A është Saimir Tahiri “Bruti” i Ramës?

Saimir Tahiri është ministër i Brendshëm. Në mos ministri më i suksesshëm. Njeriu më i afërt i Edi Ramës. Më besniku i tij. Kështu ishte edhe historia e Brutit me Jul Qezarin, dikur, në pak vite para Krishtit. Në fund të shkrimit lexoni historinë për shpëtimin e Romës prej Jul Cezarit, i cili nga hero i romakëve, nga idhull i tyre donte të bëhej Perandor i përjetshëm, më saktë diktator.

Thuhet se çdo krahasim çalon, porse po e provojmë. Në PS sot Edi Rama është si Jul Cezari, dikur. Nuk bën kongres prej tre vitesh ndonëse u detyrua më në fund të caktojë 19 marsin si ditë kongresi, por akoma nuk ka shenja se mund të ketë zgjedhje. Akoma mbizotëron mendimi se kur kryetari i PS-së ka fituar zgjedhjet parlamentare nuk ka nevojë për t’u votuar nga delegatët apo anëtarësia e partisë. “E ka votuar populli!”- hedhin tymçe oborrtarët e “Cezarit” të PS-së. Por një parti me themele demokratike, pavarësisht nga emri i saj ka nevojë për debat, votim, zgjedhje. Mund të jesh i votuar në popull, porse partia ka rezerva për mënyrën se si qeveris apo bashkëqeveris, mund të jesh më i mirë se kundërshtari politik, porse partia mund të ketë lider të tjerë që janë me socialë, me të hapur ndaj shoqërisë dhe që sjellin me shumë mirëqënie. Ka plot arësye që një parti t’i thotë “Cezarit” të korigjojë shënjestren e reformave drastike. Edhe Margaret Theçer ishte e votuar nga populli, porse në parti e rrëzuan. Iku!

saimir-tahiri_2-640x445

Nuk themi se Edi Rama ka arritur tek rasti “Theçer” apo edhe më keq që një “Brut” në PS ta “vrasë” dhe të shpëtojë PS-në. Por kur ai (“Cezari”) nuk dëgjon asnjeri në PS, kur ai mendon se nuk ka nevojë as për kongres, as për zgjedhje, as për të dhënë llogari para “Senatit” të PS do të dal një “Brut”. Bruti ishte njeriu më i afërt, më korrekti, por kur shikoi (Bruti) që Jul Cezari donte të bëhej Perandor i Përjetshëm, pra të mos kishte zgjedhje ose praktkisht të shkrinte Senatin, nuk duroi. Vendosi Romën mbi mikun e tij, mbi shefin e tij. Dhe e vrau! Eshtë legjendare fjala e Brutit para popullit të Romës, pasi vrau Cezarin. 

Qeverisja e sotme e PS-së është futur në vitin e tretë. Ka akuza, ka mefshtësi, ka korrupsion, nuk ka investime në infrastrukturë, mirëqënia nuk është ajo e premtuara. “Cezari” i PS-së nuk bën as ndryshime në qeveri që të sjellë frymë tjetër me politike e me profesionaliste,  heziton të pyesë Kongresin me votim për “Cezarin” e tyre. Kjo e irriton ministrin Saimir Tahiri. Është ndeshur me trafikantë, mafiozë, biznesmenë të PS-së që i bënin presion t’u hapte dyert e trafikut. U zu me Tom Doshin, sherr me Koço Kokëdhimën për canabisin. E spostuan nga kandidimi në bashkinë e Tiranës. I vunë tritol si hakmarrje tek shtëpia e të jatit, e shajnë nën dhëmbë ca njërëz afër “Cezarit”, modernizoi policinë me teknologjinë bashkëkohore, zhduku Lazaratin si bandë e si trafik marramendës, përleshet në parlament me opozitën, e akuzojnë për afera, zihet prapë me Kokëdhimën ndërsa policia vritet e gjakoset me kapot e drogës dhe kultivuesit në çdo anë mali, por prapë “supërdeputeti” bërtet “ të mbjellim canabis”. Ai ka plot dosje për çdo ministër dhe mundet edhe për shumë deputetë të përzier në trafiqe. Shkon sa herë e kërkon “Cezari”, edhe në mes të natës, i raporton pa mashtrime, korrekt. Saimiri është njeriu më i afërt i tij. Kjo nuk diskutohet. Ka edhe të tjerë afër “Cezarit”, por Samja siç thotë edhe Berisha, mbetet më i besuari. I kërkon “Cezari” edhe frymëmarrjen e Ilir Metës apo kur dremit kreu i parlamentit dhe ministri ia çon, aqsa “Cezari” tashmë muzikën e celularit të tij personal e ka me muzikën e dremitjes së Ilir Metës.

