A duhen arrestuar gjyqtarët e Shkodrës?
Vrasja e dy turistëve çekë, një ngjarje që shokoi opinionin, ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje pa përgjegjshmërinë kriminale të gjykatave shqiptare. Krimi i kryer nga Sokol Mjacaj, bëhet edhe më i rëndë për faktin se autori rezulton të jetë me precedentë kriminalë. Dhe nuk bëhet fjalë për precedentë të zakonshëm, por për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në vrasjen makabre të një minoreni 13-vjeçar në vitin 2010 më komunën Pllanë. Mjacaj së bashku me dy vëllezërit Kodra kanë vrarë për një varëse floriri një 13-vjeçar. Për këtë krim të kryer në mënyrë monstruoze, duke e goditur me sende të forta minorenin dhe më pas zhdukjen e trupit në lumë, gjykata është treguar më shumë se zemërgjerë. Të copëtosh një fëmijë me gurë në trup e në kokë duke i sjellë vdekjen vetëm për ti vjedhur një varëse floriri kjo është ç’njërëzore, bile kanibale. Dhe gjyqtarët kanë mbyllur një sy. Fillimisht, Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për dy vëllezërit dhe 10 vjet burg për Mjacajn. Këtë vendim ka dhënë fillimisht Gjykata e Shkodrës. Por dy vite më pas, Gjykata e Apelit në Shkodër ndryshoi vendimin dhe njërin prej vëllezërve Kodra e ka dënuar me 11 vjet dhe tjetrin nga burgim të përjetshëm në 25 vjet burg. Ndërsa Sokol Mjacajn vetëm me 4 vite burg, duke ia përgjysmuar dënimin. Vendimi është dhënë nga gjyqtarët Musa Halili, Fuat Vjerdha, Luan Dervishi.
Tre gjyqtarët nuk e kanë dënuar Mjacajn për vrasje në bashkëpunim, por për “moskallëzim krimi”, duke u nisur nga mosha e tij minorene, edhe pse rezultonte se kishte marrë pjesë në torturimin e 13-vjeçarit dhe më pas e kishte fshehur trupin e tij. Një muaj më parë, ai u lirua nga burgu dhe të premten e kaluar vrau dy turistët çekë, në tentativë, sipas tij, për t’u vjedhur makinën. Rasti i Sokol Mjacajt është flagrant për mënyrën e papërgjegjshme të vendimeve që kanë dhënë gjykatësit. Është nga ato raste kur nëse do të ishte zbatuar vendimi i parë i gjykatës së Shkodrës, dy turistët çekë do të ishin ende të gjallë dhe nuk do të kishin përfunduar të maskruar nga 20-vjeçari Mjacaj.
Ndërsa krimi i fundit nuk lë vend për dyshime lidhur me dënimin me burgim të përjetshëm vlen të analizohet se çfarë i shtyu gjyqtarët të jepnin më pak se 4 vjet burg për bashkëpunimin në vrasjen e minorenit. Në dosjen e vendimit për vrasjen e parë, Mjacaj ka pranuar se ka marrë pjesë në torturimin, vrasjen dhe më pas zhdukjen e trupit të 13-vjeçarit. Një profil krimineli të tillë gjykatësit e kanë ndëshkuar njëlloj sikur të kishte kryer një vjedhje të zakonshme dhe jo një vrasje horror. Argumenti që ka qenë minoren nuk qëndron krejtësisht për drejtësinë shqiptare. Janë po këto gjykata që kanë dënuar me nga 2-4 vjet burg të rinj vetëm pse kanë pasur një cigare hashash për përdorim vetjak në xhep apo se kanë vjedhur një telefon celular.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pas arrestimit të autorit nuk hezitoi të shigjetonte drejtësinë si fajtore direkte të krimit. Ministri Nasip Naço urdhëroi dje inspektimin e vendimeve që kanë dhënë gjyqtarët e Shkodër lidhur me rastin e Sokol Mjacajt. Institucionet janë vënë në lëvizje, por kjo ndodh vetëm pasi Mjacaj kreu vrasjen e dy turistëve. Në fakt, vendimi i tre gjyqtarëve të Shkodrës është kundërshtuar në rrugë zyrtare dhe nga familjarët e 13-vjeçarit të vrarë në vitin 2010. Por askush nuk ka ndërmarrë asnjë verifikim derisa Mjacaj kreu një tjetër krim monstruoz. Kjo e bën edhe më flagrante gjithë historinë dhe duket sikur vrasja e turistëve çekë ka qenë e paralajmëruar, vetëm se askush nga institucionet nuk ka reaguar. Janë të njëjtat institucione që kanë dhënë vendime me burg për prindër që kanë vjedhur energji elektrike. Kanë lënë në qeli kryefamiljarë, sepse kanë shkelur ligjin për ndërtimet pa leje dhe kur vjen puna që të respektojnë ligjin për krimet e rënda, çuditërisht tregohen zemërgjerë. Kanë marrë euro apo janë të pa përgjegjshëm si gjyqtarë?!
Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu foli dje për gjyqtarë dhe prokurorë që duhet të dënohen për korrupsion. Sipas tij, besimi i publikut mund të kthehet tek drejtësia vetëm nëse do të ketë arrestime në nivelet e larta të drejtësisë. Ambasadori foli për korrupsion dhe gjithë vendimet e turpshme që jep drejtësia. Rasti i Mjacajt është i tillë. Një vendim i turpshëm që solli viktima të tjera. Ky është rasti edhe për të ndëshkuar gjyqtarët e Shkodrës që në njëfarë mënyre, sot mund të quhen edhe “bashkëpunëtorë” në vrasje me vendimin që kanë dhënë.
Por ka disa gjyqtarë që duhen jo vetëm pushuar, por edhe arrestuar. E nuk duhet asnjë falje për askënd. Ata që japin vendime për pranga për të tjerët kanë nevojë edhe për pranga në duart e tyre.