Zgjedhjet në Greqi dhe Ndërkombëtarët në lidhje me ndryshimet pas zgjedhjeve

SYRIZA pretendon maxhorancën qeveritare dhe në këtë sens “nuk dua as ta mendoj skenarin e zgjedhjeve të reja”, deklaroi Aleksis Cipras në një intervistë për televizionin grek Star. Është e nevojshme, tha kryetari i SYRIZA-s që populli të t’i japë partisë së tij një mandat të fuqishëm për negociim me partnerët dhe ka përvojën dhe diturinë që të evitojë skenarin e zgjedhjeve të përsëritura. Duke shprehur sigurinë e tij për fitoren e zgjedhjeve, Cipras tha se populli do të zgjedhë SYRIZA-n, jo sepse ka përvetësuar ideologjinë e të majtës radikale, por sepse do të zgjedhë një rrugë dinjiteti. I pyetur nëse SYRIZA do të përzgjedhë përfundimisht daljen nga eurozona si përgjigje ndaj presioneve, Cipras tha se do të duhet të jemi paranojakë për të patur një plan të tillë. Diskutimi në Europë tashmë ka ndryshuar dhe SYRIZA u përligj, tha zoti Cipras, duke theksuar se nuk ka axhendë të fshehtë, as Plan B. Ai shprehu sigurinë se projekti i SYRIZA-s do të pranohet nga Europa, ndërsa vuri në dukje se zonja Merkel do të shfrytëzojë rritjen e SYRIZA-s për të ofruar një zgjidhje dhe për ta paraqitur si sukses të sajin. “Kemi programin e Selanikut. Nuk ka asnjë axhendë të fshehtë, asnjë referendum”, tha Cipras.

Samaras: “SYRIZA është një aksident që nuk duhet të ndodhë”

Një sulm mjaft të ashpër ndaj SYRIZA-s ka shpalosur nga Janina kryeministri Antonis Samaras, i cili i ftoi qytetarët që me votën e tyre më 25 janar, të fitojnë mbi populizmin, ndërsa theksoi se SYRIZA nuk është një kundërshtar politik për qeverisjen e vendit, por është, siç tha, “një aksident” që nuk duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. Samaras nënvizoi se SYRIZA nuk ka një politikë qeverisjeje dhe iu referua pozicionimeve kontradiktore të figurave qendrore të radikalëve të majtë. “Figura të SYRIZA-s na thanë se arma kulmore është ndërprerja e pagesave, domethënë falimentimi. Një tjetër paralajmëroi daljen e menjëhershme të Greqisë nga NATO dhe i treti kërkoi referendum”, tha kryeministri. Samaras e filloi fjalimin e tij me mesazhet nga marshimi i madh në Paris. “U gjenda në Paris me shumicën e liderëve europianë në një marshim të madh e simbolik kundër obskurantizmit dhe urrejtjes. Një Europë që është e shokuar nga vala e ngjarjeve në Paris dhe në qytete të tjera. Një Europë ku popujt e saj po shqyrtojnë sërish nga e para çështjet e sigurisë, të emigracionit, të mbrojtjes së kufijve, përtej besimeve fetare. Në një Europë që mendon sërish për respektimin e parimeve dhe vlerave të veta, që duhet t’i respektojnë të gjithë pa përjeshtim. Në këtë Europë janë si mizat në qumësht ata që duan të hapin kufijtë, t’i japin nënshtetësi çdo të paligjshmi, në vend se të kontrollojnë”, theksoi Samaras. Në përfundim të fjalimit të tij, Samaras vërejti se “vendi është shumë afër më të mirës dhe shumë afër më të keqes”, dhe theksoi se kjo “do të vendoset nga vota e fundit. Jemi shumë afër thyerjes së të djeshmes së populizmit. Këtë të djeshme kërkojmë, me votën tuaj, ta lemë përgjithmonë mbrapa, duhet të fitojmë populizmin përgjithmonë”, theksoi Samaras.

Swiss Digital Desktop Reklama

 

Swiss Digital Mobile Reklama

Financial Times: Të gjendet një zgjidhje kompromisi për të evituar një Grexit

 “Greqia dhe Europa duhet të gjejnë një kompromis për të evituar një Grexit (dalje të Greqisë nga eurozona)”, është titulli i një artikulli që publikohet në gazetën Financial Times. Ndryshe nga zgjedhjet e dyfishta të Greqisë në 2012, vihet në dukje në artikull, tema qendrore sot nuk është Grexit, por se si kryeministri i ri grek do të negociojë një kompromis për stadin e ardhshëm të programit të mbështetjes së vendit. “Nëse Aleksis Tsipras i SYRIZA-s fiton zgjedhjet, kreditorët europianë do të ishte normale t’i ofrojnë, si një lider i zgjedhur demokratikisht i Greqisë, disa karrota në këmbim të kamzhikut të FMN dhe të BE. Ndërkaq, kreditorët do të duhet gjithashtu të bëjnë të qartë se mbështetja ekonomike vazhdon të varet nga një përpjekje e sinqertë dhe aktive reformash”. Si shkëmbim, vazhdon artikulli, do të duhet ta bëjnë më pak bezdisëse mbikqyrjen e kësaj përpjekjeje, duke marrë në konsideratë pakënaqësinë e grekëve për shkak të gjendjes në një farë regjimi ndëshkimi të huaj për thuajse pesë vjet. “Do të mund të lejonin objektiva më minimalë për suficitin primar dhe të lenë zotin Tsipras të rritë pagën minimale, shton Financial Times.

Regling: SYRIZA do të ndryshojë qëndrim nëse bëhet qeveri

SYRIZA ka gjasë ta moderojë qëndrimin e vet gjatë shpëtimit të vendit, nëse gjendet në qeverisje pas zgjedhjeve të 25 janarit, deklaroi kreu i fondit të shpëtimit të eurozonës, Klaus Regling. “Një qeveri e re greke ndoshta vjen me politika të reja, mirëpo këtë nuk e dimë”, deklaroi zoti Regling, kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF). “E dimë se partitë e opozitës thonë një gjë gjatë fushatës elektorale, mirëpo kur vijnë në pushtet i moderojnë këto qëndrime”, vërejti Regling.

Schauble: Çdo qeveri duhet të respektojë marrëveshjet ekzistuese

 “Zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë në marrëveshjet me qeverinë greke dhe çdo qeveri duhet të respektojë marrëveshjet e qeverisë së mëparshme”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë gjermane të financave, Martin Zieger, i pyetur për mundësinë e ndryshimit të politikës në rast të krijimit të qeverisë nga ana e SYRIZA-s. Zëdhënësi nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes lidhur me pasojat që do të kishte në buxhetin gjerman një “qethje” e borxhit grek, pasi, siç tha, “një çështje e tillë nuk shtrohet”. Përndryshe, Zieger, në përgjigje të një pyetjeje, tha se “Berlini nuk sheh asnjë bazë për pretendimin e reparacioneve të luftës nga ana e Gjermanisë”.

Nga Kujtim VANI, Athinë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?