaj e kishte ngarkuar zotin Kalin të “bëjë çdo gjë që është e nevojshme” për të siguruar marrëveshjen.
Aktivisti Vladimir Kara-Murza do të shkojë në Gjermani, por gjatë telefonatës i tha Presidentit Biden se shpreson që së shpejti të vizitojë Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Biden tha se marrëveshjet për këmbimin e të burgosurve u arrit “përmes disa vendimeve të vështira”.
Ai shprehu mirënjohje të thellë për kancelarin Olaf Scholz. Sipas zotit Biden, marrëveshja “nënkuptoi se duhej të kërkoja disa lëshime serioze nga Gjermania.”/VOA/