ANALIZË – Rusia teston Perëndimin si në kohërat e Luftës së Ftohtë
“Që prej fillimit të vitit, ka pasur më shumë se 100 interceptime të avionëve rusë, tre herë më shumë se vitin e kaluar. Pra, ka një rritje thelbësore, por ne kemi bërë atë që duhet. Ne interceptojmë, jemi të gatshëm dhe reagojmë”, nënvizon ndërkohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Athinë.
NATO-ja denoncoi në një javë dy seri incidentesh që përfshijnë forcat ajrore ruse. Më 22 tetor, një aparat i specializuar për mbledhjen e informacioneve sekrete hyri në hapësirën ajrore estoneze, mbi 600 metra dhe fluturoi përgjatë një minute në rrethinat e ishullit Sarema.
Të martën pasdite dhe të mërkurën, avionët luftarakë të aleatëve, gjerman, norvegjez, britanik, portugez, turk, danez, por gjithashtu finlandez dhe suedez janë ngritur për të interceptuar katër grupe të avionëve rusë në manovra mbi Atlantik, detin Balltik, Detin e Veriut dhe Detin e Zi.
Një demonstrim force që përfshinte avionë bombardues, avionë luftarakë dhe avionë transporti zbulon, sipas NATO-s, një aktivitet të një shkallë të gjerë dhe të pazakontë.
“Ky është vetëm një rikthim në një praktikë ushtarake normale për një vend që mendon për potencialin mbrojtës dhe luftarak të ushtrisë së tij. Forcat ajrore trajnohen, bëjnë fluturime zbulimi për të kuptuar më mirë qëllimet e kolegëve tanë të NATO-s”, thekson Igor Korotshenko, anëtar i Këshillit Konsultativ në Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
“Perëndimi e ka bërë zakon të na shikojë me mospërfillje, por, kjo ka marrë fund dhe tashmë dhe ne do të dimë të bëjmë që interesat tona legjitime të njihen nga e gjithë bota”, shton ai.
Të frikësosh evropianët
“Këto lloj provokimesh nuk janë ndërprerë kurrë që prej fundit të Luftës së Ftohtë, por kjo nuk është bërë publike”, thekson Brooks Tigner, specialist i NATO-s për IHS Jane’s Defence. “Ajo që ndryshon, është që në vend që të fluturojnë në Rrethin Arktik, Norvegji dhe Suedi, ata zbresin drejt zonave më të populluara në formacionet më komplekse”, shton ai.“Dhe njerëzit mund t’i shohin kur fluturojnë në ishujt britanikë apo balltikë”, nënvizon Brooks Tigner.
Për të nuk është një përkim. Rusia luan një ndarje shumë agresive, ashtu siç bëri në Ukrainë që prej muajit mars me aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e rebelëve prorusë në Lindje.
Suedia vendosi dy javë më parë më shumë se 200 trupa, anije që nuk i kap radari, anije luftarake dhe helikopterë në detin Balltik për të gjetur nëndetësen e huaj, të parë nga disa persona duke të sjellë ndërmend operacionet në vitet 1980 pas zbarkimit të nëndetëseve sovjetike.“Jemi rikthyer në procedurat klasike të Luftës së Ftohtë”, thekson Pavel Felguenhauer, një analist ushtarak, i vendosur në Moskë.“Një lojë ekuilibri”, shton ai.
“Qëllimi është që ata të heqin sanksionet, që ata të mos rikthehen në pyjet tona dhe të frikësojnë evropianët, t’i bëjnë të besojnë që Rusia është e gatshme për gjithçka”, vijon Felguenhauer, sipas të cilit këto raste do të jenë më të shumta.
“Çmimet e naftës janë shumë të ulëta, gjë që peshon në faturat e shtetit rus dhe saksionet bëjnë keq, pra, është urgjente për Vladimir Putinin të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin”, konfirmon Igor Sutiaguine, studiues në institutin londinez ”Rusi”.
”Por, mjeti i vetëm i presionit që i mbetet është ai ushtarak. Presidenti rus theksoi javën e kaluar se Rusia po bëhej gati për një përballje me Perëndimin”, nënvizon studiuesi.“Me këtë diplomaci luftarake dhe me perceptimin e tij paksa të çuditshëm, Putini po provokon Perëndimin për të marrë një miqësi, por pa kushte”, shton ai