2016-ta: Reformë e diktuar në drejtësi,moszbatim i saj,zgjedhje të parakohshme
Reforma në Drejtësi, e shumëkërkuar nga Ambasadori Amerikan Donald Lu dhe BE, do të realizohet më në fund. Natyrisht me debate e lëshime të dyanshme, por gjithsesi do njoh votim në parlament. Ndërkohë, paralel me diskutimet për Reformën ,PD-ja do të radikalizojë qëndrimin e saj ndaj qeverisë e sidomos kundrejt kryeministrit Rama. Nuk ka zgjidhje tjetër për Lulzim Bashën pasi në të kundërt digjet si figurë potenciale që gjeneron fuqi elektorale. Por radikalizimi i PD-së shkon paralelisht me një ekonomi të rënduar dhe me një dimër të ftohtë e pranverë që mezi do çelin sythet e mirëqënies së premtuar nga Edi Rama. Ndërkohë që LSI do të luajë rolin e një ndërmjetësi konsensual mes PS e PD, edhe për reformën, e cila nuk kalon dot pa 94 vota, të cilat Edi Rama nuk i gjen dot pa PD dhe LSI. Edi Rama ka thënë se me çdo kusht e çdo çmim do ta realizojë reformën në drejtësi në mënyrë që vendi të çlirohet nga “banda e gjyqtarëve të korruptuar”. Në dyert e parlamentit ku zhvillohen seancat dhe tek pragu pa hekura i kryeministrisë, pa harruar para çdo dere ministri të akuzuar për korrupsion, PD dhe opozita do të dyndin turmat me protesta gjithnjë e më të dhunshme. Situata do të tensionohet, pavarësisht se përfundimi dihet që reforma do të miratohet në Kuvend. Ndërkohë Edi Rama mbaron punë edhe me kongresin e PS-së, të shtyrë pafundësisht, dhe merr formalisht edhe një mandat katërvjeçar në krye të selisë rozë, duke bërë ndryshime të forta në Asamblenë e re dhe në kupolën e PS-së. Koço Kokëdhima ngjitet si numri dy në PS. Ikën Gramoz Ruçi me një marrëveshje që nuk do të zbatohet nga kryesia e re. Do t’i premtojnë se do ta fusin në listë për deputet në zgjedhje, por duket se me një Kokëdhimë si numri dy në PS, nuk do të ketë më vend për “pleqtë” e PS-së. Ben Blushi mund të kandidoj në kongres përballë Ramës , jo për të fituar, për t’i thënë bazës së socialistëve se nuk ka më PS të tyre, por të një grupi miliarderësh. Dhe do të shikojë për një PS të re, duke synuar pjesën gri të elektoratit dhe socialistët e zhgënjyer.
Por ndërkohë që kongresi mbaron punimet dhe reforma do të jetë në sallën e parlamentit, kur jashtë sallës do të jetë PD-ja më turma gjithnjë në rritje, të cilët do të turren për të mos lenë ministër të futet brenda, Edi Rama e ka një plan. Kushdo që e merr të lehtë Ramën e ka gabim. Ai ka pushtetin, ndonëse me një kopje çelesi edhe Ilir Meta. Kryeministri ka eksperiencë tashmë, ka lekë përreth biznesmenëve pranë pushtetit, dhe ka një fuqi kushtetuese të pandalshme. Në vitin 2008 ia futi Berisha me ndryshimet në Kushtetutë për fuqinë e kryeministrit për ta çuar kurdoherë vendin në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë. Tashmë ajo Kushtetutë është prapë në fuqi, ndonëse Rama do të bëjë ndryshime kushtetuese vetëm në ato nene e kapituj ku flitet për drejtësinë , por jo për fuqinë e gjithëpushtetshme të kryeministrit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por me atë kryeministër. Këtë mandat kushtetues e ka Edi Rama. As Ilir Meta e as Lulzim Basha, por as krejt klasa politika sikur të ngrihet kundër tij ,nuk mund ta mbajnë Edi Ramën ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Dhe shkon me Kushtetutë si kryeministër direkt në zgjedhje për 45 ditë ! Vetëm këtë vit ka shansin t’i fitoj prapë zgjedhjet, pasi akoma nuk ka plasur kriza ekonomike hapur e kudo. Del parti e parë, ndonëse nuk merr e vetme pushtetin, sepse nuk ka asnjë përllogoritje që mund t’i jap me shumë se 60 mandate, në mos merr më pak, por ama del si parti, e cila merr të drejtën të krijojë qeverinë. Për të shkuar në zgjedhje të parakohshme duhet që Kryeministri të kërkojë Mocion Besimi dhe të mos marrë 71 vota. Nëse Rama nuk do, nuk i merr! Një porosi ndaj deputetëve të tij që të mos e votojnë dhe është në rregull me Kushtetutën. Ikën në zgjedhje në momentin kur nuk e presin as PD e as LSI.
Ja se ç’thotë neni 104 i Kushtetutës: 1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.
Pra ky variant është në kokën e Edi Ramës. Ka edhe një plan tjetër nga kundërshtarët. PD-ja dhe ndonjë parti tjetër , të cilat nuk duan të shkojnë në zgjedhje me dëshirën e Ramës, po mendojnë kundërpërgjigjen ndaj skemës së liderit të PS. E kanë frikë se Edi Rama shkon i blinduar me pushtet, edhe policor. PD-ja nuk pranon të futet në zgjedhje me ministrin Tahiri. Në momentin që rrëzojnë Saimir Tahirin i heqin një këmbë karrikes së kryeministrit.
