Zyrtari i OBSH ngre alarmin: Situata me Covid-19 në Europë, shumë shqetësuese

Situata me Koronavirusin në Europë është shumë shqetësuese.

Alarmin e jep shefi i zyrës rajonale të OBSH, Hans Kluge.

Numri i infektimeve ditore është në rritje, njësoj si edhe shtrimet në spitale. Covid është tani shkaku i pestë i vdekjeve ditore për 1000 banorë”, është shprehur ai.

Europa nën masa drastike

Shifrat në rritje të infektimeve kanë bërë që shumë shtete në Europë të marrin masa të tjera shtesë.

Kështu, francezët në 4 deri 6 javët e ardhshme do duhet të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre nga ora 21:00 deri në orën 6 të mëngjesit në Paris dhe në tetë qytete të tjera, për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Rregulla të ngjashme aplikon nga sot Holanda nga ora 22:00, orar që është huazuar edhe në Angli ku ka hyrë në fuqi sistemi i klasifikimit me tri shkallë.

Në zonat me rrezik mesatar nga pandemia, lejohen takimet me jo më shumë se 6 persona; në zonat më të rrezikuara nuk lejohen vizitat në shtëpi; ndërsa në zonat shumë të rrezikuara rekomandohet për më tepër mbyllja e bareve dhe pabeve që nuk shërbejnë gatime.

Në rajonin spanjoll të Katalonjës, autoritetet kanë vendosur të mbyllin të gjitha bar-restorantet për 15 ditë.

Tri javë do qëndrojnë mbyllur shkollat, qytetet studentore dhe lokalet në Republikën Çeke, ndërsa në Italinë fqinje, kryeministri Giuseppe Conte nuk e ka përjashtuar mundësinë që italianët t’i kalojë Krishtlindjet e sivjetme nën regjimin e karantinës.

SHKARKO APP