Zgjedhjet në Maqedoni, analistët: Fitorja e Zaevit do të përmirësojë stabilitetin e rajonit

Sot është dita e fundit e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore. Sondazhet tregojnë një fitore të ngushtë të Lidhjes Socialdemokrate, partisë së ish-kryeministrit Zeran Zaev. Analistët besojnë se fitorja e Zaevit do të ndikojnë stabilitetin e mbarë rajonit.

Në Maqedoninë Veriore votohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat shihen si kyç për të ardhmen europiane të vendit. Sondazhet nxjerrin një rezultat të ngushtë të partisë në pushtet pro europiane social demokrate dhe partisë kryesore opozitare që mban një linjë nacionaliste.

Votimi duhet të ishte zhvilluar në prill, por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Parlamenti u shpërnda në shkurt pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev pak pasi Bashkimi Europian vendosi të shtyjë vendimin për fillimin e bisedimeve të pranimit.

Një sondazh i fundit tregon fitoren e ngushtë të partisë së zotit Zaev, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë ndërsa një tjetër nxjerr si fituese partinë nacionaliste opozitare VMRO-DPMNE, të drejtuar nga Hristijan Mickoski.

Të dyja sondazhet u japin partive një mbështetje elektorati prej më pak se 25%, që do të thotë se do t’u duhet të bashkëpunojnë me parti të tjera për të formuar qeverinë.

Zoti Zaev arriti një marrëveshje të jashtëzakonshme me Greqinë që detyroi vendin të ndryshojë emrin, por i hapi rrugën për t’u anëtarësuar në NATO dhe fillimin e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, opozita e VMRO-së e kundërshton emrin e ri Maqedonia e Veriut dhe gjithashtu e akuzon Zaev-in për korrupsion.

Vetë qytetarët janë skeptikë për të dyja palët. “Nuk e di çfarë të pres nga këto zgjedhje. Kjo pandemi ka sjellë shumë probleme, shpresoj të zgjidhet shpejt,” thotë votuesja Rozmari Markulova.

“Ka shumë gjëra që politikanët duhet të bëjnë. Por në fund do të shohim se çfarë premtimesh do të mbajnë. Të gjithë premtojmë diçka, por le të shohim,” thotë Ilija, një tjetër votues.

Analistët besojnë se fitorja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë mund të nxisë të ardhmen europiane të vendit dhe shtojë qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar ndërsa opozita shqiptare doli me moton “Tash është koha për ndryshim”.

SHKARKO APP