Nëse Rama nuk shkon vetë në zgjedhje, por situata politike shkon në atë skaj sa nuk qeveriset më nga protestat e dhunshme të opozitës ,por reforma kalon nga detyrimi i SHBA dhe BE të cilët do të rrijnë si “xhandar” mbi kokat e Ramës, Metës dhe Basha-Berisha, atëhere palët politike antiRama nuk do të lejojnë zbatimin prej Kryeministrit Rama të reformës së miratuar të drejtësisë. Edi Rama pas reformës do të jetë i egër edhe kundrejt aleatit të tij qeverimbajtës. Shenjat u dhanë në çështjen e DIA-CEZ ku ministri Gjiknuri nxori dokumenta kundrejt Ilir Metës, por natyrisht me lejen e Ramës. Ndaj prokuroria nuk do të jetë kjo, gjykata e lartë nuk do të jetë kjo, dhe byroja kombëtare e hetimit do të jetë krejtësisht në duart e Edi Ramës, e kësisoj dhëmbët e tij do të bluajnë së pari në kampin e së majtës sepse i rrezikojnë votat, pra pushtetin e sotëm dhe atë të endërruar pas zgjedhjeve të parakohshme apo të radhës. Edi Rama do të godasë pikërisht Ilir Metën. Të parin! Kjo është aksiomë e numrit dy në PS ,Koço Kokëdhimës, i cili nxit kryeministrin që “ sa të jetë Meta ka LSI dhe sa ka LSI nuk kemi pushtet të pa kontrolluar!”. Pra sulmi i parë frontal pas miratimit të reformës do të drejtohet ndaj Ilir Metës, pikërisht nga Edi Rama. PD-ja mund të ndalojë për pak sa të shikojë kacafytjen Rama-Meta, e cila prapë përfundon me zgjedhje të parakoshme, por me variantin e Ramës që fut mocion besimi në parlament për veten e tij dhe nuk e merr (!) duke shkuar për 45 ditë në zgjedhje. Por me Ramën kryeministër në zgjedhje. Kjo është goditje edhe për Lulzim Bashën i cili kërkon gjoja zgjedhje të parakohshme, por që e di se nuk i fiton.
Ilir Meta nuk fle, as Berisha. Basha pret miratimin normal të ish-liderit Sali. Duke e ditur skemën, por duke njohur edhe marrëdhëniet ndër vite me Ramën, kreu i LSI, nuk duket se do të presë që t’i nxjerrin “sytë”, porse do synoj që në zgjedhje të shkojnë pa Edi Ramën kryeministër. As Meta , as Basha dhe as Berisha nuk e duan për vete këtë karrike provizore! Do të bëjnë mocion mosbesimi dhe do të japin edhe emrin e kryeministrit të ri, sipas Kushtetutës. Pra qeveri teknike në thelb.
Ja se ç’thotë neni 105 i Kushtetutës: 1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në
Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.
2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.
Dhe si për diversion, por edhe për ta shkatërruar PS-në, palët kundërshtare PD, LSI dhe PDIU (një pjesë) do të propozojnë emrin e Ben Blushit për kryeministër për ta çuar vendin në zgjedhje. Ose edhe Shpetim Idrizin si variant që të mos bëjë shifrën 71 vota në parlament, Edi Rama. E kanë edhe një emër nga PS që për t’u bërë njëherë kryeministër është gati ta pranojë ofertën e PD-LSI-PDIU.
Ndërkohë Reforma është e miratuar dhe Presidenti i Republikës Nishani e dekreton mënjëherë hyrjen në fuqi. Por zbatimin e reformës që kërkon muaj kohë e përplasje për emrat në drejtësinë e re nuk do të bëhet me Edi Ramën kryeministër.Kjo është skema që po luhet nën rrogoz.
Zgjedhjet e reja si me Ramën kryeministër, por edhe pa Edin kryeministër përsëri parti e parë do të dalë PS. Por do të jetë një qeveri pa Edi Ramën kryeministër, pas zgjedhjeve.
Këtu fillon historia e re e Drejtësisë, sipas grupit antiRama!
Të gjitha këto variante dhe përllogoritje politike mund të zhbëhen në moment nëse Edi Rama vendos paqe të sinqertë me Ilir Metën. Por paqe nuk duket sepse të dy rrijnë me “brekë çeliku” kohët e fundit, pasi edhe “brekët e hekurit” u shpuan nga mosbesimi. CEZ-DIA e hapi një “vrimë” ndaj nuk ka Zot që i bën të besojnë më njëri tjetrin, sidomos me drejtësinë e re.
Edhe Edi Rama nuk rri duke fjetur gjumë! Po mendon disa skema, por për dreq sa kohë ka Kokëdhimën si lider shpirtëror e udhërrëfyes e ka të vështirë të thithë partneritet, sidomos mediatik. Sikur të bënte ndryshime drastike në qeveri, sikur të arrestonte edhe ndonjë ministër të tij për korrupsion mund të kishte sukses e mbështetje si dikur në qershor 2013.