35 kompani private falimentojnë Bankat
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:39
Borxhi i disa kompanive private që kanë shuma marramendëse në kredi të pashlyera disa bankave është bërë shkak që këto banka nuk japin asnjë kredi biznesit të mesëm e të vogël, duke bllokuar rritjen e ekonomisë. Ndërkohë që ekonomia është bllokuar, edhe për këtë problem, po mendohet një zgjidhje “origjinale” e qeverisë ku këto kredi të këqija t’i marrë përsipër qeveria si garante ndaj bankave duke krijuar Agjensinë e Kredive të Këqija. Por pse qeveria nuk lejon gjithë mekanizmat e saj ligjorë që të operojnë që bankat të bëjnë sekuestrimet e këtyre biznesve, por u dashka që gjithë taksapaguesit shqiptarë të paguajnë indirekt kreditë qindra milionëshe të 35 kompanive private të cilat janë zhdëpur në kredi e në qejfe, dhe tashmë nuk i paguajnë? Pse po kërkohet të mos dalin emrat e këtyre kompanive që kanë çuar disa banka në prag falimentimi financiar ku nuk kanë gjendje në cash apo për të dhënë kredi sado të vogla për rritjen e financimin e biznesit të vogël apo të mesëm? A ka rrezik të falimentojnë disa banka nga kreditë e këqija? Ka, dhe ky rrezik nuk duhet zgjidhur që Qeveria të marrë mbi vete këto kredi si garante, ndërkohë që qeveria e zgjedhur përfaqëson interesat e gjithë qytetarëve. Nuk mundet që ministria e financave nën rrogoz të garantojë këto 35 kompani se “ nuk do të falimentoni pasi qeveria nuk ju lëshon!”?
Dje Televizioni Klan ka filluar shpërthimin e një bombe me efekte të paparashikueshme: Faktin e 35 kompani të mëdha shqiptare që i kanë borxh bankave të vendit pjesën më të madhe të një shume 1 miliard USD. Janë pikërisht kreditë e këqia të këtyre kompanive që kanë ulur kreditimin në vend një nga pengesat më të mëdha për rritjen ekonomike. Sipas Klan:"Ky fenomen prej vitesh është mbajtur i fshehtë, duke mos u bërë publik as shuma e borxhit të pakthyer, por as emri i kompanive të borxhlinjëve, madje në shumë raste këto kompani jo vetëm nuk kanë shlyer borxhet shumëmilionëshe ndaj bankave, por janë favorizuar duke marrë kredi të reja duke e shtuar edhe më shumë vlerën e stokut të borxhit". Ndaj duhet bërja publike e bizneseve që kanë borxhe maramendëse. Edhe dje, pavarësisht se Banka Qëndrore nuk e mban të fshehtë shumën prej 70 miliardë lekë të 35 kompanive, sërish emri i tyre nuk bëhet publik.Por a duhet t’i publikojë Banka Qëndrore emrat e kreditorëve të këqinj që mbajnë peng 70 mld lekë të qytetarëve?
Por edhe publiku e biznesi tjetër pyet: Pse Guvernatori i ri Bankës Shqiptare nuk jep listën e borxhlinjve të këqinjë? Pse i fshehin apo këto " supërbiznesmenë" që janë duke marrë edhe bankat me vete në humnerë, po paguajnë nën dorë dikë në Bankën e Shqipërisë që të mos iu dal emri në publik ? Informacione nga qeveria tregojnë se janë në ankth se mos falimentojnë disa banka private dhe njërëzit humbasin paratë e tyre.
Pse nuk bëhen të ditur emrat e 35 kompanive që po çojnë në gropë krejt sistemin financiare e bankar në Shqipëri? Ku po paguajnë disa prej tyre që të mos u dali emri në publik?