Por Saimir Tahiri shikon se diçka nuk shkon më si më parë, edhe në PS. “Cezari” do mandat të përjetshëm. Nuk do zgjedhje, nuk do “senat”, pra votim në Kongres. Dhe Saimiri, të paktën për momentin, po mundohet të thotë diçka publikisht se duhet votim në kongres, paçka se i përzien fjalitë me një togfjalësh pa kuptim  se “ populli e ka votuar “Cezarin” e PS-së.saimir-tahiri_0_2

Saimiri duket paksa jashtë grupimeve të “Cezarit” dhe “Pompeit” në PS. Nuk është as shumë-shumë me Edin, por as keq me Blushin. I ka ulur “gladiatorët” e selisë rozë në Pezën e Myslim Pezës për t’i pajtuar, por nuk ia arriti bashkimit të “senatit romak”. Edi Rama e përzuri “Pompein”, pra Blushin. Dhe po mbretëron i vetëm në PS.  Ndaj Saimir Tahiri nuk e duron këtë ambicie të shefit të tij që nesër  mund të jetë edhe ndrydhje e lirisë për të. Dhe si për të shfryrë nga dufi brenda vetes shkon në poligonin e qitjes në Tiranë. Merr armën e qitjes, vendos tre tabela dhe qëllon. Ai është njeriu që di me shumë sekrete në këtë vend sepse ka dosje për çdo minister dhe për këtë arësye të gjithë i shmangen. Ka informacione të çuditshme që mund ta hidhnin në erë gjithë parlamentin .  Por Sajmja nuk flet dhe  i harxhon energjitë e tepërta duke thyer shishe në poligonin e qitjes, nga inati se “Cezari” po bëhet i rrezikshëm. Prapë në poligon, pas punës, ku i vë shenjëstrave të qitjes emrat e ministrave të PS , bashkiakëve me përzgjedhje dhe nxiton në zyrën e Ramës çdo natë ku thuhet se çon disqet e selektuara që mbledhin informatorët gjatë ditës. Kjo është muzikë për veshët e Ramës, sidomos kur në disqe-kaseta del zëri melodioz i Ilir Metës. Në poligonin e Saimirit tre janë kokat mbi të cilat qëllon me shpesh dhe pa hezitim: Tom Doshi, Koço Kokedhima dhe Erjon Veliaj!

Kthehet nga poligoni pas një ditë pune të lodhshme dhe prapë tek “Cezari”. Ndjen se mandati i përjetshëm cezeriano-edvinist do t’i ngushtojë hapësirat e lirisë në PS, e jo vetëm në PS. Edhe për atë do të ngushtohet laku i hapësirave të lirisë. “Cezari” vret edhe bashkëpunëtorët!

“Pompein” në PS e kanë përzenë, as në kongres nuk duan ta votojnë. “Senati socialist” po shkërmoqet ndaj Saimiri nuk do të hezitojë të ngrihet të “vrasë” me droje, por ama do ngrihet të qëllojë mbi  “Cezarin” e tij.

Dhe shpëton Romën e PS! Jo Ramën, por Romën!

A është ky “Bruti” i Ramës?!

Nga Alban Spiteni

 

PAK HISTORI PER BRUTIN E CEZARIT TE ROMES SE LASHTE:

Rrëfimi i Nikolaut të Damaskut për momentin e vrasjes së Perandorit, Jul Cezarit

Në janar të vitit 49 para Krishtit, Jul Çezari udhëhoqi ushtrinë e tij përtej Lumit Rubikon në veri të Italisë dhe e zhyti Republikën Romake në luftë civile. Rivali i Çezarit, i famshmi Pompei, u arratis për në Greqi. Brenda tre muajve, Çezari kontrollonte të gjithë Gadishullin italian dhe në Spanjë kishte mposhtur legjionet besnike të Pompeit. Tani, Çezari po ndiqte Pompein në Greqi. Çezari arriti të mundi forcat e armikut, ndonëse më të shumta në numër, por jo përpara se Pompei të arratisej për në Egjipt.

Duke ndjekur Pompein për në Egjipt, Çezarit iu ofrua koka e prerë e rivalit të tij, si shenjë miqësie. Përpara se të largohej nga rajoni, Çezari caktoi Kleopatrën si sundimtare të Egjiptit në këmbë të tij. Çezari mposhti rivalët e mbetur në Afrikën e Veriut në vitin 47 para Krishtit dhe u rikthye në Romë, tashmë me autoritet të vendosur përfundimisht.

