Ambasadorët mbaruan detyrën!

 

Tashmë edhe Komisioni i Venecias e mbylli detyrën e tij. Erdhi, foli dhe la mendimet me shkrim për reformën e Drejtësisë.Mësohet se drafti është diskutuar dhe miratuar  dje, ndërsa Komisioni ka rekomanduar që rasti i Shqipërisë të merret si shembull edhe nga vendet e tjera të rajonit. Tashmë, pritet që drafti të miratohet në Kuvend, ndërkohë që faktori ndërkombëtar në Tiranë prej kohësh e ka mbështetur reformën në fjalë. Bile të mos ishte Donald Lu me kërcënime publike zor se vinin deri këtu. Por nga ky moment duhet debat, konsulta mes specialistëve të palëve kundërshtare në politikë. Ka nevojë që ambasadorët e huaj të tërhiqen për Krishtlindje dhe Vitin e Ri pasi në tavolinat e politikës shqiptare kanë mbërritur pikat kyçe nga komisioni i Venecias si më eksperti në Europë e me gjerë. Presionin e parë e bënë ambasadorët kryesorë të vendeve mike. Ishte merita e ambasadorit Lu që i shtyu duke iu qëndruar mbi kokë përditë, politikës shqiptare. Tashmë ka nevojë për polemika, bisedime, debat e diskutime mes njërëzve të drejtësisë e specialistëve që njohin këtë fushë. Duhet që politika të “zihet” përditë për këtë reformë, porse gjyqtarët e prokurorët nga Shqipëria do të jenë ata që do ta zbatojnë reformën e nuk do të merren nga Marsi, kësisoj nuk ka pse vendoset një gur i rëndë mbi kokat e njërëzve të drejtësisë. Dhe kjo punë nuk bëhet me “revolucion”, pasi si rregull revolucionet kanë qëllim përmbysjen. Në këtë rast reforma kërkon patjetër që në themel të ndryshojë mënyra e veprimit të drejtësisë, porse përsëri me këto njërëz të drejtësisë do të bëhet aplikimi i kësaj reforme se nuk do jenë të huajtë që do vijnë për të gjykuar.

Ndaj nuk mendoj se ka nevojë më për presion ambasadorësh sepse kjo reformë nuk mund të jetë për pak vite, por duhet ti shërbejë vendit për dekada. Andi Bejtja dje shkruante se” Ka shumë të huaj që ndjenja e protagonizmit mund t’i çojë edhe më larg. Unë mendoj që këta protagonistë e bënë detyrën e tyre, mund të tërhiqen, të lënë shoqërinë civile, sepse drejtësia është një çështje më e komplikuar, ka të bëjë jo vetëm me reformën zgjedhore, por me çdo reformë, me çështjen e pronave, sikurse e përmenda më sipër, dhe ajo që ndodhi mund të rrezikojë më tepër reformën në drejtësi. E kuptojmë të gjithë që reforma duhet bërë, pasi është një kusht edhe nga Bashkimi Evropian. Pra, nuk duhet t’i shikojmë gjërat më bardhezi në këtë vend dhe ajo që kam parë unë edhe në vendet e tjera është që reformat të tilla të mëdha nuk bëhen duke dënuar dhe duke i parë kategoritë si armiq…”.

Një reformë e bërë duke anashkaluar presidentin, kryeministrin, shoqërinë civile, duke anashkaluar gjyqtarët, qoftë të korruptuar qoftë jo, nuk na nxjerr kurrkund. Njerëzit duhet ta ndiejnë këtë debat, duhet ta shohin këtë debat.Thuhet që ka dhe palë të cilët thonë të mos bëhen, por besoj se janë shumë pak me shumicën dërrmuese të popullit shqiptarë, por thjesht për revolucione qoftë kineze, qoftë tajlandeze, austriake a gjermane, apo çfarë emri mund të ketë, nuk janë të mira për këtë moment sepse duhet të jemi shumë të kujdesshëm.Nuk ka nevojë për revolucion në drejtësi, por ka nevojë për konsensus të madh siç u bë për dekriminalizimin, ku produkti që do të dalë , pas debatëve në nivel të lartë specialistësh për reformizëm, ti shërbejë qytetarëve e të  mos jetë që hiqen një palë e vihen pala tjetër.

Ndaj pa shumë presion në këtë moment,sepse politika është  futur në vathë e nuk ka si ikën më sepse janë në rrugën e duhur. Tashmë mbetet që të diskutohet mënyra e të bërit reformë në strukturën e sistemit të drejtësisë mbi parametrat që ka sjellë komisioni i Venecias.

Ambasadorët këtu janë, nuk ikin !

 

SHKARKO APP