Akuza të egra të presidentit Thaçi ndaj ish-kryeministrit Berisha
Nuk ndalon sherri mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u tregua shumë i ashpër në Open me akuza ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Hashim Thaçi ka qenë mjaft i ashpër mbrëmjen e së hënës në emisionin “Open” në TCH përsa i përket Sali Berishës. Ka zgjedhur një gjuhë të ashpër duke e sfiduar dhe duke e ftuar në debat televiziv për të thënë secili të vërtetat e tyre.
“Gabimi im më i madh është se e kam trajtuar seriozisht. Ai ka marrë ndihma nga Beogradi për të cenuar Kosovën. Duhet ta themi këtë të vërtetë pa ekuivoke. E ftoj në debat ballë për ballë dhe pa moderator. Nuk do të ndahet mirë nga unë nga ky debat. E ftoj në debat” – tha Thaçi.
“Nuk kam ardhur këtu të merrem me Sali Ram Berishën, por ai dëshmuar në këto 3 dekada se ai është argat i Milosheviçit. Që kur është futur në politikë dhe sot ai ka përçarë politikën shqiptare për të penguar integrimin.
Unë nuk merrem personalisht me të, por ai e zgjodhi rrugën vetë. Në vend që të bashkëpunonte me lëvizjen kombëtare në Kosovë ai zgjodhi të ishte argat i Beogradit. Ai ka kërkuar gjithmonë që Kosova të ishte vetëm autonome dhe jo e pavarur. Ai ka qenë gjithmonë që Kosova të mbetej nën Serbi duke e quajtur UÇK-në terroriste dhe më pas sulmoi edhe marrëveshjen e Rambujesë.
Asgjë personale. I vetmi gabim i imi është se e kam trajtuar seriozisht sepse ai vetë nuk i beson ato që thotë. Ai e shfrytëzon Kosovën kur është në hall. Edhe gjatë krizës më të madhe politike të izolimit të tij total ndërkombëtar në maj të vitit “99-të i kam shkuar në zyrë dhe e kam gjetur të çakorduar dhe të paorinetuar.
Ai vazhdonte ta quante UÇK-në terroriste. Kemi pasur bashkëpunim korrekt kur ishte 2 mandate në qeveri. Në 2009-ën shkova të marr pjesë në ceremoninë e hapjes së tunelit, përfundova në një miting elektoral të PD-së. I kërkoj falje Ramës që jam përzier në fushatë elektorale.
Ai e zgjodhi vetë rrugën duke bashkëpunuar me Millosheviçin. Vrasësi është rikthyer në vendin e krimit. Ai ka bërë shumë krime në Kosovë. Ne e njohim edhe kanunin dhe burrërinë dhe ballafaqimin.
Pse përmenda Kanunin? E shoh Sali Ram Berishën si sillet në parlament, si në mesjetë. Ndaj e përmenda Kanunin, por ai do të ikë me bisht ndër shalë. Sali Ram Berisha ka qenë gjithmonë kundër emrave më domethënës të Kosovës” – tha Thaçi.