Çezari vijoi të konsolidojë pushtetin dhe në shkurt të vitit 4 para Krishtit, ai u vetëshpall diktator i përjetshëm. Ky akt, bashkë me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’u vetëstolisur me kostumin e pushtetit, ktheu kundër tij shumë prej pjesëtarëve të Senatit. Gjashtëdhjetë prej tyre konkluduan se e vetmja zgjidhje e problemit ishte vrasja e Çezarit.

VDEKJA E NJË DIKTATORI

Nikolau i Damaskut e shkroi rrëfimin e tij për vrasjen e Çezarit disa vite pas ngjarjes. Ai nuk ishte në fakt i pranishëm kur ndodhi vrasja, por kish patur mundësinë të fliste me ata që kishin qenë aty. Ai ishte mik i Herodit të Madh dhe mblodhi informacione gjatë një vizite në Romë. Mendohet që rrëfimi i tij të jetë i besueshëm.

PLANI i vrasjes së Cezarit: “Komplotuesit nuk u takuan asnjëherë haptas, por ata u mblodhën disa herë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Pati shumë diskutime dhe propozime, siç mund të mendohet, ndërkohë që ata shyqrtonin se si dhe ku ta ekzekutonin planin e tyre. Disa sugjeruan që ta bënin atentatin ndërkohë që ai shëtiste përgjatë Rrugës së Shenjtë, që ishte një prej shëtitjeve të tij të preferuara. Një tjetër ide ishte që të kryhej gjatë zgjedhjeve, në një rast ku do të kalonte një urë për të shkuar dhe emëruar magjistratët në Kampus Martius; ata duhej të caktonin shuma në para për disa që do ta shtynin nga ura, dhe të tjerë që do të shkonin ta vrisnin. Një plan i tretë ishte që të pritej për një shfaqje gladiatorësh. Avantazhi i kësaj do të ishte se, për shkak të shfaqjes, nuk do të kishte dyshime nëse do të vërehej prania e armëve para atentatit. Por, shumica ishte që ai të vritej ndërkohë që qëndronte ulur në Senat, aty ku do të ishte i vetëm, pasi josenatorët nuk do të pranoheshin, dhe ku komplotuesit e shumtë do të fshihnin kamat poshtë veshjeve. Ishte ky plani që fitoi”.

BRUTI BIND CEZARIN:

 “…miqtë e tij ishin të alarmuar nga disa zëra që kishin dëgjuar dhe u përpoqën ta ndalojnë që të shkojë në Senat, ashtu si bënë edhe doktorët, pasi ai vuante nga një prej marramendjeve të herëpashershme. E shoqja, Kalpurnia, e cila ishte e trembur për shkak të disa ëndrrave që kishte parë, iu qep pas dhe i tha se nuk do ta lejonte të dilte atë ditë. Por Bruti, një prej komplotuesve që atëherë mendohej se ishte një mik i tij i ngushtë, erdhi dhe i tha: ‘Ç’është kjo, Çezar? A mos je burrë që i kushton vëmendje ëndrrave të një gruaje, si dhe thashethemeve të budallenjve, e të fyesh Senatin duke mos dalë, megjithëse ai të ka nderuar dhe është mbledhur posaçërisht për ty? Më dëgjo mua, lëri mënjanë parandjenjat e të gjithë këtyre njerëzve dhe eja. Senati ka që në mëngjes në seancë, duke të pritur’. Kjo e bindi Çezarin dhe ai u nis.

OGURE TE KEQINJ:

Përpara se të hynte në sallë, priftërinjtë i sollën viktimat për të bërë atë që do të ishte flija e tij e fundit. Ogurët ishin qartësisht të pafavorshëm. Pas kësaj flije të pasuksesshme, priftërinjtë bënë të tjera për të parë në do të dilte diçka më e përshtatshme, nga ata që ishin zbuluar tashmë para tyre. Në fund, ata thanë se nuk ishin në gjendje të dallonin me qartësi qëllimet hyjnore, pasi kishte ndonjë shpirt transparent, të keq që fshihej tek viktimat. Çezari, i mërzitur e braktisi parashikimin e të ardhmes për në perëndim, ndonëse priftërinjtë vazhduan me përpjekjet e tyre.

