Ambasadorë, ndërhyni për Vettingun!

Institucionet e reja që do të kryejnë reformën në drejtësi duhet të kishin nisur nga puna. Por procesi ka mbetur në disa aspekte në dukje procedurale që kanë të bëjnë me administratën e re. Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama ngre shqetësimin se pas këtyre “vonesave” fshihet qëllimi i kontrollit të institucioneve të reja të drejtësisë nga Partia Socialiste. Përfaqësuesi i LSI-së ka kërkuar dje ndërhyrjen urgjente të ambasadorëve të SHBA, Donald Lu dhe të BE, Romana Vllahutin për procesin e Vettingut. Në një reagim të ashpër kundër Partisë Socialiste, Rama thekson se përfaqësues mazhorancës po pozicionohen në mënyrë të qartë kundër zbatimit të reformës në drejtësi.

“Një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA: ndiqeni procesin me të njëjtën konsistencë që shfaqet gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut! Do të duhej të kishin nisur nga puna institucionet e vettingut, e kësisoj do të mund të thonim se më në fund ka filluar të zbatohet edhe reforma në drejtësi. Mirëpo, ja që qeveria, ca nga vetja e ca nga ca zëdhënëse të saj në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, po na shfaq fytyrën tjetër: fytyrën e dytë, në fakt fytyrën e vërtetë, atë kundër reformës në drejtësi!”,- shprehet Luan Rama.

Por cilat janë shenjat e para të ndërhyrjes së mazhorancës së PS në formimin e institucioneve të reja? Luan Rama sjellë në vëmendje kërkesën e deputetëve të PS-së një javë më parë, ku u sugjerua që institucionet e reja të punojnë me administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Disa ditë më parë, një relatore rilindase në komisionin e ligjeve, teksa po diskutohej struktura organizative dhe pagat e komisioneve te vetingut, hodhi idenë “brilante” që këto komisione që janë konceptuar e parashikuar nga ligji si institucione kushtetuese me rëndësi jetike për cilësinë e suksesit të reformës në drejtësi, nuk është e nevojshme të kenë administratë dhe as infrastrukturë të tyren, por të përdorin administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese! Madje me një përmasë alarmante budallallëku teksa flitej në komisionin e ligjeve për Kolegjin e Apelimit, merrej për referencë Avokati i Popullit!”, – shprehet Luan Rama.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një ide e tillë e propozuar nga PS është më shumë se e dëmshme për reformën. Detyra e institucioneve të reja është që të kontrollojnë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë PS propozon që ekspertët e Vettingut të punojmë me stafin dhe njerëzit e atyre që do i kontrollojnë për korrupsion dhe abuzime!!

Zv/Kryetari i LSI-së e cilëson një ide të tillë ose si injorancë juridike, ose një tentativë e pastër për të sabotuar reformën në drejtësi. “Si ka mundësi të jenë kaq skandalozë dhe kaq injorantë që të mos kuptojnë se kjo idiotësi e tyre bie ndesh e është në kundërshtim me parimin e pavarësisë funksionale! Si mundet të mos e kuptojë e të mos e dijë dikush që është zgjedhur të jetë në Kuvendin e Shqipërisë se çfarë do të thotë pavarësi e institucioneve kushtetuese?! Vërtetë të jenë kaq injorantë?! Nuk gjej arsye tjetër në fakt, e po shprehem në këtë mënyrë sepse nuk dua të besoj se e bëjnë qëllimisht! Përndryshe do të më duhej të shprehesha se kemi të bëjmë me një përpjekje të ligë e kriminale për ta sabotuar ende pa nisur reformën në drejtësi!”,- deklaron Luan Rama.

Përfaqësuesi i LSI-së thekson se ndaj njerëzve që do të drejtojnë institucionet e reja të drejtësisë, nga ana e PS, ka sulme dhe presione për ti vendosur nën kontroll ende pa marrë detyrën. Për këtë arsye, Luan Rama kërkon ndërhyrjen urgjente të diplomantëve të SHBE dhe BE, si dy ambasadorët që u investuan më shumë për suksesin e reformën. “E gjej me vend të bëj një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA, respektivisht për zonjën Vlahutin dhe zotin Lu: ndiqeni procesin me të njëjtën konsistencë që shfaqët gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut! Vetëm mbështetja dhe presioni juaj mund ta detyrojë maxhorancën të largojë duart nga përpjekja për ta deformuar e vënën nën kontroll procesin e ngritjes së institucioneve të vetingut, përkatësisht edhe të institucioneve të drejtësisë!”,- shprehet Zv/Kryetari i LSI.

Vettingu është projekti më i rëndësishëm në gjithë sistemin e drejtësisë në 27 vjet. Miratimi i reformës kaloi mes shumë debatesh në Kuvend vitin e kaluar dhe me ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtarëve. Por votimi në Kuvend ishte vetëm pjesa e parë. Sipas parashikimeve reforma duhet të kishte nisur në muajin shtator. Ndërkohë që PS, që ka shumicën në Kuvend, ende debaton për pagat e juristëve, për stafin dhe shpenzimet e administrative. Për këtë reformë edhe paratë e trajnimeve të ekspertëve janë investuar nga ndërkombëtarët. Kuvendit dhe shumicës së PS-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të miratojë aktet nënligjore të krijojë kushtet për të punuar institucionet e tjera. Vonesat me procedura si këto që po ndodhin tani, janë vetëm justifikime që tregojnë se institucionet e pavarura nuk do të lejohen që të  jenë të tilla.

Drejtësinë e re nuk duam që të kalojë nga varësia e PD nën lakun e PS. Ndaj Lu dhe Vllahutin duhet të jenë prezent në këtë mbyllje të procesit të reformës në drejtësi.

Q.XH.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?