Zvicra: Edhe vajzat myslimane duhet të notojnë
Një familje me shtetësi zvicerane dhe turke dhe me banim në qytetin e Baselit, ka vite që sfidon autoritetet zvicerane.
Dy vajza të kësaj familjeje refuzojnë të marrin pjesë në orën e notit në shkollë, një lëndë kjo e detyrueshme.
Vajzat kanë luftuar nëpër të gjitha instancat juridike të Zvicrës për të fituar të drejtën e bojkotimit të orës së notit nëse në të marrin pjesë të dy gjinitë, meshkuj dhe femra.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut të martën ka theksuar në një vendim të rëndësishëm se Zvicra nuk ka shkelur liritë fetare, kur ka vendosur ta shpall të detyrueshëm mësimin e notit për dy vajzat myslimane nga Baseli.
Vajzat 7 dhe 9 vjeçare në vitin 2008 ndiqnin shkollën fillore në Basel, por nuk pranonin të shkonin në orën e notit.
Bisedat e personelit arsimor me prindërit nuk sollën sukses.
Drejtoria e Arsimit i dënoi prindërit në korrik të vitit 2010 me një gjobë prej 700 frangash.
Në vijim drejtësia zvicerane hodhi poshtë të gjitha ankesat e familjes.
Në fund prindërit iu drejtuan Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Në vendimin e Gjykatës së Srasburgut theksohet se mbështeten konstatimet e Gjykatës Federale të Zvicrës, e cila në verdiktin e saj kishte theksuar rëndësinë e madhe që ka integrimi, sidomos i fëmijëve të huaj, në shoqërinë zvicerane.
Gjykatësit zviceranë më 2008 kishin nënvizuar se realiteti multikulturor në shkollla kërkon që fëmijët e të gjitha kulturave të integrohen brenda kornizës shoqërore të Zvicrës.
Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ka efekt juridik edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Besimtarë konservatorë insistojnë po ashtu që vajzat të mos ndjekin mësimin e notit, nëse ora zhvillohet me gjini të përziera.
Një ndër imamët që kërkon mbajtjen e orës së notit duke ndarë gjinitë është edhe Nehat Ismaili nga “Unioni i imamëve shqiptarë në Zvicër”.
Në një intervistë me gazetën “Tages Anzeiger”, ai, në pyetjen se përse kërkon mësimin e notit me gjini të ndara, kishte thënë: “Jo të gjithë shqiptarët janë fetarë, por as të gjithë myslimanë. Por ata që e kërkojnë këtë për arsye besimi, duhet të merren seriozisht me kërkesat e tyre”.
KOHA JONË SONDAZH

