Zgjedhjet parlamentare në Greqi, skenarët për formimin e qeverisë së re
Greqia i drejtohet sot kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re. Se çfarë do të ndodhë nga dita e nesërme do të varet nga vendimi i qytetarëve. Megjithatë Protothema jep disa skenarë të ndryshëm.
Mëngjesin e të hënës, ministrja e Brendshme, Calliope Spanou, do të shkojë në zyrën e kreut të Kuvendit, Constantinos Tassoulas dhe do t’i japë dosjen me rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. Më pas, Tasoulas shkon në pallatin presidencial për t’i shpallur rezultatin Presidentes Katerina Sakellaropoulou.
Lëvizjet e radhës do të varen nga vullneti i qytetarëve dhe si ata kanë vendosur t’i ndajnë votat për partitë. Sipas Protothema-s, ka shumë mundësi që të formohet një qeveri e përkohshme dhe do ta çojë vendin në zgjedhje të reja, me shumë mundësi më 2 Korrik.
Mundësia e parë e formimit të qeverisë parashikon emërimin si kryeministër të kryetarit të partisë që do të ketë shumicën absolute të vendeve në parlamentin e ri. Por ky skenar konsiderohet si i pamundur pasi me sistemin e thjeshtë proporcional duhen të paktën 45%-46% për ta bërë të mundur.
Nëse asnjë parti nuk ka shumicën absolute të karrigeve radha i takon Presidentes greke. Nëse konfirmohen sondazhet e deritanishme, fillimisht ajo do t’i drejtohet Kyriakos Mitsotakis, ku do t’i japë tre ditë kohë në dispozicion për të përcaktuar nëse ka një mundësi për formimin e një koalicioni qeveritar. Në fushatë, kreu i Demokracisë së Re e bëri me dije që është për një qeveri të pavarur dhe me vetëm një parti. Sipas tij, kjo siguron stabilitetin dhe shpejtësinë e nevojshme për të marrë vendime. Megjithatë ai ka deklaruar se do ta mbajë mandatin që do t’i japë Presidentja pasi e kërkon Kushtetuta.
Në çdo rast, skenari i vetëm bashkëpunimi ekzistues në nivel real ka të bëjë me Demokracinë e Re dhe PASOK-un. Sipas sondazheve të fundit, të dy partitë marrin të paktën 151 deputetë, por ky kusht matematikor nuk mjafton për të mbuluar hendekun e madh që ndan Mitsotakis me Nikos Androulakis. Në veçanti këtu bëhet fjalë për kushtin e vendosur nga PASOK-u për emërimin e një personi të tretë që nuk do të jetë zgjedhur nga populli për postin e kryeministrit. Në këto kushte, pritet që mes këtyre dy palëve të mos ketë bashkëpunim. Por gjithçka mbetet për t’u parë.
Nëse Mitsotakis nuk arrin të sigurojë një koalicion, radha i takon Alexis Tsipras, kreut të SYRIZA-s. Megjithatë, Tsipras ka thënë se nuk ka për qëllim të formojë një qeveri nga partitë humbëse. Por çdo gjë do të varet nga aritmetika. Sipas sondazheve, SYRIZA dhe PASOK mund të mbledhin 132 mandate deputetësh. Por kjo nuk është e mjaftueshme.
Prandaj Tsipras do të ketë nevojë për mbështetjen e Partisë Komuniste të Greqisë dhe të partisë MeRA25 të drejtuar nga ish-ministri tij, Yanis Varoufakis. Një mundësi është të marrë edhe mbështetjen e partisë që drejtohet nga Kyriakos Velopoulos për formimin e një qeverie jetëshkurtër, por me qëllimin që të ngrihet një gjykatë speciale për të ashtuquajturin “skandali i përgjimeve”. Për këtë duhen 200 vota në parlament, të cilat vështirë se mblidhen, sipas Protothema.
Por kreu i PASOK-ut, ka deklaruar se do të marrë pjesë në qeveri të përbashkët vetëm nëse partia e tij do të ketë një përqindje dyshifrore dhe nëse kryeministër pranohet një person i rënë dakord nga të gjithë dhe jo Tsipras. Varoufakis e ka bërë të qartë se preferon të këpusë ‘dorën në rrënjë’ sesa të bashkëqeverisë me Tsipras. Ndërsa kreu i Partisë Komuniste, i ka përshkruar planet e SYRIZA-s si një “qeveri memece progresiste”.
Nëse edhe Tsipras nuk arrin të sigurojë shumicën, atëherë të dielën e ardhshme Nikos Androulakis, kreu i PASOK merr mandatin për të formuar qeverinë. Ai e ka bërë të qartë se do t’u propozojë partive kryesore një bazë specifike programore për formimin e një qeverie me në krye një person që duhet të pranohet bashkarisht nga të gjitha palët.
Nëse asnjë nga këto tre alternativa nuk funksionojnë, atëherë sërish rol luan Presidentja. Ajo do duhet të thërrasë të gjithë krerët e partive që kanë fituar si një përpjekje të fundit për të formuar një qeveri që do të ketë besimin e Kuvendit. Ecuria e proceseve të mëparshme parashikon që edhe ky raund të përfundojë me dështim.
Kjo do të bëjë që Sakellaropoulou të formojë një qeveri të përkohshme me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kryeministri duhet të vendoset unanimisht nga partitë. Por edhe nëse këtu nuk bie dakord, rolin e kryeministrit në detyrë e merr një gjykatës. Tre kandidatët për kryeministra të përkohshëm janë Maria Georgiou, kryetarja e gjykatës së Lartë, Evangelia Nika, kryetarja e Këshillit të Shetit dhe Ioannis Sarmas.
Pasi të vendoset kryeministri i përkohshëm, mblidhet parlamenti, betohen deputetët e rinj dhe më pas me dekret Presidentja e shpërndan sërish për të shpallur zgjedhjet e ardhshme që me shumë mundësi mund të zhvillohen me 2 Korrik.