Vrasësit e pranishëm u kënaqën nga kjo, ndonëse miqtë i kërkuan Çezarit ta shtynte takimin e Senatit për atë ditë, për shkak të asaj që kishin thënë priftërinjtë, dhe ai ra dakord. Por, disa shërbëtorë erdhën dhe i thanë se Senati ishte mbushur plot. Ai u hodhi një sy miqve, por Bruti iu afrua sërish dhe i tha: ‘Eja, zotëri i mirë, mos u kushto rëndësi dërdëllitjeve të këtyre burrave, dhe mos shty atë që Çezari dhe pushteti i tij kanë paracaktuar. Zgjidh kurajën tënde si ogurin e preferuar”. Ai e bindi Çezarin me këto fjalë, e kapi nga dora e djathtë, dhe i priu drejt Senatit, që ishte shumë pranë. Çezari e ndoqi pas në heshtje”.vdekja_cesarit

SULMI:

 “Senati u ngrit në këmbë në respekt të postit të tij kur e panë të hyjë. Ata që kishin pjesë në komplot qëndruan pranë tij. Ngjitur me të shkoi Tiliu Cimber, vëllai i të cilit ishte dëbuar nga Çezari. Nën pretekstin e një kërkese modeste nga vëllai, Cimberi u afrua dhe e kapi nga manteli, me sa duket për të treguar një gjest edhe më pozitiv. Çezari donte të ngrihej dhe të përdorte duart, por nuk u lejua nga Cimberi dhe nisi të shfaqë irritim. Ky ishte momenti që të tjerët të ndërhynin. Të gjithë nxorrën me shpejtësi kamat dhe nxituan drejt tij. I pari, Servilius Kaska e goditi me majën e kamës në shpatullën e majtë, pak mbi klavikul. Ai kish shënjestruar pikërisht klavikulën, por në nxitim e sipër nuk ia doli. Cezari u ngrit për t’u vetëmbrojtur, dhe nëpër poteren e krijuar Casca i thirri në greqisht vëllait. Ky e dëgjoi dhe nguli kamën e tij në brinjë. Pas një momenti, Kasiusi e preu në fytyrë dhe Decimus Bruti e goditi në ijë. Ndërkohë që Kasius Longinus përpiqej t’i jepte një tjetër goditje, i shkau dora dhe goditi Markus Brutin në dorë. Minuci gjithashtu nuk qëlloi dot në trupin e Cezarit dhe goditi Rubriusin në kofshë. Ishin disa burra që bënin betejë kundër tij.cez

Pas gjithë plagëve të marra, ai u shemb në këmbët e statujës së Pompeit. Të gjithë dukej se donin që të kishin kontributin e tyre në vrasje, dhe nuk mbeti asnjëri pa i dhënë nga një goditje në trup, ndërkohë që ai rrinte aty shtrirë deri kur, i plagosur tridhjetë e pesë herë, mori frymë për herë të fundit”. 

Fjalimi i Brutit para qytetarëve të  Romës pasi vrau Jul Cezarin

 “E doja Cezarin, por me shumë dua Romën!”

“Duroni gjersa të mbaroj. Romanë! Qytetarë! Miq! Dëgjomëni që t’jua tregoj punën; dhe heshtni që të mundni të dëgjoni. Në më quani të ndershëm, besomëni dhe quamëni mjaft të ndershëm sa të më besoni. Gjykomëni me mend dhe zgjojeni mendjen, që të mundni të gjykoni më mirë. Në pastë këtu në këtë mbledhje ndonjë mik me zemër të Cezarit, atij i thoni që Bruti e desh Cezarin jo më pak se ai. Dhe në më pyettë ai mik përse Bruti u ngrit kundër Cezarit, përgjigjja ime është kjo; Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër. A do të donit më mirë të rronte Cezari dhe Ju të vdisnit robër që të gjithë, sesa të vdiste Cezari dhe të rronit të gjithë të lirë? Qaj për Cezarin, se më donte; gëzohem se qe dorëmbarë; e nderoj, se qe trim; po e vrava, se qe ambicioz. I dhashë lot për dashurin’ e tij, gaz për mbarësin’ e tij, nder për trimërin’ e tij dhe vdekje për ambicien e tij. Kush është këtu aq i poshtër sa të dojë të jetë rob? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Kush është këtu aq i humbur, sa të mos dojë të jetë Roman? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Kush është këtu aq i lig, sa të mos dojë vendin e tij? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Qëndroj dhe pres përgjigje”

(Fjalimi i Brutit, marrë nga “Jul Cezari” i Shekspirit. Përkthyer nga Fan S. Noli)

 

SHKARKO APP