Edi Rama me 15 shkurt 1994 shkruan si do jetë Edi Rama i vitit 2020!

Redaksia e KOHA JONE në kuadrin e 30 vjetorit të botimit të numrit të saj si e pavarur me 11 maj 1991, ka vazhduar me botimin e shkrimëve, intervistave dhe analizave më të mira të botuar në faqet e saj ndër 30 vite.

Në numrin e nesërm datë 19 tetor 2020, gazeta riboton një shkrim-letër të Edi Ramës drejtuar asokohe Aleksandër Frangajt dhe Martin Lekës, të arrestuar nga pushteti i kohës për artikujt e tyre në KOHA JONE. Shkrimi i Edi Ramës është botuar me datë 15 shkurt 1994 (shiko faksimilet).

Por gjatë ribotimit sonte në redaksi, kur e rilexuam të plotë Edi Ramën e asokohe dhe duke pare Ramën e kësaj kohe, thamë se sa bukur e ka përshkruar diktaturën e kohës dhe të ardhmen e tij si drejtues arrogant dhe i rrezikshëm për Demokracinë në vitin 2020.

Mjafton ta lexoni se ç’shkruante Edi Rama në 15 shkurt 1994 dhe shikoni Edi Ramën sot!

Redaksia e KOHA JONE

Ja shkrimi i Edi Ramës botuar me 15 shkurt 1994 (po e botojmë me pak shkurtime, sepse është shumë i gjatë)

