A ka përgjuar Roma politikanët shqiptarë për llogari të Qeverisë?
Historia e përgjimeve të dyshuara nga policia shqiptare ka gjetur jehonë dhe në mediat italiane. Një prej gazetave italiane “Il Fatto Quotidiano” shkruan se, “në historinë e përgjimeve të politikanëve shqiptarë duket se Roma po luan një rol kyç”. Gazeta shkruan se pajisja përgjuese “IMSI Catcher” ka hyrë në Shqipëri më datën 11 mars 2016, me anë të një makine me targa diplomatike italiane. Ajo është futur nëpërmjet Portit të Durrësit. Aktualisht pajisja përgjuese mësohet se ndodhet në Ambasadën e Italisë në Tiranë, e cila nuk e ka vënë në dispozicion të Prokurorisë Shqiptare. Gazeta i referohet ish-numrit 1 të policisë italiane, Alesandro Pansa, i cili tha se, instrumenti për përgjimet ishte një model “Vortex Aircube”, një pajisje e prodhimit izraelit që në Europë është futur nga kompania franceze “Ercom” dhe në Itali është shpërndarë nga kompania “Italalarms”, një kompani që duket e privilegjuar nga Policia e Shtetit në Itali.
“Rreziqet për privatësinë e qytetarëve janë vënë re që më 2013-ën, kur FBI-ja pranoi se i ka përdorur “për të përgjuar kriminelët”. Por nga të dhënat e mbledhura që nga viti 1995, përveç kriminelëve, policia amerikane ka përgjuar edhe qytetarë të thjeshtë. Megjithëse, përtej oqeanit, FBI-ja u dënua me publikimin e dokumenteve që lidhen me përgjimet e qytetarëve përmes IMSI Catcher, Italia që nga viti 2013 ka shpallur në mënyrë të vazhdueshme tender për të “transferuar” përgjimet e Policisë së Shtetit pikërisht përmes këtyre pajisjeve. Fituesja, në shumë raste, ka qenë “Italarms srl”, shoqëri në pronësi të Vittorio Maria dell’Orto dhe Giovanni Battista Adani. E njëjta protagoniste e shitjes së dyshimtë në Shqipëri”, shkruan “Il Fatto Quotidiano”.
Gazeta bën një përmbledhje të asaj që ka ndodhur në dy brigjet dhe rolin e misionit ‘Interforze’ në Shqipëri, ndërsa shton se përflitet gjithnjë e më shumë përfshirja direkte e bashkëshortes së shefit të misionit, Michele Grillo, në shitjen e kësaj pajisjeje. Gazeta hedh hije dyshimi edhe për rolin e drejtuesve të këtij misioni në Shqipëri.
“Në të kaluarën, një rol i tillë mbulohej nga Anna Poggi, ish-shefe zyre në Genova Bolzaneto, e dënuar për dhunën e ushtruar kundër protestuesve në Samitin e G8, dënim i konfirmuar edhe nga Gjykata e Kasacionit, por i paekzekutuar për arsye parashkrimi. Transferimi i saj në Slloveni ka koinçiduar me një tjetër ‘histori spiunësh’: Një ish-polic nga Vlora, Dritan Zagani, në 2015 ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse insistonte se po përndiqej në Shqipëri për shkak se kishte zbuluar një linjë trafiku ajror të drogës nga Shqipëria drejt Italisë në të cilën ishin përfshirë të afërm të ministrit të Brendshëm Tahiri”, shkruan “Il Fatto Quotidiano”. Artikulli thekson se pala italiane ka deklaruar se pajisja ndodhet në zyrat e ambasadës.
Se ç’do një pajisje përgjimi në Ambasadën Italiane, kjo nuk kuptohet!
Dje për herë të parë ka reaguar për çështjen e përgjimeve dhe ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo. Ai kërkoi nga Prokuroria zbardhjen sa më shpejt të çështjes së pajisjes së përgjimit, ndërsa thekson se selia diplomatike po bashkëpunon me autoritetet shqiptare. Sipas ambasadorit, autoriteteve shqiptare u janë dhënë të gjitha informacionet e nevojshme.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, diplomati italian tregohet i rezervuar në deklarata, por shpreh besimin se shumë shpejt do të zbardhet e vërteta e përfshirjes italiane në këtë çështje. “Di që ky argument ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe të debatit politik. Duke qenë se ka një hetim që po kryhet nga autoritetet shqiptare, ju e kuptoni se nuk mund të them shumë. Mund të them vetëm se bashkëpunimi ynë me prokurorinë është i shkëlqyer. Kemi dhënë informacione për të gjitha aspektet e përfshirjes italiane në këtë çështje. Kështu që unë kam besim se brenda një kohe shumë të shkurtër, prokuroria do të mbyllë hetimet, të paktën përsa i përket palës italiane”,- shprehet ambasadori.
Prokuroria është në proces hetimi lidhur me zbardhjen e dyshimeve për përgjimet. Pavarësisht se të gjitha palët që ishin pjesë në këtë proces trajtimi, policia shqiptare dhe Inteforca deklaruan se nuk fshehin asgjë, fakti është se jo të gjitha gjërat janë kaq të thjeshta. Pajisja përgjuese ose jo, në Shqipëri ka hyrë pa dokumente dhe doganë. Përdorimi i saj mbetet i paqartë, pasi thuhet se ishte për trajnime, ndërkohë që, Policia Shqiptare me ligj nuk mund të kryejë përgjime. Për pasoja pyetja mbetet: Për çfarë trajnohet policia kur me ligj nuk e ka detyrën e përgjimit? Së fundi, flitet për bashkëpunim mes institucionesh, kur dihet se, që në ditët e para të hetimit pajisja nuk ju dorëzua prokurorëve për të verifikuar se përse ishte përdorur. Për të shmangur përplasjen pajisja u çua në selinë diplomatike italiane, duke e bërë paprekshme për shkak të imunitetit diplomatik. E gjitha kjo lëvizje dhe përplasje kompetencash që ka përfshirë dhe Italinë vetëm sa e komplikon situatën. Nëse është vetëm një aparaturë stërvitjeje, pra një laptop me disa programe të thjeshta, përse çdo gjë mbahet kaq sekret? Pse nuk iu dorëzua që ditën e parë prokurorisë apo është mbajtur për t’u “pastruar” nga çdo memorie përgjimi dhe më pas dorëzohet e “qepur si e virgjër”?!
Në këtë histori mund të mos ketë asnjë shkelje të rëndë, por gjithë këto tentativa për të fshehur një pajisje që sipas policisë nuk ka kryer asnjë proces të paligjshëm, vetëm sa shtojnë dyshimet. Janë dyshime që nuk ngrihen vetëm në Tiranë, por së fundi edhe nga media në Itali.
Natyrisht që, dikush përgjon në mënyrë të paligjshme në Tiranë. Cilët? Ende akoma për ta mësuar. Më saktë nuk ka për t’u marrë vesh kurrë.