31 deputetë do të lënë Parlamentin
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:36
Procesi i dekriminalizimit të politikës dhe administratës shtetrore, një nga çështjet më të përfolura gjatë dy viteve të fundit, duket se do të trondisë themelet e politikës. Drafti që po hartojnë ekspertët e Partisë Socialiste për largimin e të dënuarve nga administrata dhe funksionet publike pritet të sjellë largimin e një numri të konsiderueshëm zyrtarësh të administratës, por edhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Këtë e ka kërkuar më përpara PD. Ndërsa ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, paralajmëroi dy ditë më parë se ligji është gati dhe se do të miratohet në muajin shtator. Pra brenda 15 ditëve, Kuvendi pritet të diskutojë një nga reformat që u ndalon zyrtarëve të cilët kanë kryer vepra penale, të jenë pjesë e administratës publike dhe në parlament. E reja e projektit të PS-së është se ligji do të ketë fuqi prapavepruese. Pra, do të penalizojë jo vetëm kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, por deputetët dhe zyrtarët aktual të administratës shtetërore. Efekti i parë i këtij ligji, nëse do të miratohet, do të shtrihet pikërisht atje ku edhe debati për kriminelë dhe shkelës ligji ka qenë më i madh, në Parlament. Sipas Partisë Demokratike, në Kuvend janë 19 deputetë të dënuar nga gjykatat për vepra të ndryshme dhe me rekorde kriminale. Po ashtu, në radhët e Partisë Demokratike janë më shumë se 12 deputetët që kanë pasur probleme me ligjin, janë dënuar nga gjykatat, ose kanë procese në vendet e tjera. Pra, nëse procesi i dekriminalizimit do të merret seriozisht nga politika, janë të paktën 31 deputetët që do të lënë mandatin duke ndryshuar komplet pamjen e sotme të Kuvendit. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në administratë, ku spastrimi do të nisë që nga nëpunësit e thjeshtë dhe deri tek drejtuesit e lartë të institucioneve. Po ashtu, efekti i ligjit do të prekë dhe kryetarët e bashkive që u zgjodhën më 21 qershor, për të cilët ka jo pak akuza.
Me projektligjin që kryeministri Rama do të paraqesë në Parlament pritet që Partia Socialiste të zgjidhë në mënyrë përfundimtare dhe të shpejtë çështjen e deputetëve problematikë. Ligji i hartuar nga ekspertët e PS-së, i cili ende nuk është bërë publik me detaje, ka lënë një hapësirë për largimin e zyrtarëve, duke bërë pjesë të dekriminalizmit vetëm ata që janë dënuar me vendim të formës së prerë në gjykatë. Një projekt i tillë duket se shpjegon dhe dorëheqjen e deputetti të Lezhës disa ditë më parë. Nga ana tjetër, PS-ja duket se “heq qafe” me këtë ligj dhe deputetët e tjerë që janë në proces gjykimi, por që ruajnë ende mandatin. Ndërkohë që vetë Partia Demokratike kërkon që ligji i dekriminalimzit të përfshijë dhe ata që kanë rekorde kriminale, pra edhe në rastet kur nuk ka vendim gjykate, por ka akuza të forta që i implikojnë në vepra të ndryshme. Çështja e prezumimit të pafajësisë është pjesa që ndan dy variantet e dekriminalizmit. Megjithatë, parimisht palët kanë dakordësinë që ligji i dekriminalizmit të miratohet. Me shumë gjasa, për shkak të votave në Kuvend, do të miratohet varianti i qeverisë, i cili edhe në këtë formë do të shkaktojë tërmet në politikën shqiptare. Ndërkohë, ironia është se ligji do të miratohet vetë nga një pjesë e deputetëve që preken nga kjo nismë. Ndaj pritet që edhe brenda vetë mazhorancës, të ketë tensione dhe presione për krijimin e “xhepave” ligjorë për të shpëtuar nga efektet e ligjit.
Në partitë kryesore ka nisur llogaritja e pasuesve në listat e deputetëve që do të lënë mandatin si pasojë e dekriminalizimit. Por edhe në këtë pikë duket se do të hasin në probleme, pasi ka raste kur edhe emrat pasues kanë sërish probleme me ligjin.
Sipas një përllogoritje nga gjithë listat e kandidatëve për deputetët në KQZ të rregjistruar në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 kur fitoi PS dhe LSI ka një ndër tre deputetë me çështje penale ose të përzier në grupe kriminale.
Kjo është skandaloze e ndaj më mirë bëjnë ta shkrijnë këtë parlament e të shkojnë në zgjedhje të reja parlamentare.