Nga Edi Rama-

“…Dhe Haveli shkruan, “intelektuali duhet vazhdimisht të vërë në alarm, të dëshmojë mjerimin e botës, të provokojë me pavarësinë e tij, të rebelohet ndaj të gjitha manipulimeve, dhe ndaj të gjitha presioneve të errëta, të jetë ai që i vë parimisht në dyshim sistemet, pushtetet, dhe formulat e tyre magjike, të jetë dëshmitar i gënjeshtrave të tyre”.
Edhe ne u bindëm tashmë se revolucioni vret revolucionarët dhe korrupton idealet ashtu siç e pamë me sytë tanë që revolucioni është një farsë që nuk e zgjidh problemin. Kësisoj edhe pse kemi shumë pak gjasa që të ndikojmë në favor të së vërtetës me fjalën e lirë, pushteti i saj, i afirmuar në luftën me gënjeshtrën e vjetër, nuk duhet kurrsesi t’ju jepet sirenave të gënjeshtrave të reja, të cilat duke qenë të ambalazhuara më me marifete janë edhe më keqbërëse.
Dëshira e të gjitha njerëzve të ndershëm për të sjellë në Shqipëri pushtetin e fjalës së lirë, u manipulua shumë shpejt duke u kthyer në armë për të marrë pushtetin përmes fjalëve boshe. Pasi i lyen pardesytë me miell si në përrallën e ujkut dhe kecave mendjelehtë, tamam kur e panë që Ferrës së komunizmit ia dha uratën edhe vetë mëkëmbësi i Hoxhës, Intelektualët e së Dielës, ngritën mbi qindra mijërat e të lodhurve dhe të eturve për liri një mjegull demagogjie diskredituese për Idealin e Dhjetorit. Falë marrëdhënieve cinike që vendosën me turmën fatkeqe Pardesytë e Bardha erdhën në pushtet dhe eliminuan të gjithë ata që mendonin ndryshe. Logjika inekzistente e rrugës ushqehej me demagogji dhe në këmbim të drogës së ëmbël te premtimeve që merrte pa kursim. Rruga i jepte në përdorim intelektualëve të së dielës protezën e saj të tmerrshme, e cila përpiu edhe një herë arsyen në emër të popullit.
Pra miku im, mjaftojnë edhe fjalët boshe kur është puna për të nxitur forca të papërgjegjshme në emër të çmimit të bukës dhe për të tërhequr mijëra të tjerë në atë farë psikologjie destruktive, por siç ti e di më mirë se unë, zgjidhjet revolucionare janë vetëm rrethrrotullime të tombolës ku pushteti kalon nga një grup sharlatanësh tek grupi tjetër sharlatanësh. Larg qoftë një tjetër revolucion demokratik!
Mirë që nuk është gjallë Lek Dukagjini se do ta kishin zhveshur dhe përjashtuar nga PD si kriptobab kur të merrnin vesh se në Kanunin e Lekës thuhet: “Lajmësi nuk ka faj”
Duke u rikthyer tek gjasat e pakta të mishërimit të ideve dhe fjalës sonë, e cila frymëzohet nga qytetërimi modern dhe jo nga thirrja e të parëve, kam përshtypjen se pakkush në këtë vend të bekuar e ka kuptuar që problemi nuk është t’i bashkojmë me çdo mjet njerëzit nën një flamur në emër të Atdheut, Partisë, Demokracisë, por të dalim nga kriza që është krizë e esencës, e cila asesi nuk mund të evitohet nëpërmjet përgjigjeve që përgatiten nga lart, nëpërmjet populizmit, nëpërmjet vokacionit reaksionar që nxiti ta mbyllë grykën e Pusit të Zi shqiptar sapo erdhi në pushtet dhe të krijojë konfrontime fiktive forcash politike. Kjo krizë do të vazhdojë të thellohet nëse nuk do të bëjmë dot që unanimisht të pranohet ekzistenca e saj.
Alternativa e vetme intelektuale ka qenë dhe mbetet politika antipolitike, revolucioni ekzistencial me divizën “Të vetmuar dhe solidarë”. Në thelbin e tij, ky revolucion nuk është diçka që një Zot i ri do të na ofrojë, por një mënyrë tjetër jetese, diçka që çdo njeri e ka përpara vetes, në çdo çast. Mund të bëjmë diçka dhe duhet ta bëjmë, këtu dhe tani. Askush nuk do ta bëjë për ne, askënd nuk mund të presim. Totalitarizmi ka vetëm një antagonist të vërtetë, njeriun e lirë, individin e papërsëritshëm, të vetëm, të paskematizueshëm, të paezaurueshëm në përkatësitë e një grupi, partie, klase, kombi, feje, interesi. Për sa më lart, fjala “njeri”ka një domethënie të saktë: mundësinë.
Inercia e terrorit të Partisë së Punës dhe presioni gjithnjë e më brutal i Partisë Demokratike mbi individin e lirë kanë bërë që e quajtura nxitimthi demokraci të degjenerojë drejt monopolizimit të së vërtetës nga makina e partisë-shtet në luftë tribale me dy-tri forca të tjera politike. Në këtë mënyrë përgjegjësia individuale shkurtohet përditë, duke bërë që Shqipëria të ngjajë gjithnjë e më shumë me një Liban ideologjik. Jo për detyrë karshi popullit apo Atdheut, por vetëm për respekt ndaj fjalës njeri ne duhet ta vazhdojmë harakiri, sepse ndoshta vetëm duke e ngulur thellë shpatën e së vërtetës mbi trupin tonë, do të mund t’i japim fjalës së lirë një pushtet të pacenueshëm, do të mund të shtohemi, do të mund të sjellim edhe në realitetin hipokrit shqiptar ditën e largët kur njerëzit të heqin nga supet kokën e partisë dhe të përdorin të tyren. Të vetmuar dhe solidarë, sepse vetëm një individ autonom mund të njohë me anë të autonomisë së tij dinjitetin. Përgjegjësi, motive. E mbrojtur prej tij drejtësia ruan lirinë dhe sjell prosperitetin, pa të cilin konceptet e atdhedashurisë, patriotizmit, pavarësisë, mbeten kuaj beteje për demagogët primitivë.
