Armëpushimi i Krishtlindjes!
Nga Ilva Tare
Dhjetor 1914 front lufte midis Britanikëve dhe Gjermanëve.
100 vjet më parë
Një letër dërguar nënës së një prej ushtarëve britanikë të luftës së parë botërore rrëfen detaje nga ajo ngjarje që ai e përshkruan si pamja më e bukur që ka parë ndonjëherë. Letra e kapitenit A. D Chater është publikuar nga posta britanike me lejen e familjes së tij si një dëshmi që provon paqen e Krishtlindjes së 2014 në frontin e luftës.
Kapiteni anglez shkruan se rreth orës 10 të mëngjesit teksa vëzhgonte mbi çati, pa një ushtar gjerman që e përshëndeste me duar dhe dy të tjerë iu bashkuan duke ecur drejt pozicionit të anglezëve.
Sikur mos të kishin parë që gjermanët nuk kishin armë, britanikët do të kishin qëlluar, rrëfen kapiteni. Brenda dy minutave toka midis dy kampeve ushtarake u shndërrua në një lëndinë paqeje ku ushtarët i jepnin dorën njëri tjetrit, shkëmbyen urime dhe kënduan këngët e Krishtlindjes, madje luajtën edhe futboll te improvizuar.
Atmosfera i përngjante një mrekullie që ndodhte ne frontin asnjanës që ishte përdorur deri në atë ditë për të varrosur të vrarët e të dy kampeve. Ushtarët shkëmbyen cigare dhe autografë, ndërsa të tjerë shijuan mundësitë të shtriqnin këmbët pa pasur frikë se do të fillonte breshëria e plumbave që nuk pushonte prej muajsh. Disa të tjerë bënin fotografi së bashku, britanikë dhe gjermanë. Shpresa që kjo paqe e brishtë te zgjaste qoftë edhe për pak kohë ishte e vetmja ndjenjë që i mundonte të dyja palëve.
Sipas dëshmisë së kapitenit anglez, u përfol që do të kishte një tjetër ditë armëpushimi natën e Vitit të Ri, sepse gjermanët donin të shihnin si kishin dalë fotot e shkrepura në Krishtlindje.
Armëpushimi i Krishtlindjes i mbijetoi edhe pakujdesisë së një ushtari britanik, që qëlloi gabimisht në ajër. Porse ajo çfarë ndodhi me pas, fundi i një ëndrre të zgjatur pak orë, pasojë e vendimit të hierarkisë së lartë ushtarake, që u tërbuan kur mësuan çfarë kishte ndodhur natën e Krishtlindjes në front.
Prej asaj nate urdhrat e atyre që e kishin ideuar luftën ishin kërcënuese për cilindo nga ushtarët që do të tregonin dobësi ndaj njëri- tjetrit dhe do të dënoheshin me ekzekutim nga gjykatat ushtarake. Lufta nisi sërish!
100 vjet më pas, Europa tanimë e bashkuar ka mësuar prej gabimeve të saj, pavarësisht se momente dobësie i rishfaq sa herë politikat e brendshme influencojnë vendimmarrjen e Brukselit, të lodhur me zgjerimin në vende që kanë edhe sot mentalitetin e një shekulli më parë kur kampet ushtarake luftonin për jetë a vdekje njëri tjetrin.
100 vjet me pas në Tiranë, në sallën e një Kuvendi ku është luftuar me të gjitha mjetet u votua një rezolutë që mund të quhet një armëpushim i përkohshëm Krishtlindjeje.
Me gjasë do të duhen edhe shumë dekada që mendësia e liderëve politikë që drejtojnë sot në pozitë dhe opozitë Shqipërinë t’i përshtatet asaj të ushtarëve britanikë dhe gjermanë të një shekulli më parë. Edhe sot si atëherë, ishte elita ushtarake ajo që e bëri luftën duke mbjellë vdekje dhe mjerim te popujt e saj.
Në Dhjetor 2014 nuk ka nevojë të urdhërosh hapje zjarri kundër kundërshtarëve, mjafton të udhëhiqesh nga mentaliteti i luftës pavarësisht çmimit dhe pasojave fatale për qytetarët e tu.
Ashtu si dhe armëpushimi i Krishtlindjes së 1914-tës edhe ky i Dhjetorit 2014 duket po aq i brishtë dhe po aq i thyeshëm sa asokohe kur duheshin ditë të zhvilloheshin fotot, ndërsa i ke në dorë të çastit, si për të dëshmuar se një shekull mund të ndryshojë teknologjinë, por asesi mentalitetin e njerëzve të gabuar në pozicione të gabuara.