A do shpërndajë Parlamentin, Nishani?
Kur konsensusi politik pozitë- opozitë ishte arritur për çështjet kryesore të reformës në drejtësi, Partia Demokratike ka rikthyer situatën në pikën zero. Deputetët e opozitës bllokuan dje punimet Parlamentit, me argumentin se është shkelur kushtetuta për mos dërgimin e mandatit të Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetëve të PD-së, Kuvendi duhet që ashtu si në rastin e Koço Kokëdhimës të çojë në gjykatë edhe mandatin e dy deputetëve të tjerë, Leskaj dhe Suli. Ky bllokim i Kuvendit është shoqëruar dhe me pezullimin e negociatave për reformën në drejtësi.
Por ndërsa fati i reformës ende nuk dihet, ish-kryeministri Sali Berisha bëri dje një deklaratë surprizë. Në një prononcim për mediat, ai propozoi shkrirjen e Parlamentit dhe i kërkoi Presidentit të vendit, Bujar Nishani që të ndjek procedurat për një akt të tillë. Sipas tij, me mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyron Kuvendi t’i dërgoj në këtë institucion kërkesat për heqje mandati, ndodhemi në një grusht shteti brenda shtetit. “Presidenti i Republikës duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët konstitucionalistë më të mirë të vendit, për të marrë këshillën dhe për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetueses, ndaj këtij grushti shteti që ka konsumuar Parlamenti. Kur një institucion i merr pushtetin në mënyrë antikushtetuese institucionit tjetër, ky quhet grusht shteti brenda shtetit. Ky Parlament nuk meriton të ekzistojë. Të shkrihet”,- u shpreh dje ish-kryeministri. Pak orë pas deklaratës së ish-kreut të qeverisë, nuk ka vonuar edhe reagimi i Presidentit Bujar Nishani. I pyetur nga gazetarët lidhur me shkrirjen e mundshme të Parlamentit, kreu i shtetit ka deklaruar se në çdo rrethanë Presidenti do të ndjekë dhe do të zbatojë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.
Berisha e argumentoi kërkesën për shkrirjen e parlamentit me mandatin e deputeteve të PS. Por realisht ky duket se është vetëm preteksti. Jo rastësisht qëndrimi radikal vjen vetëm në prag të miratimit të reformës në drejtësi. Vetëm dy ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu garantoi mbështetjen e SHBA-ve për Byronë Kombëtare të Hetimit që do të hetojë korrupsionin në sferat e lara. Jo rastësisht vizita e kreut të PD-së në SHBA, Lulzim Basha u pasua me ecjen para të projektit për miratimin e reformës në drejtësi.
Me deklaratën e bërë dje, Berisha ka frenuar çdo negociatë dhe ka vënë në pikëpytje qëndrimet e kreut real të PD, Lulzim Basha, i cili në SHBA thotë se reforma do kalojë dhe në Tiranë deputetët e PD bojkotojnë komisionin.
Por sa reale është një kërkesë për shkrirjen e parlamentit? Ish-kryeministri kërkoi dje nga Presidentit që të konsultohet me juristët për shkrirjen e parlamentit. Në fakt, Presidentit është i zgjedhur nga Parlamentit dhe hapësira ku mund të lëviz për një akt të tillë është e paqartë juridikisht dhe do të duhej një interpretim i Gjykatës Kushtetuese. Sipas ligjit themeltar të shtetit, Presidentit shpërndan Parlamentin në rastet kur nuk arrin të zgjidhet Kryeministri nga shumica. Por që të arrihet në këtë pikë duhet një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ose një çarje e koalicionit.Vetëm Ilir Meta e ka në dorë qeverinë dhe mosvajtjen në zgjedhje siç do Berisha.
Në qëndrimin e djeshëm të Berishës është interesant vetëm një fakt. Janë dy ish-kryeministra që kërkojnë të njëjtën gjë. Berisha shkrirjen e Kuvendit dhe ish-kryeministri Pandeli Majko zgjedhje të parakohshme. Pavarësisht sesi argumentohen, Berisha për mandatet e deputetëve dhe Majko për mosvotimin e reformës, në thelb kërkojnë të njëjtën gjë; çuarjen e vendit në zgjedhje.
Apo mos vetë PD e PS kanë rënë dakort në heshtje të mos e miratojnë kështu reformën në drejtësi, pasi të dyja preken nga Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe po e spostojnë me hile ambasadorin Lu nga miratimi i reformës?
Mësohet se mbrëmë presidenti Nishani ka thirrur konstitucionalistë të njohur për ti pyetur për gjetjen e mënyrës për shkrirjen e parlamentit dhe çuarjen në zgjedhje.