A takoi njeri në SHBA, kryeministri Edi Rama?

Që pas sherrit të së hënës në Kuvend, kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Shqipëri. Pasi dha një deklaratë nga kryeministria ku justifikoi zgjedhjen e kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku vetëm me votat e PS, ai fluturoi drejt Brukselit. Të mërkurën në mëngjes hodhi në Facebook një foto nga konsullata shqiptare në Milano, ndërsa të enjten në mbrëmje, po në Facebook, publikoi një foto me shqiptarët biznesmenë dhe sipërmarrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po këtë ditë thuajse në të njëjtën orë, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, zj. Kadare, votoi për herë të parë këto 27 vite pro një rezolute që dërmonte politikisht në arenën ndërkombëtare Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Donald Trump. Ishte një votim që ka tronditur opinionin publik për arsyen e thjeshtë se në mënyrë të turpshme qeveria shqiptare ka dalë kundër partnerit strategjik që i detyrohemi më shumë së kujtdo tjetër. Ishte një votim i pastër politik i Tiranës zyrtare kundër Uashingtonit të Trump.

Të dalësh kundër SHBA është sikur të dalësh kundër vetes tënde.

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Uashington dukej si një përgjigje ndaj zërave kritikë në Tiranë për votën kundër. Dukej si një sinjal se pavarësisht se diplomacia shqiptare u pozicionua në mënyrë idiote kundër Donald Turmp dhe SHBA, marrëdhëniet nuk janë prekur. Përkundrazi, sipas PS, Kryeministri ndodhet në SHBA dhe çdo gjë është në rregull. Në fakt, takimi me shqiptarët e diasporës është i vetmi aktivitet që Edi Rama (deri të shtunën në mbrëmje) ka zhvilluar në SHBA. Vetëm kaq informacion vjen nga vizita e Edi Ramës në SHBA. Asnjë axhendë e publikuar nga Zyra e Shtypit në Kryeministri dhe asnjë takim i raportuar në mediat afër qeverisë dhe asnjë foto qoftë edhe rastësore me zyrtarë amerikan nuk është publikuar. Të paktën deri mbrëmë vonë në mesnatë.

Vizitat e kryeministrit në SHBA janë gjithmonë të rëndësishme për shkak të interesave strategjikë që ka Shqipëria me këtë superfuqi botërore. Ndaj çdo takim, qoftë edhe formal, ka rëndësi për zhvillimet në vend dhe është tregues i nivelit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Edi Rama këto tre ditë që ndodhet në SHBA nuk ka zhvilluar asnjë takim me zyrtarë të DASH apo qoftë edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera. Pak kush beson se Edi Rama mori rrugën deri në SHBA për të takuar vetëm disa përfaqësues të diasporës. Në mënyrë jo zyrtare thuhet se vizita e kryeministrit është private dhe nuk ka lidhje me detyrën. Por një Kryeministër nuk mund të bëjë pushime dimërore, gati një javë, në SHBA dhe të mos ketë asnjë aktivitet zyrtar e shtetrorë.

Në foto: Edi Rama në New York (SHBA) takim me disa biznesmenë, datë 22 dhjetor 2017

Nëse vërtetë Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjë takim zyrtar (të pakën deri tani), a mos është kjo shenja e parë e një ftohje të Uashingtonit ndaj qëndrimit të qeverisë së Tiranës për votën në OKB. Kryeministri Edi Rama është i vetmi që nuk ka folur për atë që ndodhi me qëndrimin e Shqipërisë. Ndërsa në Shqipëri ka një reagim të ashpër, unanim, kundër votës së Qeverisë, në mënyrë zyrtare ka reaguar vetëm Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Sqarimi Ditmir Bushatit ka nxitur dhe më tepër reagimet kundër Edi Ramës, pasi vota kundër SHBA nuk ka asnjë justifikim.

Presidenti i Republikës i dërgoi dy ditë më parë një letër Presidentit amerikan Donald Trump, ku i shpjegonte se votimi nuk përfaqësonte qëndrimin e kombit shqiptar. Ndërkohë opozita e ka sulmuar ashpër këtë akt dhe e ka cilësuar si një qëndrim të Edi Ramës dhe jo të politikës apo shtetit shqiptar. Analistë amerikanë për rajonin, në media të ndryshme, kanë deklaruar se Shqipëria duhet të kishte zgjedhur një mënyrë më diplomatike për të mos dalë kundër SHBA. Më e pakta duhet të kishte abstenuar ose të mos kishte marrë pjesë fare në votim. Qeveria “Rama” zgjodhi mënyrën më të gabuar për të votuar duke u pozicionuar kundër SHBA. Në këtë stuhi reagimesh dhe akuzash ndaj Qeverisë, i vetmi që nuk ka komentuar dhe shpjeguar këtë vendim është kryeministri Edi Rama. Është një heshtje që shton edhe më shumë pikëpyetjet mbi arsyet e një qëndrimi të tillë.

A është miqësia me presidentin turk Erdogan, jo vetëm miqësi zyrtare, apo inati me Presidentin Trump dhe një çokë që Rama u ka bërë antitrampistëve në SHBA, kjo mbetet të shikohet në vazhdim, por një gjë tashmë kuptohet nga të gjithë: Një gafë e madhe e qeverisë shqiptare në raport me Amerikën.

Ndërkohë, si për të minimizuar efektet e këtij reagimi, Edi Rama ndodhet në SHBA, por deri tani nuk e ka pritur askush.

Kur grumbullon shumë pushtet rreth vetes dhe nuk ngopesh nga mbipesha e pushtetit, vjen rrëzimi. Nga opozita në fillim nuk mendohej se do rrëzohej Edi Rama. Tani mundet. Por në shtator nuk e besonte njeri, edhe pas daljes së dosjes Tahiri. Tashmë rrëshqitja ka filluar e ku pas votimit kundër SHBA, nuk ka shpresa më. Ai ka vetëm një zgjidhje; të kërkojë falje publikisht dhe të heq dorë nga mbipushteti. E ka edhe këtë shans, por le të presim se si do ta marrë kthesën, pasi tashmë e ka i vetëm timonin dhe tepsinë, por mund ti humbasë të dyja.

Q.Xh.

Në foto: Edi Rama në New York (SHBA) takim me disa biznesmenë, datë 22 dhjetor 2017

SHKARKO APP