5 milionë euro mediave servile
Një padi e Ministrisë së Financave për ish-drejtuesit e kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG flet për abuzime me përmasa marramendëse. Sipas padisë, janë 5 milionë euro të shpërdoruara nga dega e kësaj kompanie në Kosovë. Abuzimet kanë ndodhur gjatë vitit 2009 deri në vitin 2013. Por skandali bëhet edhe më i madh kur mësohen sesi janë vjedhur këto lekë. Sipas padisë së Ministrisë së Financave, abuzimet 5 milionë euro janë bërë me reklama për mediat dhe dietat e udhëtimeve të personelit të kompanisë. Pas padisë së bërë nga Ministria e Financave, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për abuzimet marramendëse.
Gjatë ditëve të fundit janë marrë dëshmitë e zyrtarëve të lartë që kanë drejtuar degën e institucionit në Kosovë, por dhe drejtuesit e përgjithshëm në Tiranë. Ish-drejtorët e Përgjithshëm Saimir Zemblaku, Tomorr Kalaja dhe ish-drejtuesi i Degës Kosovë, Arben Breshani kanë dhënë sqarime lidhur me fondet, duke u shprehur se çdo shpenzim është miratuar nga Këshilli Mbikqyrës. Njëlloj si në rastin e Bankës së Shqipërisë, edhe këtë herë, drejtuesit fshihen pas procedurave që lidhen me vendimet kolegjiale. Hetimet kanë nxjerrë se shpenzimet janë bërë kryesisht në fushën e reklamave mediatike dhe marketingut. Llogaritet se më shumë se 3 milionë euro janë përdorur vetëm për reklama që u janë dhënë mediave. Ndërsa rreth 1 milion euro u janë dhënë punonjësve si shpërblime pagash dhe dieta udhëtimesh. Pjesa tjetër, prej me shumë se një milion euro, është përdorur nga kompania si shpenzime për riparim zyrash, materiale dhe sponsorizime. Dyshimet janë se shumë prej fondeve, sidomos ato për reklama, janë bërë me fatura fiktive dhe mungojnë procedurat shoqëruese që duhet të shpjegonin arsyen e vërtetë të miratimit të këtyre shpenzimeve. Një pjesë e fondeve rezulton se janë përdorur dhe jashtë destinacionit që ato kanë pasur. Hetimet për këtë abuzim pritet të përfshijnë dhe persona të tjerë veç ish-drejtuesve, pasi pritet të merren në pyetje dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe administratorët e shoqërisë. Gjithashtu, sqarime pritet të japin dhe ish-drejtues të Ministrisë së Financave, autoriteti nga i cili varet INSIG-u.
Instituti i Sigurimeve (INSIG) është kompani sigurimesh, e cila menaxhohet nga Ministria e Financave dhe gjithë kapitali i saj është shtetëror. E themeluar në vitin 1991, kompania ka degë të rëndësishme veç Shqipërisë , në Kosovë dhe në Maqedoni. INSIG është një nga kompanitë e sigurimit të pronave me fitime të konsiderueshme. Por pavarësisht se është një institucion shtetëror, rezulton ndër më pak transparentët. Në faqen zyrtare të internetit nuk gjendet asnjë e dhënë mbi funksionimin e institucionit dhe mbi aktivitetin konkret dhe jo më për aktivitetin që kanë kryer ish-drejtuesit e mëparshëm, të cilët dyshohen për abuzime. INSIG ka një rol mjaft të madh në kontrollin e kompanive të sigurimeve dhe në caktimin e tarifave bazë për një pjesë të shërbimeve. Dyshimet për abuzime dhe të anëtarëve të Këshillit të mëparshëm Mbikqyrës nuk kanë munguar dhe më parë, sidomos për çështje që lidheshin me vendosjen e tarifave për sigurimet. Por shifra e nxjerrë nga Ministria e Financave për 5 milionë euro abuzime është një skandal i përmasave mjaft të mëdha. Burime nga Prokuroria thanë se po hetojnë edhe për destinacionin e parave që janë përdorur për reklama dhe tregun mediatik ku ato kanë përfunduar. Ka dyshime se pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për klientët dhe mediat që kanë qenë afër qeverisë së Berishës, si dhe kompani marketingu që operojnë në Kosovë, por pronarët i kanë pasur në Tiranë dhe kanë qenë njerëz të afërt të drejtueseve të qeverisë së kaluar. Ashtu si dhe në rastin e Bankës së Shqipërisë, gjithë përgjegjësitë fshihen pas vendimeve që ka marrë Këshilli Mbikqyrës. Në vetëm dy skandale që janë publikuar, Banka e Shqipërisë dhe INSIG, dëmi i shkaktuar buxhetit arrin në 10 milionë euro, një shifër që duhet të vërë në lëvizje gjithë strukturat e shtetit për të parë sesi kanë funksionuar dhe funksionojnë e shpërdorohen paratë e publikut në institucione të ngjashme publike. Gjithashtu, duhet parë dhe mënyra e ndëshkimit të abuzimeve. Nuk mjafton të zbulohen skandale, por edhe të ndëshkohen autorët përgjegjës dhe mbi të gjitha, të gjenden paratë. Por duhet dhe t’u merren paratë personave që kanë abuzuar. Paratë e vjedhura në Bankën e Shtetit nuk u zëvendësuan më, por u morën përsëri nga buxheti i këtij viti. Nëse abuzimet me INSIG-un rezultojnë të vërteta, duhen gjetur dhe paratë t’i kthehen shtetit. Në të kundërt, qytetarët vidhen dy herë. Një herë kur zyrtarët fusin duart në buxhet dhe abuzojnë me lekët e kompanisë për reklama, udhëtime dhe hera e dytë, kur shteti i zëvendëson lekët e vjedhura me paratë e buxhetit të taksave tona.
Skandale të tilla korruptive kanë nevojë për pranga e ndëshkime shembullore, pasi është bërë modë vjedh, dënohesh pak muaj e del, por milionat e vjedhura i kanë të mbrojtura.
E kush nuk hyn në burg pasi të marrësh 5 milionë euro e të dalësh prapë, ndërsa paratë nuk t’i prek njeri?! Duhen jo vetëm pranga, por dhe të kthesh paratë që janë përlarë nga buxheti i shtetit. Kjo është drejtësi.