Zgjatet qëndrimi në burg për ish-marinsin amerikan

Një gjykatë ruse ka zgjatur mbajtjen në paraburgim të ish-marinsit amerikan Paul Whelan, deri më 29 mars, ndërsa ai do të vazhdojë të përballet me akuzat për spiunazh. Whelan u arrestua në dhjetor të 2018-tës, pasi pranoi të merrte nga një i njohur një usb, ku pati menduar se ndodheshin foto nga pushimet. Autoritetet ruse thonë se në usb ndodheshin materiale të klasifikuara.

I Ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara, Bart Gorman, e vizitoi në burgun Lefortovo, së bashku me diplomatë nga Kanadaja, Irlanda dhe Britania, vende në të cilat Whelan është gjithashtu nënshtetas.

“Gjatë 12 muajve të fundit, Paul-i nuk ka dëgjuar zërat e prindërve të tij. Jepini pak gëzim për Krishtlindje dhe lëreni t’i telefonojë shtëpisë”, u shpreh zoti Gorman, sipas njoftimit të bërë nga zëdhënësi i ambasadës amerikane.

Whelan ka mohuar akuzat ndaj tij. Gjatë paraqitjeve në sallën e gjyqit ai, dhe avokati i tij, kanë pretenduar se është keqtrajtuar nga zyrtarët e burgut dhe shërbimet ruse të sigurisë. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka thënë se ai po i sajon në kuadrin e një fushate dizinformimi.

Ai i ka bërë thirrje Presidentit Donald Trump të ndërhyjë në emër të tij, duke i kërkuar të shprehë qëndrimin e tij në Twitter për atë që zoti Whelan e ka quajtur një farsë të Moskës. Nëse dënohet për spiunazh, ai përballet me mundësinë e 10 deri në 20 vite burg. /VOA/

SHKARKO APP