“21 Janari”, një arsye më shumë për reformën në drejtësi

Nga Qamil Xhani.

 Gjykata e Lartë rrëzoi dje rekursin e Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen e “21 Janarit”. Vrasja e katër protestuesve më 21 janar të vitit 2011 është një nga ngjarjet më të rënda në 25 vjet pluralizëm. E megjithatë, pas gati pesë vitesh procese gjyqësore drejtësia dështoi të thoshte fjalën e saj. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë, edhe pse ende jo në formë zyrtare, praktikisht e “varros” çështjen e zbardhjes së vrasjeve në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Për këtë ngjarje tashmë drejtësia nuk është vetëm e vonuar, por në mënyrë gati kriminale e mbylli me disa dënime qesharake.

Procesi gjyqësor për ekzekutuesit e 21 janarit 2011 nisi më 30 prill 2012, kur prokuroria ju drejtua Gjykatës së Tiranës për dënimin e tre të pandehurve nga radhët e Gardës së Republikës. Të akuzuar ishin Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume. Organi i akuzës kërkoi 23 vite dënim për ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, 25 vite për gardistin Agim Llupon dhe Margarit Kume. Më 7 shkurt të vitit 2013, Gjykata e Tiranës vendosi deklarimin e pafajshëm të tre të akuzuarve, duke i dënuar vetëm me detyrim paraqitje. Prokuroria apeloi vendimin dhe pas kësaj gjykata dënoi vetëm me 1 vit burg Ndrea Prendin dhe 3 vite Agim Llupon.

Procesi vazhdoi me Gjykatën e Lartë, ku Prokuroria bëri rekurs për vendimet me 1 dhe 3 vite burg. Por dje, pas tre vitesh, Gjykata e Lartë është shprehur për çështjen duke mos pranuar kërkesën e fundit të prokurorisë.

Historia e 21 Janarit është një kalvar i gjatë procesesh, akuzash dhe rendje të familjeve të viktimave në dyert e gjykatave. Ka mjaft detaje nga procesi i hetimeve që ende kanë mbetur të pazbardhura. Në gjyq përfunduan drejtues dhe punonjës të Gardës së Republikës, ndërkohë që, dihet se vrasja e pesë 4 personave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u bë me urdhër. Vrasjet nuk ishin një incident, apo zbatim i Rregullores së Gardës, por një urdhër politik që ka dalë nga zyrat e Kryeministrisë. Historia është ende e freskët. Ka dëshmi e prova që faktojnë se 21 janari ishte një ekzekutim publik i protestuesve.

Për të gjitha këto gjykatat heshtën dhe as nuk ju afruan të autorëve të vërtetë që ideuan 21 Janarin. Deri në vitin 2013 pengesa e procesit justifikohej me ndikimet politike. Përfshirja e drejtuesve të Partisë Demokratike në ngjarjen e 21 Janarit argumentohej si një presion që u bëhej gjykatave. Sot në pushtet janë drejtuesit e partisë për të cilën u vranë 4 persona në protestë, ndaj mbyllja e çështjes duket absurde. Është njëlloj sikur viktimat të jenë vrarë sërish. Këtë herë jo nga pushkët e gardës, por nga vendimet e gjykatave.

Është nga ato raste, kur reagimet me deklarata ndaj vendimeve të padrejta drejtësisë nuk kanë më vlerë. Ka pesë vjet që për çdo dështim të procesit në shkallët e gjyqësorit për këtë çështje thuhen të njëjtat fjalë: “drejtësi e korruptuar dhe drejtësi kriminale”. Kjo nuk mjafton më. Nuk ka më as justifikime për të majtën që çdo 21 janar vendos lule në bulevard dhe mjaftohet me fjalime. Nuk i hyjnë më askujt në punë dhe aq më pak të afërmve të familjeve të viktimave.

I vetmi shërbim që mund t’i bëjë politika kësaj çështje është miratimi i reformës në drejtësi. Kjo është e vetmja mënyrë që më pas gjykatat të mos japin vendime të turpshme si ky i djeshmi që fyejnë gjithë shoqërinë.

SHKARKO APP