20 votat e LSI
Gjatë ditëve të fundit personazhe të rëndësishme të Partisë Socialiste, që zakonisht nuk flasin pa miratimin e Edi Ramës, kanë hedhur idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Fillimisht ishte deputeti Pandeli Majko, i cili deklaroi se nëse reforma në drejtësi nuk kalon, vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve. Dje, Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe një nga deputetët më aktiv të selisë rozë shkoi dje edhe më larg sesa Majko. Ai tha se PS-së nuk i duhet një pushtet (qeveri) pa drejtësinë. Pra e thënë më troç që nëse nuk aprovohet drafti i specalistëve të PS për reformën në drejtësi nuk na duhet më pushteti, por të ikim në zgjedhje. Synimi i kupolës rozë duket se është ta marrin të vetëm pushtetin ose të ndërrojnë aleatë. Por kjo mund ti çojë në opozitë. Erion Braçe ka shkuar më larg kur thotë se qeveria dhe parlamenti nuk kanë vlerë para reformës në drejtësi. “Pushteti politik, legjislativ apo ekzekutiv nuk vlen pa një pushtet të drejtë, të ndershëm, profesional dhe efikas, të Drejtësisë!! Pushteti politik, legjislativ, ekzekutiv, na duhet për reformën!! Pushtet pa reformën është ky që kemi; Për vete – një grusht njerëzish që kurrë nuk u bënë të barabarte para ligjit si gjithkush, siç thotë Kushtetuta,- mund të mjaftojë, për ne jo!! Nuk mjafton për shoqërinë shqiptare!!”,- tha dje Braçe. Edhe pse qëndrimet e Majkos dhe Braçes nuk hyjnë tek qëndrimet zyrtare të Partisë Socialiste, ideja e zgjedhjeve duket se ka nisur të diskutohet seriozisht në selinë rozë.
Por një qëndrim tjetër ka kreu i LSI-së dhe numri dy i koalicionit të majtë, Ilir Meta. Nga qyteti i Gjirokastrës, dje Meta i është përgjigjur në mënyrë indirekte zërave për zgjedhje të parakohshme. Meta është ndalur në procesin e reformës në drejtësi, duke theksuar se pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, gjëra që i ndajnë palët janë më pak se më parë. “Komisioni i Venecias mendoj se i ka zvogëluar jashtëzakonisht dallimet dhe diferencat kështu që ka vend për optimizëm natyrisht të përmbajtur, por mbi të gjitha për përgjegjshmëri dhe konstruktivitet për të arritur një tekst përfundimtar të dakordësuar për ndryshimet kushtetuese përpara se Komisioneri për Zgjerimin, z. Hahn të vijë në Tiranë në fund të këtij muaji”,- tha kreu i Kuvendit dhe LSI. Ai konfirmoi se votat e LSI do të jenë për miratimin e reformës sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Ndërsa shtoi se për çështjet që ka ndarje mes palëve mund të diskutohet me misionet ndërkombëtare në Tiranë. “Për çështje ku do të ketë dallime të caktuara, ne përsëri kemi fatin që kemi EURALIUS-in, misionin e BE-së dhe OPDAT-in, atë të SHBA-ve, të cilët kanë kontribuuar që nga fillimi në asistimin e kësaj reforme dhe mund të jenë përsëri dy misione të cilat përbëjnë përsëri referencën e përbashkët dhe konsensuale për ato çështje ku ende ka disa lexime të ndryshme”,- tha kreu i LSI-së. Pse selia rozë hedh “silurën” e zgjedhjeve të parakohshme natyrisht si presion, kur ka vend për debate, takime, negociata mes PS, PD e LSI? E di PS-ja se mund të humbasë edhe pushtetin me zgjedhjet apo akoma është në endrren e verës së qershorit 2013? Ka rrjedhur shumë ujë që nga ai qershor i 1 milion votave.
Në momentin që PS kërkon zgjedhje, ndërsa PD-ja rikthimin e reformës nga fillimi, më e qartë mbetet LSI. Ajo insiston të miratohet para se të vijë komisioneri Hahn. Ka gati më shumë se dy vjet që ekspertë të pavarur dhe partiakë punojnë për hartimin e reformës në drejtësi. Në Venecia janë dërguar dy herë projekte që janë kthyer me rekomandimeve përkatëse. Opinioni i fundit i Venecias ka dhënë variantet më profesionale sesi duhet të jetë sistemi i drejtësisë. Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA dhe BE në Tiranë janë investuar në këtë proces si asnjë herë tjetër gjatë 25 viteve pluralizëm. Kanë ardhur e kanë dhënë eksperiencën e tyre jo vetëm ekspertë dhe diplomatë, por janë dhënë edhe financime nga partnerët tanë për të realizuar një reformë me standard, atëhere pse nuk ulen në tavolinë Rama-Meta-Basha?
Të kthesh debatin në pikën e nisjes dhe të kërkosh zgjedhje është jo vetëm humbje kohe, por dëshmi se reforma nuk do të bëhet ndonjëherë. Për më tepër, ideja për zgjedhje të parakohshme hap një tjetër debat. PD-ja dje u shpreh, pro zgjedhjeve, por jo me Edi Ramën Kryeministër. Insistimi i PS-së për zgjedhje, në mënyrë të njëanëshme, mund të destabilizojë qeverinë, pasi nuk i dihet se si lëvizin numrat në parlament. Nga ana tjetër a mund të shkohet në zgjedhje pa reformuar Kodin Zgjedhor? Reforma e Kodit kërkon po aq përgatitje sa dhe diskutime, bile me shumë se reforma në drejtësi ndaj për momentin duket e pamundur. Kështu që loja për zgjedhje të parakohshme duket si shantazh. Nuk i shërben mirëkuptimit mes palëve.
Por ka dhe një rrezik tjetër që zgjedhjet e parakohshme mund të zhbëjnë gjithë punën e reformës që është bërë deri më tani, pasi fituesi i tyre mund të ndryshojë komplet rregullat e lojës. Për të shmangur gjithë ekuacionin e ndërlikuar politik ka vetëm një mënyrë, rruga e konsensusit dhe siç ka ardhur nga Komisioni i Venecias.
Pa konsensus dhe pa variantin e komisionit të Venecias nuk duket se reforma do të kalojë në parlament. Nëse zgjedhjet e parakohshme afrohen, por pa bërë reformën e drejtësisë, atëhere edhe numrat e mazhorancës spostohen…. Nuk i dihet skemës “C” që është nën mëngen e dorës të dikujt në parlament.