Po kujt i duhet teoria e fjalës së lirë? Praktika është kriteri i të vërtetës, dhe këtë nuk e them unë, këtë e kanë thënë të gjitha, pardesytë kur jepnin provimet e kualifikimit pasuniversitar, këtë e ka stërthënë edhe vetë kryetari i demokratëve, bile pa ja kërkuar kurrkush. Pra, në teori shtypi është i lirë, por i mbetet praktikës revolucionare t’i caktojë kriteret, prandaj ndërkohë që mijëra gazetarë evropianë (duhet të ketë edhe plot marksistë mes tyre) shqetësohen për burgimin e dy gazetarëve, plot sivëllezër të tyre në Shqipëri kënaqen duke luajtur rolin e palaços së oborrit që fut kunja për të gudulisur sedrën e mbretit. Si ta kuptojmë shkarashkruesit e baltës se në burg është futur një njeri që përpara se të quhet Aleksandër Frangaj është gazetari, i cili punon në një shtet që prezumohet i lirë?! Sidoqoftë duhen falur, edhe pse po i ushqejnë fëmijët e tyre me bukën e hidhur të gënjeshtrës, ashtu siç duhen falur edhe ata që të kanë futur ty në burg, jo vetëm sepse në kokat e tyre në vend të mendimeve ka vetëm një tru prej astari pardesysh të bardha, por edhe sepse burgimi yt na ndihmon të gjithëve t’i shpëtojmë iluzioneve se ky shtet mund të ndikohet nga e vërteta në rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë. Duke të mbyllur ty në errësirën e burgut, shteti i demokratçikëve mbylli portën e të nesërmes së tij. Në fund të fundit Aleksandër, jeta jote i ngjan përherë e më fatalisht paragrafit të famshëm të Kazanzaqisit, ku njëri pyet, “Trupi është një anije të cilën e pret vetëm një liman: shkatërrimi. Atëherë përse të luftojmë?”, ndërsa tjetri përgjigjet, “Mos pyet, lufto”. Ky nuk është vetëm fataliteti yt por i të gjithë atyre, të cilëve nuk ju mjafton liria që pikon nga biberoni i mamive të Partisë Demokratike.
Ndërsa të shkruaj, një i papërmbajtur gaz më sjell ndërmend diçka tjetër që duhet ta marrin vesh edhe ithtarët e shumtë të Lekë Dukagjinit në radhët e partisë. Them ta marrin vesh, se mirë Marksin e kanë lexuar përmes citateve të Hoxhës, po të paktën Lekës t’i kishin hequr një lexim diagonal dhe të mos ishin mjaftuar me ato që ju ka tregu baba, sepse dihet, baba edhe rren. Intolerant, intolerant, por këtë që po të bëjnë ty dhe Martini këta të tijtë, vetë Leka nuk do t’jua kishte bërë kurrë. E ka shkruar në Kanun, “Lajmësi nuk ka faj”. Mirë që s’është gjallë plaku kokëshkëmb i Dukagjinit se do ta kishin zhveshur dhe përjashtuar nga PD si kriptobaba! Kaloi ca orë të vetmisë duke imagjinuar se çfarë lufte do të bëhej kur ta akuzonin edhe vetë Lekë Dukagjinin, si element të bllokut të majtë ekstremist antiPD! Vallë po shkojmë në rrugët e Evropës apo po mbytemi në pellgun e folklorit. Si t’i bindësh prijësit shqiptar se nuk është e rëndësishme ta sundosh popullin tënd, por të bësh që mbi popullin tënd të sundojë drejtësia?
Po të dëgjosh çfarë thotë koka zyrtare e kulturës, i pandershmi Anagnosti, fajin e ka primitivizmi ballkanik. Dhe nuk e ka keq Ministri ynë, sepse ai vetë, lëvore e mbetur e megalomanisë napoleonike mbi Bulevardin Dëshmorët e Kombit, rri i ndryer në tendën e mbingarkuar me kopje të mëdha e të vogla të flamurit kombëtar dhe publikisht, me zë, pa e pyetur njeri, nxjerr në formë opinionesh nga koraca e vet kamxhikun e moralit (një tufë silogjizmash ekstravagante në majë të shkopit të arsyes primitive) duke goditur me një prepotencë mizavrasëse, që do të zilepste çdo provincial të dalë mode. Amoralitetin e njerëzve të caktuar të artit, të cilët kanë pësuar fatkeqësinë të mos mbyllin dot veshët dhe sytë përpara zhvillimit në formë groteske të aktivitetit dhe të personalitetit të tij politik.
I pandershmi Ministër as nuk e ka idenë që në atë tendë artistët amoralë nuk shkojnë për të admiruar njëqind e pesëmbëdhjetë e tre centimetra e lëvores së tij, por të interesuar për të ngritur probleme inpersonale që nuk kanë të bëjnë me personin por me instancën që ai përfaqëson, ndërkohë që Vaterloja vazhdon në kulturën shqiptare dhe rrënon përditë kujtesën figurative të kombit tonë duke përpirë statuja dhe ikona. Sidoqoftë, po të dëgjosh kokën e nderit të kulturës shqiptare Ismail Kadare, duhet pranuar se ne nuk bëjmë tjetër përpos nxirjes së realitetit dhe duhet besuar pa bërë zë fraza e tij lapidaro-konstruktive mbi kohën që po jetojmë, frazë të cilën shkrimtari i shquar ja lë amanet inteligjencës para fluturimit më të freskët për Paris. “Kjo është një kohë e mbarë”, tha Kadareja dhe pastaj i dha asaj bekimin, duke u kujdesur të ripërsërisë edhe dekalogun e tij ku spikasin porositë, “Mos thuaj gjysmë fjale për mua”, “Mos kritiko të parin e shtetit”, “Mos lër gjë pa thënë për kundërshtarët e mi”…
Më duket se letrës sime po i afrohet fundi mik i dashur. E lashë për në fund një kujtim të shkurtër të Frensis Bekonit, sepse kam ndjesinë që do të më ndihmojë ta mbyll këtë sorollatje të gjatë pseudointelektuale, ku u mundova mbi të gjitha mos të të shtoj mërzinë. “Qesh vetëm 17 vjeç kur pashë një mut qeni”, kujton me qesëndi rebeli i palodhur, “dhe mendova, ja kështu jemi të gjithë”.
Ky konstatim i mbetur në kujtesën e gjeniut mund të interpretohet gjithsesi. Interpretimi im modest është që njeriu nuk mund t’i bëjë asnjë sfidë realitetit mizerabël të gjërave nëse nuk ka bindjen se dekompozimin mundet vetëm ta luftosh, por jo ta mundësh. Pikërisht te lufta e pandërprerë qëndron triumfi i intelektualit mbi të pamundurën….

Edi Rama, 15 shkurt 1994

SHKARKO APP